Çfarë mund të bëjë Edi Rama?

Çfarë mund të bëjë Edi Rama?
Është krijuar përshtypja se Edi Rama, këtë radhë që i fitoi zgjedhjet i vetëm, mund të bëjë mrekullira. Ai vetë, me dëgjesat publike që ndërmori në të gjithë territorin, ka krijuar përshtypjen se tani shqiptarët do t’i zgjidhin të gjitha problemet. Po a është vërtet kështu?

Personalisht jam i prirë të mendoj dhe dëshiroj gjithashtu që punët në këtë vend të ecin mirë, që qeveria, pavarësisht kush e drejton atë, të bëjë maksimumin dhe t’i zgjidhë vërtet të gjitha problemet që kanë shqiptarët.

Personalisht, gjithashtu, dëshiroj që opozita të shfaqet e bashkuar dhe e fortë, të artikulojë një ligjërim tjetër dhe të ndërtojë që tani programin alternativ me të cilin do ta konkurojë qeverinë e sotme. Shkurt, si çdo shqiptar që ka jetuar dhe jeton në këtë vend, dëshiroj dhe unë që vendi im të bëhet një atdhe i begatë dhe tërheqës, që shqiptarët, më në fund ta shohin vendin e tyre si një mundësi për të ndërtuar të ardhmen këtu dhe mos ta shohin këtë vend si një kapanon apo si një fjetore apo si një vend pushimi.

Si çdo shqiptar,uroj me gjithë zemër që ky vend të njihet më mirë nga Europa dhe nga bota dhe turistët e shumtë që e vizituan këtë vit, të shtohen, ashtu siç uroj me gjithë shpirt që imazhi i vendit tonë të paraqitet gjithnjë e më mirë në botë dhe mediet që flasin mirë për vendin tonë, që ishin të shumta këtë vit, të shtohen edhe më shumë. Mirëpo, këto janë vetëm dëshira, sepse për t’u realizuar nuk mjafton vetëm pasioni foklorik, duhen shumë e shumë gjëra.

Po Edi Rama çfarë mund të bëjë ? Po përgjigjem menjëherë. Pa dashur të paragjykoj vullnetin e mirë dhe dëshirën e tij për të qeverisur me korrektesë e përkushtim, më duhet të them se deri tani Edi Rama nuk na ka dhënë prova të mjaftueshme që mund të qeverisë me korrektesë këtë vend. Rama 1 ishte një gjysmë dështim, por, siç dihet, edhe ai vetë, kur numuroi punët e mbrapashta të qeverisë së tij, gjysmat ia faturoi LSI-së, të tjerat i pranoi që janë të vetat.

Nëse ju kujtohet, sapo mori pushtetin në vitin 2013, Edi Rama nuk u paraqiti shqiptarëve asnjë program ekonomik dhe nuk caktoi asnjë objektiv. Dy projekte të mëdha infrastrukturore që i la në gjysmë qeveria e Berishës, përkatësisht Rruga e Elbasanit dhe ajo e Vlorës, segmenti nga Fieri në Levan edhe sot kanë mbetur të papërfunduara. Gjëja e parë që bëri sapo erdhi në pushtet ishte qoka me Vilma Nushin dhe koncesioni i chek-up-it, pastaj ndenjti dy vjet derisa i realizoi porosinë të vëllait për të bërë drejtor të Pergjithshëm të RTSH-së mikun e Olsit.

Një tjetër shpenzim marramendës ishte dhe rikonstruksioni i dy apo tre ministrive dhe kryeministrisë të cilat zgjatën katër vjet. Rama krijoi qeverinë e parë me ministra krejtësisht të paaftë kampion i të cilëve ishte Arben Ahmetaj dhe Mirela Kumbaro. I pari do të mbahet mend vetëm për deklaratat butaforike të zonave të lira industriale që nuk u realizuan kurrë dhe do të kujtohet si njeriu që Rama e mban pas vetes jo për të bërë punën e shtetit, por për punë që një Zot i madh e di se ku janë dhe si bëhen.

Ndërsa Kumbaroja do të mbahet mend si ministrja që sapo hyri në zyrat e ministrisë, u interesua të vinte pllakën e Sulltan Sulejamnit në kalanë e Lezhës dhe për shkatërrimin e kishës së Leshnicës në fund të mandatit. Se çfarë pune ka bërë ministri i tij i jashtëm, Bushati na e tha vetë Rama në takimin me ambasadorët para disa ditësh. Ndërsa se cili ka qenë efektiviteti i mnistrisë së bujqësisë, nuk është nevoja të shkojmë larg. Mjaft të lexojmë shkrimet e E. Braçes për Edmond Panaritin. Po mirë, mund të thonë disa, po shqiptarët votuan në masë Edi Ramën. Po kjo është e vërtetë dhe kjo është drama jonë.

***

Edi Rama është politikani shqiptar që aktualisht është i pakonkurueshëm sidomos në fushata elektorale. Rama është mjeshtër për të mundur cilindo kundërshtar në një fushatë elektorale. Mirëpo sapo i fiton zgjedhjet, Rama nuk di dhe nuk do më të bëjë asgjë.

Ai është një arrogant dhe egoist i pandreqshëm. Edi Rama është asocial dhe kur nis qeverisjen zgjedh ata persona që nuk mund të bëjnë asgjë. Rama është mjeshtër për t’u bllokuar frymëmarrjen atyre që i zgjedh për të punuar me të. Me profil të ulët, disa herë të paaftë, vartësit e tij që nga ministrat e deri poshtë, nuk qeverisin, por rrinë me zemër të ngrirë se çfarë duhet të bëjnë që të mos prishet humori i Ramës dhe që çdo punë e tyre të dalë se ka qenë ide e Ramës dhe frymëzim i tij.

Përmendet shpesh ish-ministrja Nikolli si reformatore pse mbylli universitetet private. Në fakt ato i mbylli Edi Rama dhe vullneti i drejtë politik i tij. Pas kësaj, kjo ministri i ka katandisur punët më keq se parardhësja dhe arsimi shqiptar qoftë në përmbajtje qoftë edhe në formë është po njësoj. Kompanitë lobiste që botojnë tekstet makabre shkollore janë po ato që bënin si deshnin me qeverinë e parë dhe me Lindita Nikollin po ashtu. Qeverisja e mandatit të kaluar do të mbahet mend për kontrollin e pjesshëm të territorit, një menaxhim korrekt të energjisë elektrike dhe për disa investime në qendrat urbane. Por nuk do të harrohet për asnjë çast se gjatë qeverisjes së parë vendi u mbulua nga kanabisi.

Edhe kjo është një enigmë e madhe. Unë nuk e besoj se ministri i suksesshëm Tahiri lejoi kanabizimin e vendit. Përgjegjësia për mua është e Edi Ramës. Kur ndryshoi vullneti politik, Fatmir Xhafaj e zgjidhi këtë ngërç për dy muaj. Po çfarë do të bëjë Edi Rama ? Unë e përsëris dua të besoj ato që thashë në fillim, por druaj se edhe këtë radhë Edi Rama do ta ketë të vështirë të mundë veten e tij. Edi Rama ka fatin se përballë tij nuk ka opozitë që ta konkurojë. Ai dhe PS-ja mund të rrinë në pushtet derisa të lodhen.

Të mos harrojmë se PS-ja po përgatit dhe një aset tjetër të çmuar që është Erion Veliaj, administratori më i suksesshëm i vendit në këta vjet tranzicion dhe deri tani i papërfolur për asnjë rast korrupsioni. Në anën tjetër nuk ka asnjë shpresë, ndaj Rama i ka të gjitha mundësitë që të bëjë të gjitha eksperimentet që do. Natyrisht është herët të flasim. Na duhet të presim që të shohim programin dhe prioritetet. Ajo që dimë deri tani është se

Rama është i pakonkurueshëm në kohë fushate dhe mund cilindo kundërshtar edhe i vetëm, por kur vjen puna për të qeverisur, deri tani, ai ka treguar se nuk di dhe nuk do të qeverisë. Shqiptarët e dinë këtë dhe në zgjedhjet e fundit ata votuan jo për të ndryshuar, por për të ruajtur status-quonë. Shqiptarët nuk patën asnjë alternativë të besueshme që ta mundte ujin e ndenjtur të qeverisjes së Ramës. Shqiptarët zgjodhën të mos ndryshojnë.

Atyre ju pëlqen një kryeministër që flet bukur, që respektohet nga të huajt, që tregon anekdota dhe që nuk qeveris. Shqiptarët janë të dënuar që të qeverisen vetëm nga një njeri dhe pa opozitë. Ndaj ata votojnë për të mos ndryshuar.

Redaksia Online
J.Sh Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

'S'i bashkon raporti, por leku' PS dhe PD votojnë pro një page shpërblim për orët shtesë në Komisionin e TIMS

'S'i bashkon raporti, por leku' PS dhe PD votojnë pro një page shpërblim për orët shtesë në Komisionin e TIMS