6 biologë dhe instruktorë të zhytjes nga Ukraina, Maqedonia e Veriut dhe Belgjika zgjodhën bregdetin shqiptar për eksplorimet nënujore. Ata janë zhytur në ujërat e detit Jon në zonën e Radhimës, ndërsa kanë vijuar ekspeditat edhe në Jalë dhe Ksamil, me qëllimin për të fotografuar dhe dokumentuar biodiversitetin e pasur detar.
Denisi, instruktor zhytjeje nga Ukraina, tregon se eksplorimet e tyre nënujore kanë nisur tre vite më parë:
“Ne zhytemi thjesht për qejf dhe për të parë botën nënujore peshq, oktapodë, gurë, çdo gjë të gjallë. Shqipëria ka det të mrekullueshëm dhe jetë nënujore shumë të pasur. Çdo ditë dalim në det për zhytje, dhe gjithmonë gjejmë diçka të re.”, thotë Denisi.
Grupi përbëhet nga persona që zhyten dhe një tjetër që rri në sipërfaqe për të garantuar sigurinë.
“Më pëlqen gjithçka në Shqipëri. Kam eksploruar detin, kam ngjitur shkëmbinj dhe çdo vend është i bukur. Këtu ka shumë lloje peshqish, gaforre të mëdha, oktapodë. Edhe peshkaqenë kemi parë, por vetëm të vegjël deri në 15 centimetra dhe krejt të parrezikshëm.”, shprehet Juri Grigorov, rekordmen i zhytjes nga Maqedonia e Veriut.
“Bregdeti juaj është fantastik. Kam parë lloje peshqish dhe gjallesash që nuk i kam hasur më parë. Më pëlqen shumë mënyra si natyra në Shqipëri ndërthur malin me detin, gjë që nuk e gjen shpesh. Ne bëjmë foto dhe video për t’i krahasuar me vendet e tjera ku kemi qenë.”, thekson Daria nga Ukraina.
Pas ekspeditave të zhvilluara në vende si Egjipti dhe Ukraina, grupi thotë se Shqipëria është shndërruar një prej destinacioneve të tyre të preferuara.
Komente








