Drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë Marko Gjuriç sot do të vijë në Kosovë. Gjuriç, sipas mediave në Serbi do të marrë pjesë në liturgjinë e Pashkëve ortodokse që mbahet në mesnatë në manastirin e Banjskës në Zveçan.
Leja për të ardhur në Kosovë i është dhënë nga Ministria e Punëve të Jashtme. Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme Rejhan Vuniçi ka thënë se kërkesa i është aprovuar në frymën e paqes dhe mirëkuptimit me rastin e festës, shkruan 'koha.net'.
“Pa marrë parasysh që është zyrtar, ai sikurse secili pelegrin tjetër e gëzon të drejtën që të lutet në cilëndo kishë që ai dëshiron. Rregullat do t’i respektoj ngase është përballur dhe është njohur me realitetin e ri në Kosovë dhe nëpërmjet tij, me këtë realitet është njohur secili zyrtar i shtetit serb”, ka thënë Vuniçi. Gjuriç më 26 mars është arrestuar në veriun e Mitrovicës pasi kishte hyrë në Kosovë ilegalisht, sepse atij i ishte ndaluar hyrja.
Policia e Kosovës e kishte arrestuar zyrtarin serb derisa ishte në një tubim në veri të Mitrovicës dhe i njëjti pasi që është sjellë në Prishtinë është dërguar deri në kufirin në Merdar për t’ua dorëzuar autoriteteve serbe. Ky veprim ka shkaktuar indinjatë tek serbët e Kosovës gjë që ka bërë që Lista Serbe të dal nga koalicioni qeverisës.