PRAGE - Kryeministri çek, Petr Neças do të paraqesë sot dorëheqjen e tij pas arrestimit të disa zyrtarëve të lartë me akuzat për korrupsion.
“Do të paraqes dorëheqjen si kryeministër. Dua të theksoj se jam i vetëdijshëm për përgjegjësinë time politike dhe do të përballoj pasojat e saj”,-tha Neças.

Ai është përfshirë në një skandal korrupsioni dhe spiunazhi, që përfshin ndihmësen e tij të afërt, drejtuesja e kabinetit të Kryeministrisë Jana Nagyova e cila shihet si bashkëpunëtore e ngushtë e Neças.

Neças njoftoi këtë vendim pas takimit me bordin e partisë Partia Demokratike Qytetare që ai përfaqëson. Kryeministri tha se koalicioni do të përpiqet të formojë një qeveri të re, të udhëhequr nga një eksponent i partisë së tij e ODS-së. për të qeverisur deri në zgjedhjet e planifikuara për muajin qershor 2014.

Neças, edhe pse ka mohuar çdo përfshirje të tij në këtë skandal korruptiv ka marrë përsipër të gjithë përgjegjësinë politike të situatës dhe ka thënë se do të largohet edhe nga drejtimi i partisë.


Redaksia Online
(lc/by/shqiptarja.com)