GJIROKASTER-Ky tunel u ndërtua në vitet ’70 për të strehuar Byronë Politike Komuniste, që i druhej një lufte bërthamore që nuk erdhi kurrë.

Nga frika te kujtesa, ky tunel sot është kthyer në muze. Agjencia e Trashëgimisë Kulturore e ka kompletuar me dokumente, shtypin e kohës, etj.

Në brendësi të këtij tuneli-muze janë ekspozuar uniformat që u përkisnin strukturave të ndryshme, duke nisur që nga ato ushtarake e deri te pardesytë famëkeqe gri, të cilat janë të gjitha origjinale.

Nuk mungon as portreti i diktatorit Enver Hoxha, personi që ideoi dhe ndërtoi me dhjetëra bunkerë e tunele në mbarë vendin.

Koordinatorja e muzeut, Albana Ismaili, e shpjegon kështu:

“Duke qenë se ai (Enveri) ishte komandant i luftës, ne gjatë guidave brenda në tunel u flasim turistëve për periudhën e luftës dhe pas luftës, duke qenë se ai ishte strateg i luftës, gjithashtu edhe udhëheqësi i popullit shqiptar për 40 vite pas luftës. Besoj ka një pjesë të rëndësishme brenda në këtë tunel, sepse edhe vizitorët gjatë guidës shfaqin një interes të veçantë për portretin e tij, se është realizuar bukur, por edhe vetë si person, si udhëheqës i popullit shqiptar.”

E pyetur për përshtypjet e turistëve, ajo tha se “disa prej tyre janë të informuar që Gjirokastra është vendlindja e diktatorit, por u bën më tepër përshtypje paranoja ose frika që ai kishte gjatë luftës ose për luftën e supozuar me Rusinë, gjë që çoi dhe në bunkerizimin e Shqipërisë dhe në ndërtimin e këtij tuneli ku ne jemi”.

Sot, ky muze vizitohet nga turistë nga mbarë bota, të cilët njihen me historinë e objektit që ndodhet poshtë Pazarit Karakteristik, nga pas bashkisë, në zonën më të frekuentuar në Gjirokastër.

“Është një bunker mjaft i bukur. Nuk mund ta besoj të gjithë historinë rreth tij. Shumë mbresëlënëse.

Muzeun mezi po pres ta eksploroj. Dua të shoh të gjitha dhomat e tunelit apo qelitë, gjërat e ekspozuara këtu...”, shprehen turistët.

Tuneli u ndërtua në fund të viteve ’70. Brenda tij ishte parashikuar të strehohej Byroja Politike, si dhe shtabi drejtues luftarak. Ka një gjatësi prej 800 metrash dhe në brendësi të tij ndodhen 59 dhoma.