Ministri gjerman i Çështjeve Digjitale, Karsten Wildberger (CDU), është i hapur për ndalimin e mediave sociale për fëmijët në Gjermani, ngjashëm me modelin e Australisë. "Më duket shumë tërheqëse si ide. Në këtë rast unë e konsideroj çështjen e kufizimit të moshës më shumë se të justifikuar", i tha ai Agjencisë Gjermane të Shtypit dpa.
Studimet, vëzhgimet dhe prezantimet tregojnë se sa thellë ndikojnë mediat sociale në zhvillimin e të rinjve. "Pyetja tani është: si t'u mundësojmë atyre një zhvillim të shëndetshëm, ashtu siç e patën brezat e mëparshëm pa mediat sociale? Se cila është mosha e përshtatshme duhet të diskutohet e peshohet mirë", shtoi ai, duke iu referuar një komisioni ekspertësh që ka krijuar qeveria gjermane lidhur me "Mbrojtjen e Fëmijëve dhe të Rinjve në Botën Digjitale".
Ekspertët pritet të paraqesin propozime deri në verë
Komisioni i përbërë nga studjues dhe punonjës nga fusha e mjekësisë, punonjësve sociale dhe kujdestarëve të të rinjve, nisi nga puna në vjeshtë dhe pritet t'i paraqesë rekomandimet e veta deri në verë. Këto rekomandime do të lidhen ndër të tjera me kufizime të mundshme për moshën për lejimin e mediave sociale dhe çështjen shumë të diskutuar të ndalimit të telefonave celularë në shkolla.
Wildberger: "Ua kemi borxh fëmijëve”
Edhe në këtë pikë Ministri gjerman për Çështjet Digjitale është në favor të një qasje mjaft të rreptë: "Të ulesh një ose dy orë për të mësuar me vëmendje dhe të mos shpërqendrohesh është parakusht themelor për zhvillimin e fëmijëve. Prandaj, mendoj se jo vetëm që është e arsyeshme, por ua kemi borxh edhe fëmijëve që ta kenë këtë mundësi”, tha Wildberger. E domosdoshme për fëmijët është edhe koha e lirë, tha ai. Në debate të tilla është e rëndësishme të dëgjojmë ata që merren çdo ditë me këtë gjë, dhe ata janë mësuesit.
Wildberger është Ministri i parë federal i Gjermanisë për Çështjet Digjitale. Ai është gjithashtu përgjegjës për modernizimin e shtetit dhe reduktimin e burokracisë. Kancelari Friedrich Merz e mori në kabinetin e tij ish-drejtorin ekzekutiv të koncernit MediaMarkt-Saturn nga bota e biznesit.
Që nga 10 dhjetori fëmijëve dhe adoleshentëve nën 16 vjeç në Australi u është ndaluar të kenë llogaritëe tyre në shumë platforma kryesore të mediave sociale. Qeveria australiane synon të mbrojë me këtë hap të rinjtë nga ngacmimet kibernetike, konsumi problematik dhe përmbajtjet e dëmshme./DW
Komente








