TIRANE - Një ndërhyrje e beftë në parkun e ri të ish fushës së aviacionit në Tiranë ka shkaktuar irritimin e qytetarëve. Prej pak ditësh një biznes privat ka nisur montimin e pajisjeve për një kënd lojërash për fëmijë duke cënuar hapësirën e gjelbër.

Një veprim i tillë konsiderohet aspak normal prej qytetarëve që banojnë në këtë zonë ndërsa gjithçka është kryer duke shkatërruar barin dhe prerë pemët. Për kamerën e A1 Report banorët ankohen duke u shprehur se në këtë park është e nevojshme të shtohen hapësirat e gjelbërta e jo të ngushtohen ato.

Puna për ndërtimin e këtij këndi lojërash për momentin është pezulluar për shkak të pakënaqësisë së komunitetit. Gjithsesi, përfaqësuesit e biznesit privat kanë këmbëngulur se kanë marrë leje nga Bashkia e Tiranës për vendosjen e lojërave në këtë ambient.

(gh/Gre.M/Shqiptarja.com)