TIRANE- Në tre vjetorin e vrasjes së katër protestuesve të pafajshëm në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” përpara kryeministrisë, nga ana e Gardës së Republikës më 21 janar 2011, është vendosur të zhvillohet një ceremoni e thjeshtë përkujtimore. Janë ftuar të marrin pjesë familjarët e katër viktimave të kësaj tragjedie, përkatësisht Aleks Nikës, Hekuran Dedës, Faik Myrtajt dhe Ziver Veizit. Në fillim do të ketë një takim në kryeministri mes kreut të qeverisë Edi Rama me familjarët e viktimave të 21 janarit, ku do jenë prezentë dhe anëtarët e kabinetit qeveritar, si dhe deputetë të PS.

Më pas në orën 11.00 të ditës së sotme do të zhvillohet ceremonia përkujtimore në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” përballë Kryeministrisë, pikërisht aty ky tre vite më parë nga armët e Gardës së Republikës u vranë katër demonstruesit e opozitës. Bashkë me kryeministrin Edi Rama tek katër memorialet e vendosura ditë më parë do të bëjnë homazhe dhe vendosin kurora me lule familjarët e viktimave, në mënyrë të heshtur siç është bërë gjatë gjithë këtyre viteve. Ndërkohë pritet që kryeministri Edi Rama të mbajë një fjalë të shkurtër, ku pritet të vlerësojë dhe kërkojë për këtë çështje vetëm drejtësi, dhe vënien para drejtësisë të autorëve dhe urdhërdhënësve të vrasjes së këtyre katër protestuesve të pafajshëm.

Nuk është vendosur nëse do të ketë fjalë nga ana e familjarëve të viktimave, por mësohet se ndryshe nga herët e tjera nuk do ketë takim në sallën e Akademisë së Arteve. Pasi ky përvjetor i 21 janarit përkon dhe me ardhjen e PS e të majtës në pushtet. Deri më tani janë bërë disa deklarata nga ana e kryeministrit Rama për të mos hequr dorë asnjëherë nga zbardhja e vrasjeve të 21 janarit dhe vënia para përgjegjësisë të atyre që i dhanë urdhër Gardës së Republikës të qëllonte mbi turmën e demonstruesve më 21 janar të vitit 23011. Ndërkohë që drejtësia ka dhënë dënime shumë të buta për kreun e Gardës dhe ish-gardistin që qëlluan mbi turmën duke shkaktuar të vrarët, ndërsa urdhërdhënësit s’janë thirrur, qoftë dhe për të dëshmuar.
 

Shkrimi u publikua sot (21.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)