Në prani të personaliteteve të artit, kulturës dhe shkencës dhe drejtues të institucioneve të larta përfaqësuese si dhe familjarëve të të dekoruarve, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani nderoi Aleks Budën (pas vdekjes) me Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” me motivacionin: “Për punën e palodhur dhe vlerat e paçmueshme si një nga themeluesit kryesorë të institucioneve të studimit gjuhësor e historik në Shqipëri; si Kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe studiues me formim e kulturë të gjithanshme dhe për kontributin e vyer në organizimin e punës kërkimore-shkencore, sidomos në fushën e albanologjisë dhe si personalitet, i cili i dha shkencës shqiptare fryte me rëndësi themelore; Robert Shvarcin (pas vdekjes) me Dekoratën “Nderi i Kombit” me motivacionin: “Poetit të lindur dhe përkthyesit plot gjallëri e integritet njerëzor, në shenjë mirënjohjeje për shqipërimin e kryeveprave letrare të autorëve gjermanë kryesisht të “brezit të humbur”, të cilat i solli aq besnikërisht tek lexuesit e të gjithë brezave, si dhe për njohjen e lexuesve gjermanë me disa nga autorët më të shquar bashkëkohorë shqiptarë”; Tonin Harapin (pas vdekjes) me Dekoratën “Nderi i Kombit” me motivacionin: “Për kontributin e tij të shquar artistik, si kompozitor romantik, me spektër të gjerë krijues në të gjitha format dhe gjinitë muzikore, që nga kënga e deri te muzika koncertore, simfonike dhe operistike, me vepra madhore, që kanë lënë gjurmë në artin shqiptar muzikor, si autor i repertorit aktiv pedagogjik e koncertor shqiptar dhe si pedagog me karrierë të gjatë në kultivimin e brezave pasardhës”; Petro Zhejin (pas vdekjes) me Dekoratën “Nderi i Kombit”, me motivacionin: “Në vlerësim të kontributit dhe veprimtarisë së çmuar si shkencëtar i mirëfilltë, gjuhëtar i pasionuar dhe përkthyes elitar, që u përcolli dhe i njohu lexuesit e etur shqiptarë me kryevepra të letërsisë botërore, të shqipëruara ngaherë me përkushtim dhe me një mjeshtri të rrallë”; Refik Resmjen (pas vdekjes) me Dekoratën “Nderi i Kombit” me motivacionin:“ Për kontributin e tij të shquar si futbollist dhe golashënues i paarritshëm i këtij sporti në Shqipëri, për rolin e tij si lojtar i shkëlqyer i shumë skuadrave kryeqytetase dhe i Kombëtares shqiptare të futbollit në shumë kampionate, por edhe për figurën e tij të njohur e të suksesshme si trajner”.
Gjithashtu në këtë ceremoni nderimi, Kreu i Shtetit shqiptar vlerësoi Pjetër Gacin (pas vdekjes) me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” me motivacionin: “Për kontributin e tij të shquar artistik e pedagogjik, si kompozitor dhe violinist, autor i koncertit të parë instrumental shqiptar dh i shumë veprave të suksesshme violinistike, orkestrale, vokalo-orkestrale, vokale dhe skenike, që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në artin shqiptar muzikor, duke mbetur shembull për brezat pasardhës”, Peçi Dadon (pas vdekjes) me Titulli “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”me motivacionin:“Në vlerësim të veprimtarisë së tij të pasur si gazetar dhe skenarist duke u dalluar për trajtim të thelluar dhe elegant të veprave, pasuri të formave shprehëse dhe kulturë të pasur skenike dhe kinematografike, por dhe për rolin e çmuar si krijues i shumë filmave të paharrueshme artistikë”, Asllan Rusin (pas vdekjes) me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” me motivacionin:“Sportistit të mirënjohur me talent të padiskutueshëm, që lartësoi dhe nderoi me lojën dhe rezultatet e tij për shumë vite me radhë ekipin “Dinamo”dhe Kombëtaren shqiptare të volejbollit në arenën evropiane, duke arritur suksese dhe maja të panjohura më parë të niveleve ndërkombëtare”.
Presidenti Nishani vlerësoi Sefedin Agollin (pas vdekjes) me Titullin “Mjeshtër i madh” me motivacionin: “Për krijimtarinë e tij të spikatur si një ndër piktorët më të veçantë psikologjikë të artit bashkëkohor shqiptar, sidomos të peizazhit; për kontributin e dhënë si autor veprash të vlerësuara kombëtarisht, ku mbizotëron frymë e lirisë dhe atdhedashurisë”. Vangjush Furxhiun (pas vdekjes) me Titullin “Mjeshtër i madh” me motivacionin: “Për realizimin mjeshtëror të roleve të ndryshme në karrierën e tij artistike, duke shfaqur vërtetësi në mishërimin e karaktereve, si dhe për kontributin e tij të gjatë e të çmuar si pedagog dhe përgjegjës i Katedrës së regjisurës në Institutin e Lartë të Arteve”.
Në fjalën përshëndetëse në këtë ceremonial Kreu i Shtetit shqiptar theksoi se në vazhdën e traditës in memoriam, për vlerësimin dhe nderimin e figurave, të cilët i kanë lartësuar emrin Shqipërisë dhe popullit tonë “dëshiroj të shpreh edhe mirënjohjen personale, por mbi të gjitha institucionale, për veprimtarinë dhe modelet frymëzuese që këto personalitete, me punën dhe përkushtimin e tyre altruist kanë dhënë gjatë gjithë jetës së tyre, pa kërkuar kurrë ndonjë përfitim material si shkëmbim”.
“Në ditët e sotme, përveç problemeve të ndryshme jetike, plagëve të shumta shoqërore, kam vënë re se shoqëria jonë, por veçanërisht brezi i ri vuan apo ndjen nevojën për shembuj pozitivë, për njerëz nga të cilët të frymëzohet, për heronj të heshtur. Kjo do të na shërbente në shumë drejtime: Së pari për konsolidimin dhe ruajtjen e vlerave tona si popull. Së dyti për pasurimin e mëtejshëm shpirtëror dhe kulturor të trashëgimisë sonë historike. Së treti, dhe mbi të gjitha, për përsosjen e mëtejshme të shoqërisë së shqiptare, në të gjitha drejtimet.” - u shpreh Presidenti Nishani.
“Në kohën e errët të diktaturës komuniste, shqiptarët e thjeshtë vuanin, veç të tjerash, mungesën e plotë të lirisë për t’u shprehur, për të vepruar, për të lexuar ato libra që duheshin, për të dëgjuar atë muzikë që ua kishte qejfi, për të ndjekur ato sporte që ua ndjente zemra, me një fjalë për gjithçka që i bënte të ndiheshin njerëz të vërtetë, njësoj si ata që jetonin matanë kufirit tokësor apo edhe përballë, në bregun tjetër të Deteve ‘Adriatik’ e ‘Jon’. I vetmi ushqim shpirtëror, e vetmja mënyrë për t’u çliruar sadopak nga prangat e mendjes, që diktatura na i kishte shtrënguar në mënyrë të pashpirt ishte sporti, arti, letërsia, kultura, por mbi të gjitha ishte marrëdhënia e vërtetë njerëzore, qoftë me një sportist, qoftë me një mjek, shkencëtar, gjuhëtar, aktor, poet, shkrimtar, përkthyes, piktor apo skulptor apo edhe një mësues i thjeshtë, të cilët dinin gjithmonë jo vetëm të bënin punën e tyre, por të silleshin si profesionistë të vërtetë.” – risolli në vëmendjen e të pranishmëve ngjarje të së kaluarës sonë, Kreu i Shtetit.
“Kombet e qytetëruara anembanë botës janë mbështetur ngaherë tek elitat e tyre dhe Shqipëria jonë e vogël, ka pasur gjithmonë njerëz elitarë, të shkolluar në Perëndim, në Lindje apo edhe këtu, madje edhe të vetëshkolluar në raste të rralla, por të cilët mbi të gjitha janë shquar e kanë spikatur për aftësitë e tyre të rralla profesionale, për punën vetëmohuese dhe talentet që ua ka falur dhe përsosur Zoti, familjet dhe jeta me sfidat dhe tallazet e veta të paparashikueshme. Arritjet e mbarë atyre njerëzve shtatmesmë apo edhe shtatshkurtër, por që qëndrojnë shtatlartë në saje të veprave të tyre të qëndisura e të qëmtuara përgjatë dekadave, i përkasin në radhë të parë gjithë kombit tonë, e më pas edhe vetë autorëve, krijuesve dhe familjeve apo edhe trashëgimtarëve të tyre legjitimë. Fundja fundit, një njeri i ndritur çfarë lë pas në këtë jetë kur ndahet prej kësaj bote: vetëm emrin dhe veprën e patjetërsueshme nga askush! Në botën e amshuar nuk merren dot me vete pronat, pasuritë, pallatet, makinat, llogaritë bankare! Në atë botë peshohen mirë e mirë vetëm bëmat dhe vlerat njerëzore” – vuri në dukje Presidenti Nishani.
“Ndërsa ne, të tjerët, qytetarët e thjeshtë apo edhe me poste, shumë kemi mundësinë të shijojmë, vlerësojmë dhe përcjellim brez pas brezi trashëgiminë e vyer të atyre mjeshtrave të palodhur në zanatet e veta. Ata na kanë ushqyer shpirtërisht, na kanë mjekuar fizikisht, na kanë dhënë shpresë dhe frymëzim gjatë dekadave të errëta të mbijetesës sonë nën diktaturë, por edhe sot e kësaj dite na shërbejnë si shoqëri. Na shërbejnë jo vetëm për t’i kujtuar, jo vetëm për t’i nderuar e vlerësuar, por edhe për të vazhduar të frymëzohemi nga shembujt e tyre. Ashtu siç ka thënë e pakrahasueshmja Nënë Terezë: ‘Bëni vepra të vogla, por me dashuri të madhe’, edhe ne, bijtë e sotëm të shqipeve, do të vazhdojmë traditën e të parëve” – vijoi me tej Kreu i Shtetit.
“Secila nga këto figura të shquara meriton një vend të veçantë në panteonin e shkencës, artit, kulturës, sportit shqiptar. Sonte me përunjësi dhe nën frymën e detyrimeve të mia kushtetuese si Kryetar i Shtetit, por edhe si një qytetar i këtij vendi të bekuar, kam privilegjin t’i nderoj e t’i vlerësoj edhe institucionalisht, duke qenë i bindur se këtë mendim dhe vlerësim e ndajnë të gjithë bashkatdhetarët e mi shqiptarët, kudo ku jetojnë dhe punojnë. Të gjithë këta shqiptarë të ndritur kanë diçka të përbashkët: pavarësisht se ku kanë lindur, janë rritur, kanë jetuar apo mbyllur sytë, pavarësisht se ku kanë studiuar nëpër kryeqytete të ndryshme, na kanë dhuruar mbresa dhe emocione të pashlyeshme, duke u bërë pararendësit e aspiratës sonë evropiane dhe duke e renditur artin, kulturën, shkencën, dijen dhe sportin tonë kombëtar me plot meritë dhe pas asnjë lloj inferioriteti në radhët më përparimtare të kontinentit tonë të vjetër. Shkrimtari ynë i madh, Ismail Kadare dikur ka thënë: ‘Njeriu në jetë ka nevojë për një filxhan shkencë, një shishe kujdes, dhe një oqean durim.’ E pra, këta njerëz të rrallë, ia dolën mbanë në saje të talentit, pasionit, këmbënguljes së tyre, por edhe falë përkujdesjes dhe durimit të pashtershëm të njerëzve të tyre të dashur, të bashkëshorteve, fëmijëve, miqve, prandaj një mirënjohje e veçantë ju takon edhe juve sonte” – u shpreh në mbyllje të fjalës së Tij, Presidenti Nishani.
Redaksia Online
Shqiptarja.com