Takimi i zhvilluar në ambientet e Interklubit të portit në Durrës u shoqërua me debate dhe tone të tensionuara nga përfaqësuesit e sektorit të peshkimit.

Mbledhja ishte organizuar nga Drejtoria e Përgjithshme Detare, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të flotës së peshkimit dhe institucioneve përgjegjëse për licencimin, monitorimin dhe kontrollin e mjeteve lundruese, në kuadër të procesit për rinovimin e certifikatës së regjistrimit të anijeve.

Për peshkatarët, kjo certifikatë me vlefshmëri 5-vjeçare shihet si një tjetër kosto financiare në një kohë kur shumica e anijeve nuk po dalin në det dhe sektori po përballet me një krizë të rëndë.

Përgjegjësi i Kontrollit Shtetëror të Flamurit pranë Drejtorisë së Përgjithshme Detare, Ermal Tushaj, paraqiti disa nga problematikat e evidentuara në mjetet lundruese. Sipas DPD-së, këto problematika e bëjnë të domosdoshëm rinovimin e certifikatës së regjistrimit çdo pesë vite përmes procedurës online në e-Albania.

Pasi ky proces hasi kundërshtime nga përfaqësuesit e flotës së peshkimit, drejtori i Flamurit dhe Sigurisë pranë DPD-së, Muharrem Trupja, u kërkoi të pranishmëve që shqetësimet dhe kërkesat e tyre t’i paraqesin në mënyrë elektronike.

Prej disa muajsh, flota e peshkimit në Durrës po përballet me vështirësi të shumta, të ndikuara edhe nga rritja e çmimit të naftës dhe mungesa e subvencioneve shtetërore. Për pronarët e peshkarexhave, çdo kosto shtesë financiare shihet si një tjetër goditje që mund t’i çojë drejt ndërprerjes së aktivitetit.