Nga Foltorja e Kuvendit, Sali Berisha sulmoi qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama. Sipas tij, Belinda Balluku dhe Edi Rama dolën “zbuluar” me mesazhet e Evis Berberit për çështjen e tunelit të Llogarasë.

“Ky parlament ngjet sot me parlamentin fals, me parlamentin kallp. Një njeri ka marrë çdo pushtet në të cilin një njeri arrin të bllokojë vendimet e gjykatave, prokurorisë për vjedhjet monstruoze ndaj qytetarëve. Në të cilin një njeri arrin të ushtrojë një presion të tmerrshëm të gjithanshëm, banditesk mbi Gjykatën Kushtetuese. Në të cilin një njeri ka vendosur me vendim të fshehtë të gjitha shpenzimet e tij. Kjo praktikë ka ekzistuar vetëm në diktaturën komuniste, kur për Enver Hoxhën, për arsye të sigurisë kombëtare, por jo për Mehmetin, por vetëm për Enverin, shpenzimet ishin në një llogari të veçantë ku përveç Nexhmijes, askush nuk mund t’i kontrollonte. Ky është parlamenti që mblidhet në ditët e krizës më të thellë, e akteve më antidemokratike, në një kohë kur një ministre është zbërthyer me të gjithë qenien e saj nga mesazhet, fotot, dokumentet etj, etj, të gjetura në telefonat e Evis Berberit. Në një kohë që një kryeministër është i kapur në çark si miu në telefonat, me mesazhet në telefonat e Evis Berberit. Në një kohë që vërtetohet se oferta 140 milionë euro për ndërtimin e tunelit të Llogarasë u zëvendësua me ofertën 190 milionë euro të kompanisë turke pas udhëtimit në Ankara të Edi Ramës me atë që quhet Lubi Balluku. Në një kohë që vërtetohet nga Banka Botërore se 90 përqind e të gjitha fondeve të investimeve vidhen, vidhen, vidhen dhe nuk gjinden.", tha Berisha. 

Më tej, ai shtoi se Gjykata Kushtetuese është në presion të tmerrshëm nga deklaratat e Ramës për çështjen Balluku.

“Përballë këtyre vjedhjeve, shkatërrimit të madh të materies kombëtare, rrënimit të ekonomisë. E morët vesh që u kthyem ku ishim për herë të parë në 32 vite, ekonomia mbahet nga kontributi i shtetit. Ekonomia kontribuon vetëm 49% të rritjes ekonomike se është në rënie të lirë se vjedhjet e droga po e shkatërrojnë. Tani forca e ekzekutivit kundër pezullimit kur ajo duhet të ishte prej kohësh e arrestuar se po prishin provat ditë e datë, po zhdukin dokumentet. Ka administruar 12 mld euro, ku 10.3 mld janë zhdukur pa gjurmë, pa fund nam e nishan. Shihni rrugën e Qafë Plloçësh. Shkoni në rrugën e Ersekës, rrugën e Arbrit. Para të gjitha këtyre gjykata Kushtetuese në presion të tmerrshëm në vend që të hedhë poshtë shqyrtimin siç hodhi atë të 30 deputetëve. Nuk legjitimoi duke shkelur kushtetutën, nuk hedh poshtë shqyrtimin e një mase të ligjshme në Evropë e kudo. Tani Edi Rama, unë kam thënë shumë gjëra për ju, por jo atë që ka thënë Edi Rama. Ai është dhe jo unë, ka thënë që PS është bordello. Unë se kam thënë kurrë këtë, s’e kam këtë koncept. Por për të parë se kush është bordello i vërtetë shkoni te SKAP-i i partisë dhe shihni dokumentet. Atje do të mësoni se kush është bordello e vërtetë.


Lajmi kryesor:

Debate në Kuvend për Ballukun! Rrëzohet kërkesa e PD për interpelancë me Ramën: Po i bën presion drejtësisë! PS: Çështja në Kushtetuese