Çështja e investimit në Zvërnec, u bë shkak për debatin mes kreut të grupit të PS Taulant Balla dhe deputetit Agron Shehaj. Ky i fundit po akuzonte qeverinë për korrupsion e shitje të Shqipërisë, ndërsa Balla iu përgjigj duke thënë se zhurma që bën Shehaj s’ka lidhje me protestën, por me djalin e xhaxhait të tij.

Agron Shehaj tha Balla, ka pronë në Zvërnec, madje e sfidoi duke i thënë që të shkonin e në Vlorë për të vërtetuar ato çka vetë tha në Parlament.

“Që ta dini të gjithë këtu, ky Agron Shehaj që bërtet s’ka lidhje fare me protestën, ka hallin e djalit të xhaxhait. Ky bërtet për pronat. E di gjithë Vlora sa hektarë tokë ka Agim Shehaj. Unë të sfidoj, dalim nga salla dhe ikim në Vlorë”, tha Balla.

Pas akuzave nga ana e Shehajt, Taulant Balla i kujtoi dhe vjedhjen e listave të anëtarësisë së PD si dhe shumën e paguar Lulzim Bashës për ta bërë pjesë në grup.

“Ti je hajdut! I vodhe PD listën e anëtarësisë. T’i tërhiqet vëmendja një zhurmuesi, protesta s’ka asnjë lidhje me ty. I shkon televizioneve dhe i thua sa lekë do të më nxjerrësh mua në prime time? Ti je hajdut të dhënash personale, gjobaxhi dhe i dënuar për vjedhje të dhënash personale! Ktheji PD listën e të dhënave personale që i ke vjedhur sepse sot ka një lajm të mirë, Luli mund të bëhet i penduar dhe të tregojë sa lekë e ke paguar ti që të të fuste në listë”, i tha Balla.

Fjala e Ballës gjatë replikave me kryetarin e Partisë Mundësia, Agron Shehaj:

Kryetar, pa merak se shantazhin e këtij unë as nuk e marr në konsideratë, ia kam thënë para një jave...

Po ta përsëris: ti je një hajdut!

I vodhe Partisë Demokratike listën e anëtarësisë!

Listën e anëtarësisë!

Dole, dole!

Zoti Kryetar, ju lutem, mund t'i tërhiqet vëmendja një zhurmuesi i cili shkon dhe bën selfie në protestë; protesta s'ka asnjë lidhje me ty, sepse, sepse protesta lindi si një reagim për një projekt. Ti je mësuar që në çdo projekt që bëhet në Shqipëri, shkon natën dhe i thua investitorit: "Më sponsorizo që të të mos përmend emrin", i shkon televizioneve edhe i thua televizioneve sa lekë do të më nxjerrësh mua në prime time; ti je një hajdut të dhënash personale, ti je një gjobaxhi! Dhe je një person i dënuar për vjedhje të dhënash personale, je nën hetim për vjedhje të tjera të dhënash personale; ktheji Partisë Demokratike listën, ktheji Partisë Demokratike listën e të dhënave personale që i ke vjedhur, sepse sot ka një lajm të mirë: Luli mund të bëhet i penduar edhe mund të tregojë se sa e pagove ti që të futi ty në listë. Kaq!

Replika 2

Pavresisht se ma përmendi emrin Porta Borsa, do t'i përgjigjem "mbajtësit të çantës", sepse mendoj që, mendoj që, e para, sa i përket agjencisë më të madhe në botë të lajmeve Reuters, kam komunikuar, komunikoj çdo ditë me drejtuesin e zyrës së Reuters në Tiranë, më ka shkruar vetë, i kam shkruar, nuk kam në vlerësimin tim... e drejta e fjalës është një e drejtë e pakushtuzuar. Në vlerësimin tim, në rastin në fjalë, i kam thënë: "Spostoje pak planin mos e mbaj një vend, është gjë shumë e thjeshtë."

Tani për "mbajtësin e çantës", jo për "çantën". Tani që ta dini të gjithë këtu, ky Agron Shehaj që bërtet, ky ka hall tjetër, s'ka lidhje fare me protestën. Ky s'ka lidhje fare me protestën. Halli i tij është djali i xhaxhait, Agim Shehaj, i cili është një ndër personat që ka manipuluar pronat atje, që është hetim. Ky bërtet për pronat e djalit të xhaxhait, s'ka lidhje fare ky me... S'ka. E di gjithë Vlora, e di gjithë Vlora se sa, sa hektarë tokë, sa hektarë tokë ka Agim Shehaj. Unë të sfidoj: ikim tani të dy, dalim nga salla dhe shkojmë në Vlorë dhe sqarojmë Vlorën për problemet që ke ti dhe Agim Shehaj. Ty, këta këtu... O Agron, o Agron, pusho ti Porta Borsa, o Agron, këta këtu, këta këtu të besuan vetëm regjistrin e partisë, edhe atë ua vodhën. Imagjino, vetëm regjistrin e partisë. Ma ka thënë Luli, se tani do i tregojmë të vërtetat. Kështu më tha Luli: "Ja besova atij L, se nuk e them dot se s'ma le etika parlamentare."

Ktheja regjistrin e anëtarëve të Partisë Demokratike. S'ka replikë me replikën time, mësoje dhe ti se u bëre 6 muaj këtu.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:22
Resorti në Zvërnec, Bido pyet Shehajn: Çfarë të falash të bëri Artur Shehu që s’ia përmende emrin?

Deputeti socialist Ardit Bido mori fjalën për t’iu përgjigjur pretendimeve të Agron Shehajt se reagimi i parë për Zvërnecin ka qenë prej partisë së tij. Ajo që i kujtoi Bido Shehajt ishin “të falat e Artur Shehut”, “të fortit” të Vlorës në vitet ’90 që sipas mediave, ka përfituar nga pushteti i PD duke u bërë pronar tokash në jug. Deputeti socialist e pyeti Shehajn cila ishte arsyeja “pas të falave” kur ai s’e ka përmendur Shehun.

“Erdhi çasti të heqim pak maskat. Partia Oportunizmi nuk deklaroi më 30 maj në momentin që doli videoja, asgjë. Vetëm pas reagimit të Ministrisë së Brendshme, ku unë jam një ndër deputetët e PS që i bën thirrje Ministrisë së Brendshme, u kujtuat të bënit një deklaratë.

Kam një pyetje... Ulaj... këtu, pse s’keni përmendur një emër? Unë kam këllqe. Kam dalë këtu dhe kam thënë ka 3 pretendentë për pronarët, kam thënë dhe mendimin tim që prona u takon fiseve Balliu dhe Moçka. Ti s’ke përmendur askënd. E vetmja gjë që ke bërë është që dole pas ca ditësh dhe u viktimizove se të bëri të fala Artur Shehu. Të bëri të fala, ti s’kishe reaguar ndaj tij, çfarë lloj të falash të bëri? Të bëri të fala që s’i ke përmendur emrin? Të bëri të fala se je falsitet? S’po i futem fare si je pasuruar. As që më 30 maj ke qenë në vilën tënde luksoze jashtë shtetit atje ku ke marrë paratë nga Shqipëria në Itali a Irlandë”, tha Bido.