CEZ, Basha hetim Berishës
Metës dhe Bodes për akuzat

CEZ, Basha hetim Berishës<br />Metës dhe Bodes për akuzat
TIRANE- Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, përmes projektligjit të paraqitur në Kuvend kërkon hetimin e gjithë zyrtarëve të lartë të përfshirë në akuzat e ngritura për çështjen e CEZ. Të akuzuar nga të gjitha palët janë ish-kryeministri Berisha, ish-ministri i financave Bode dhe kreu i Kuvendit Meta.

Berisha zgjodhi më 2009 kompaninë CEZ dhe si kompensim kërkoi nga kryeministri çek mbështetje për marrjen e statusit bë BE, në prag të zgjedhjeve parlamentare. Më 2012 favorizoi CEZ me uljen e çmimit të energjisë, madje me efekt prapaveprues, si dhe pagesat e energjisë së komunave e bashkive, duke ua marrë këtë fond dhe dhënë kompanisë çeke.
 
Demokratët dorëzuan në Kuvend projektin që parashikon dhe hetimin e abuzimet me CEZ të zyrtarëve të lartë, që përfshihen në akuzat e ngritura mbi këtë çështje. Kërcënohen Berisha, Bode e Meta...?
PD ka dorëzuar në Kuvend projektligjin që i hap rrugë hetimit nga ndërkombëtarët të të gjithë zyrtarëve të përfshirë në skandalin me CEZ. Projektligji i PD parashikon dhe hetim të zyrtarëve të lartë përfshirë këtu Kryeministrin, ministra e kreun e Kuvendit.

Por ajo që bie në sy në draftin e paraqitur nga PD është fakti se kërkon hetim të gjithë zyrtarëve të lartë të përfshirë në akuzat publike të ngritura mbi çështjen e CEZ-it. “Hetimin mbi ligjshmërinë e veprimeve apo mosveprimeve të funksionarëve publik apo personave privatë, gjatë marrëdhënies midis shoqërisë “Debt International Advisory, DIA” dhe shoqërisë “CEZ SHPËRNDARJE”, si dhe akuzave të bëra publike për veprime korruptive”, thuhet në nenin 2 pika dy të draftit të PD-së.

Pra opozita s’përjashton askënd nga ky hetim. Dhe të akuzuar për CEZ janë që nga ish-kryeministri Sali Berisha që, për favor politik bëri kontratën me CEZ më 2009, uli çmimin e energjisë për CEZ, si dhe bëri privilegje të tjera për të. Këtë ulje e bëri përmes ish-ministrit të Financave Bode.

Por kryetari i PD Basha ndërsa përshëndeti qëndrimin e kreut të Kuvendit Meta për këtë çështje, pavarësisht se e ka akuzuar për lidhje me aferat e mbledhjes së borxheve, kërkoi që nga fjalët të kalojë në vepra e të kalojë në seancë nismën e demokratëve.
 
Cilat janë akuzat konkrete për Berishën dhe Boden...?
Ish­ministri i Financave Bode tha se vendimi për uljen e çmimit të shitjes së energjisë nga KESH te CEZ, nuk u zbatua asnjëherë, por deputeti i PS Braçe ka publikuar faksimilet, ku thotë se ky vendim është zbatuar 5 muaj me radhë. Sipas këtyre dokumenteve në këto 5 muaj CEZ­it i janë falur 35 milion euro. “Berisha e Bode i falën CEZ 35 milion euro. Shqiptarët e meritojnë që këto para të rikthehen.

Këto janë prova Sali, Lulzim, Ridvan, ku ulët çmimin e energjisë për CEZ me 35 milion euro”, tha Braçe teksa publikon faturat sipas me të cilat KESH ka faturuar energjinë për CEZ në janar, shkurt, mars, prill e maj 2012. Sipas tij, vendimi është marrë në muajin korrik të 2012. Ndërsa për efekt të CEZ është zbatuar që në muajin janar, dhe në shkurt, mars, prill dhe maj, pra vendimi i muajit korrik i ERE ka pasur efekt prapaveprues.
 
Po çfarë thoshte konkretisht vendimi i ERE që uli çmimin...?
Në dhjetor 2009, ERE vendosi që tarifa e furnizuesit publik me shumicë të energjisë elektrike për periudhën 1-31 dhjetor 2010 është 2.03 leke për kvh. Në dhjetor 2010, ERE vendosi që tarifa e furnizuesit publik me shumicë të energjisë për periudhën 1-31 dhjetor 2011 është 1.48 lekë për kvh. Ulja e çmimit në dëm të KESH dhe buxhetit të shtetit është 0.55 lekë për kvh. Në dhjetor 2011 ERE vendosi që tarifa për periudhën 2012-2014 është 2.83 lekë për kvh.

Pasi kishte hyrë në fuqi ky çmim, në korrik 2012 ERE vendos që tarifa është 2.2 lekë për kvh. Madje, me fuqi prapavepruese, qershor me fuqi nga janari 2012, duke detyruar KESH të ktheje pas para për kompaninë CEZ. Ulja e çmimit në dëm të KESH dhe buxhetit të shtetit është 0.63 lekë për kvh.
 
Ndërkohë Berisha pagoi me urgjencë nga buxheti i shtetit 13 milionë USD kopanisë CEZ. Çfarë përmbante akti normativ?
Berisha ka favorizuar në kurriz të pushtetit vendor për të paguar CEZ. Kështu Ministria e Financave gjeti një rrugë të shkurtër për të likuiduar faturat e papaguara të energjisë elektrike ndaj CEZ, duke ndërhyrë në buxhetin e njësive vendore, me anë të aktit normativ që u miratua me urgjencë. Ishin rreth 1.3 miliardë lekë (13 milionë USD) që iu hoqën bashkive e komunave nga zëri i granteve të pakushtëzuara, për llogari të CEZ-it. Akti normativ prekte tre nene të ligjit për buxhetin e shtetit 2012.

Në nenin 15 kërkohej ndryshimi i buxheteve për bashkitë e komunat duke u zbritur shumat për llogari të kompanisë CEZ. Sipas vendimit, këto fonde shkonin si kompensim për ujin e pijshëm, që do thotë për faturat e energjisë elektrike që ujësjellësit, në varësi të njësive vendore kanë si detyrim ndaj CEZ-it. Vendimi erdhi në një moment të vështirë për kompaninë CEZ që ndodhej nën presionin e borxheve të mëdha, por dhe gjobave. 


Braçe: Ligji i PD amniston CEZ-in dhe familjarët e Berishës
 
Për deputetin e Partisë Socialiste, Erion Braçe projektligji i PD për hetimin e akuzave në adresë të kreut të Kuvendit, Ilir Meta, e varros aferën CEZ. Nga Facebook-u, Braçe thekson se projektligji është amnisti për CEZ­in dhe familjarët dhe zyrtarët e ish­kryeministrit Berisha, ndërsa gjithashtu, është edhe i keqformuluar.

“Ligji 2B për “hetim ndërkombëtar” nuk zbardh, por varros “aferën CEZ”. Është amnisti për rrjetin e kompanive CEZ dhe familjarë e zyrtarë të Berishës të përfshirë në lobim, vendimmarrje e përfitim në marrëdhënie me CEZ. Nuk ka CEZ, por ka “CEZ Shpërndarje”, ka “CEZ Albania”, ka “Cez Trade”, ka “CEZ Service”; cilën nga këto do hetojë PD ndërkombëtarisht?”. Deputeti i PS paralajmëroi votën kundër pr/ligjit.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 29 Shtator 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)  

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se protestat mund ta forcojnë pozicion politik të PD-së?



×

Lajmi i fundit

Champions League/ Juventus monumental, me dhjetë lojtarë përmbys 2-3 Leipzig! Lille mposht Real Madridin, Aston Villa fiton me Bayern! Shënon Gjimshiti, tri pikë Liverpool

Champions League/ Juventus monumental, me dhjetë lojtarë përmbys 2-3 Leipzig! Lille mposht Real Madridin, Aston Villa fiton me Bayern! Shënon Gjimshiti, tri pikë Liverpool