CEZ, Basha: Ilir Meta të hetohet 
 si ish-ministër i Sali Berishës

CEZ, Basha: Ilir Meta të hetohet <br /> si ish-ministër i Sali Berishës
TIRANE- Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi dje pas takimit me ambasadorin amerikan në Tiranë, Donald Lu se dorëheqjen e Ilir Metës e kërkon për akuzat ndaj tij kur ka qenë ministër i qeverisë “Berisha”. Duke iu përgjigjur deklaratës së 3 ditëve më parë të Metës i cili u shpreh se Basha është i vetmi lider opozite në botë që nuk kërkon dorëheqjen e kryeministrit, por atë të kryetarit të Kuvendit, kreu i PD sqaroi se kërkesa e tij nuk lidhet me pozicionin e kryetarit të Kuvendit, por atë të ish-ministrit.

“Unë nuk kam kërkuar dorëheqjen e Ilir Metës si kryetar Kuvendi, ndonëse ai është një shkelës serial i Kushtetutës siç e ka konfirmuar edhe Gjykata Kushtetuese, ku parlamenti i drejtuar prej tij, në disa raste ka dhunuar rregulloren dhe Kushtetutën e vendit, ka dhunuar të drejtat e opozitës, për të cilat nuk mund të rrahë gjoksin. Unë e kam kërkuar dhe e kërkoj dorëheqjen e Ilir Metës për akuzat që i janë bërë për kohën që ishte zv/kryeministër dhe Ministër i Jashtëm, si personi që ka lobuar, që qëndron prapa kompanisë DIA dhe marrjes së 135 milionë euro të shqiptarëve nga kjo kompani.

Dhe këto janë akuza që nuk i kam bërë publike unë, por i kanë bërë publike avokatët e qeverisë, avokatët e ortakut të tij, të cilin nuk ka pse ta kërkojë prapa pemëve në oborrin e selisë së Partisë Demokratike, sepse e ka në krah”, u shpreh Basha. Gjithashtu, kreu i PD i kërkoi publikisht kryeparlamentarit Meta, që ta konfirmojë gatishmërinë e tij për hetim lidhur me çështjen CEZ duke futur që të enjten në Kuvend për votim, projektligjin e PD-së për nisjen e hetimit nga ndërkombëtarët.

“Dua të përshëndes gatishmërinë e kryeparlamentarit për të mbështetur këtë iniciativë ligjore në Parlament dhe t’i kërkoj që këtë mbështetje me fjalë, ta kthejë në një veprim të menjëhershëm, duke thirrur që sot konferencën e kryetarëve, duke e futur ligjin që sapo kemi depozituar për shqyrtim këtë të enjte në Parlament”, tha Basha.
 
Takimi me Lu
Duke iu referuar takimit me ambasadorin amerikan, Donald Lu, kreu i PD, Lulzim Basha theksoi se objekt i bisedës ishte dekriminalizimi dhe hetimi i akuzave për korrupsion lidhur me aferën CEZ-DIA, ku PD kërkon edhe asistencën e SHBA. Sipas tij, SHBA i jep mbështetje jetike procesit të dekriminalizmit dhe luftës antikorrupsion. “Me ndihmën e partnerëve tanë ndërkombëtarë do ta fitojmë këtë betejë për ligjin e dekriminalimit; nuk ka dyshim se në Kuvend ka kundërshtarë të këtij ligji”, tha ai.

Lu takon Majkon, para vizitës së Metës në SHBA
Ambasadori amerikan, Donald Lu ka nisur dje turin e takimeve me deputetin socialist, ish-Kryeministrin Pandeli Majko. Ky i fundit drejton grupin parlamentar të miqësisë Shqipëri-Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Takimi rreth një orësh është zhvilluar në zyrën e Majkos në ambientet e Kryesisë së Kuvendit. Aktualiteti politik mësohet se ka qenë pjesë e takimit, që vjen pak ditë para vizitës që kryeparlamentari Meta do të bëjë në Shtetet e Bashkuara, ku do të shoqërohet edhe nga disa deputetë shqiptarë. Vetëm pak muaj më parë ndryshuan emrat e deputetëve të cilët ishin pjesë e grupit të Miqësisë Shqipëri-SHBA.

Ndërkohë që pak ditë më parë Meta tha se shumë shpejt do të jetë për një vizitë në SHBA. Pas takimit të zhvilluar me Majkon, ambasadori Lu i është drejtuar selisë së Partisë Demokratike. Ku për rreth një orë ka zhvilluar takim me krerët e PD-së. Megjithatë Lu nuk ka pranuar të japë komente mbi takimet që ka zhvilluar. Ndërsa nga selia e PD-së është nënvizuar rëndësia e dekriminalizimit si dhe e projektit për hetimin e aferave të CEZ.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 29 Shtator 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)  

 

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se protestat mund ta forcojnë pozicion politik të PD-së?



×

Lajmi i fundit

Champions League/ Juventus monumental, me dhjetë lojtarë përmbys 2-3 Leipzig! Lille mposht Real Madridin, Aston Villa fiton me Bayern! Shënon Gjimshiti, tri pikë Liverpool

Champions League/ Juventus monumental, me dhjetë lojtarë përmbys 2-3 Leipzig! Lille mposht Real Madridin, Aston Villa fiton me Bayern! Shënon Gjimshiti, tri pikë Liverpool