Zbardhet dëshmia e Naim Murselit në gjykatë, s'pranon krimin: Kam qenë edhe vetë i rrezikuar

 

Naim Murseli dhe Liridona Ademaj

Naim Murseli i cili dyshohet për vrasjes të bashkëshortes së tij Liridona Ademajt, ka mohuar veprën në seancën e parë dëgjimore ndaj tij të mbajtur në Gjykatën Themelore të Prishtinës, dhe me avokatin mbrojtës të tij kanë mohuar cilësimet në dosjen e prokurorisë ndaj tij, për“vendin, kohën dhe mënyrën siç përshkruhet” në dyshimet ndaj tij.

Gazeta Express ka raportuar se Murseli në seancë të parë ka thënë se “unë nuk kam ikur nga vendi i ngjarjes, madje kam qenë vetë i rrezikuar dhe kam kërkuar ndihmë në të njëjtën kohë deri në ardhjen e policisë”.

Avokati i tij, Ahmet Ameti, është shprehur se Naim Murseli “nuk është fare i involvuar në kryerjen e këtyre veprave penale dhe nuk ka arsyje të përsëris veprën penale se nuk e ka bë”.

Avokati gjithashtu në seancën e parë dëgjimore ka kërkuar nga gjykata që të mos aprovojnë kërkesën për paraburgimit ose të caktojë ndonjë masë tjetër.

Gjykata Themelore ndërkaq u ka vendosur masën e paraburgimit prej 30 ditësh të dyshuarve Naim Murseli, dorasit Granit Plava si dhe Kushtrim Kokallës si të dyshuar të tretë në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.

Dorasi Plava ka zgjedhur të mbrohet në heshtje, por se i njëjti me t'u arrestuar kishte pranuar të ketë kryer vrasjen dhe kishte deklaruar se për këtë vepër Murseli i kishte ofruar 30 mijë euro; 15 mijë në avans dhe 15 mijë pas kryerjes së veprës.

Sipas Gjykatës, bazuar në arsyetimin e Prokurorisë ka prova të mjaftueshme për të cilat më pas të akuzuarit do të mund të arratiseshin ose të ndikonin në prova.

Sipas njoftimit të Gjykatës, Naim Murseli ia kishte dhënë edhe armën Granit Plavës për ta kryer krimin.

Njoftimi:

Prishtinë, 03 dhjetor 2023 – Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda ka mbajtur seancën dëgjimore, duke vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit, në çështjen penale kundër të pandehurit N.M për shkak të veprës penale Vrasje e rëndë në bashkëkryerje, G.P për veprën penale Vrasje e rëndë dhe vepën penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe i pandehuri K.K për shkak të veprës penale Marrëveshja për të kryer veprën penale Vrasje e rëndë.

Gjyqtarja e Procedurës Paraprake vlerësoi se ekzistojnë bazat dhe arsyet për caktimin e masës së paraburgimit, ngase ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer veprat penale, të njëjtit mund të ndikojnë në të bashkëpandehur, në të dëmtuar dhe në dëshmitarët si dhe rreziku i përsëritjes së veprave penale, në veçanti pesha e rëndë e veprës penale, e të gjitha së bashku kanë plotësuar bazën ligjore për caktimin e kësaj mase kundër të pandehurve, andaj gjykata ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve N.M, G.P dhe K.K dhe të njëjtëve iu ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, për secilin.

Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri N.M me dashje që ta privojë nga jeta në mënyrë dinake bashkëshorten e tij, ishte marrë vesh me të pandehurin G.P për ta vrarë tani të ndjerën L.M, ku paraprakisht i pandehuri N.M e kishte pajisur me armë të pandehurin G.P dhe kishin inskenuar veprën penale të Grabitjes, e cila është realizuar me datë 29.11.2023 rreth orës 20:25 minuta , në fshatin Bernicë, Komuna e Prishtinës, në atë mënyrë që derisa i pandehuri N.M ishte duke lëvizur me veturën e tij, në të cilën kanë qenë e ndjera L.M dhe dy fëmijët e tyre, papritmas ka dalë para veturës i pandehuri G.P me maskë në kokë dhe revole në dorë, ku sipas marrëveshjes paraprake i pandehuri N.M me fëmijët kishin dalë nga vetura dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes kinse për të ikur, ndërsa në veturë kishte mbetur tani e ndjera, të cilën i pandehuri G.P e kishte qëlluar nga afërsia me një plumb në qafë dhe si pasojë e plagës vdekjeprurëse, e ndjera L.M kishte ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa për këto veprime i pandehuri N.M, paraprakisht i kishte premtuar të pandehurit G.P shumën e të hollave prej 30,000.00 €.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.


Lajmi kryesor:

Pagoi 30 mijë euro për vrasjen e gruas, Gjykata e Prishtinës lë në burg Naim Murselin e 2 të tjerët! 33-vjeçari s'pranon krimin: Kam qenë edhe vetë i rrezikuar


S.S/E.H/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë