Çfarë i lidh dy rivalët për kreun e PD

Çfarë i lidh dy rivalët për kreun e PD
TIRANE - Dy rivalët kryesor që pritet të kandidojnë për kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha si dhe Sokol Olldashi kanë më shumë të përbashkëta me njëri-tjetrin sesa veç faktit që janë të dy demokratë. E përbashkëta nis me pozicionet që kanë patur në qeverinë e djathtë të dy konkurentët. Bëhet fjalë për postin e Ministrit të Punëve Publike dhe Transportin, post në të cilin nga viti 2005 deri në 2007 ka qenë Lulzim Basha, post i cili në vitin 2009 është marrë nga Sokol Olldashi.

Në CV e dy rivalëve kryesorë që pritet të publikohen sot nga Kryesia e PD një e përbashkët tjetër është pikërisht dhe posti i ministrit të Brendshëm, i cili është mbajtur nga të dy të djathtët. Ka qenë më parë Olldashi, i cili ka qenë ministër i Brendshëm nga viti 2005–2007 ndërkohë që Basha ka qenë në këtë post dy vite më vonë, ku zëvendësoi Gazmend Oketën dhe u pasua më pas nga presidenti aktual në atë kohë ministër i Brendshëm, Bujar Nishani.

Pas largimit nga ky post rruga e Lulzim Bashës do të shkëputej nga Parlamenti, pasi ai hodhi kandidaturën për kreun e Bashkisë së Tiranës. Por bashkia më e madhe në vend nuk ka qenë vetëm posti që lakmohej nga Basha. Më herët ky post është kërkuar edhe nga Sokol Olldashi, i cili në vitin 2007 u propozua nga ish-kreu i PD Sali Berisha për të garuar në postin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Edi Rama ka qenë rivali i dy demokratëve përsa i përket betejës së tyre për të marrë drejtimin e bashkisë më të madhe në vend.

Olldashi nuk ka mundur dot që të fitojë përballë Ramës, i cili është zgjedhur tre herë në krye të kësaj bashkie. Por ka qenë Basha, i cili me diferencë të vogël votash arriti që në zgjedhjet e 8 majit të vitit 2011 të marrë mandatin e parë si kryebashkiak i Tiranës. Ndërkohë që karriera politike në strukturat e PD për Olldashin ka nisur në 2001 kur është zgjedhur për herë të parë deputet, kurse Basha është zgjedhur anëtar në Këshillin Kombëtar si dhe në Kryesinë e Partisë Demokratike në 2005.

TË PREFERUAR NGA BERISHA

Në këtë kontekst duket se para Bashës më i favorizuari në PD ka qenë deputeti i Qarkut të Fierit, Sokol Olldashi, i cili do të jetë përballë tij për të marrë drejtimin e Partisë Demokratike. Por beteja mbetet e hapur edhe pse deri më tani dy kandidaturat më të forta që do të votohen nga të anëtarësuarit e PD janë pikërisht këta dy emra. Kjo është konfirmuar edhe nga zëdhënësja e Partisë Demokratike.

Të dy emrat zyrtarë do të votohen në fillim të muajit gusht nga anëtarësia e partisë. Shtatori, kur nis punimet dhe Kuvendi i ri do ta gjejë PD në opozitë dhe me një lider të ri, që shumë shance ka të jetë Basha. Më parë përfliteshin edhe emra të tjerë që mund të kandidonin për drejtimin e PD si nënkryetarja Jozefina Topalli, Eduard Selami apo dhe Ridvan Bode dhe Edi Paloka.

WIKILEAKS AKUZA KORRUPSIONI PËR BASHËN

Në prill 2009 ambasada amerikane njoftonte Departamentin Amerikan të Shtetit për gjyqin e Lulzim Bashës i akuzuar për korrupsion në tenderin e rrugës Durrës-Kukës. SHBA bën të qartë se priste dënimin e ish-ministrit të Transporteve dhe shpreh zhgënjimin per mbylljen e çështjes me procedura nga Gjykata e Lartë.

“Më 10 prill 2009, një panel i Gjykatës së Lartë mbylli çështjen penale kundër Bashës me argumentet se, në bazë të vendimit të gjykatave shqiptare të ulëta, prokurorët kishin kryer shkelje të rënda procedurale dhe kishin zgjatur periudhën e hetimin përtej një kufiri të arsyeshëm.”

CV

Lulzim Basha lindi më 12 qershor 1974 në Tiranë.
■ 2005 dhe në vazhdim, anëtar i Këshillit Kombëtarë të PD
■ Nga Maji i vitit 2005 dhe në vazhdim është anëtar i Kryesisë së PD
■ 2005 – 2007 Ministër i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit.
■ 2009 – 2011 Ministër i Brendshëm.
■ 2011 Kryetar i Bashkisë së Tiranës.

WIKILEAKS AKUZA PËR KONTRABANDË PËR OLLDASHIN

Në një kabllogram sekret që ish-ambasadori amerikan Ëithers ka dërguar në Departamentin e Shtetit në gusht 2009, një vit para se të përfundonte mandatin, Ëithers raporton për të gjitha lidhjet e disa deputetëve me krimin e organizuar. Mes shumë emrave, për Olldashin citohej: “Sokol Olldashi: Ministri aktual i Punëve Publike dhe Transportit, dhe deputet i PD-së në Fier, dyshohet për kontrabandë mallrash dhe narkotikesh.
 
CV
 
■ 2002-në vazhdim Kryetar i Forumit Rinor të PD
■ 2005-05.2009 Kryetar i PD të Tiranës
■ 2001–2005 Deputet i Kuvendit të Shqipërisë
■ 2005–2007 Ministër i Brendshëm
■ 2007-2009 Ministër i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit
■ 2009-në vazhdim Ministër i Punëve Publike dhe Transportit
■ 2007 Kandidat për kryetar i Bashkisë së Tiranës

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 04.07.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë