Marrëveshja mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për kandidimin e Bekim Sejdiut për President pritet t'i japë fund ngërçit politik dhe t'i hapë rrugën formimit të institucioneve të reja. Megjithatë, para zgjedhjes së kreut të shtetit duhet të përfundojë konstituimi i Kuvendit dhe të nisin procedurat kushtetuese për ngritjen e institucioneve.

Sipas hulumtuesit të Institutit të Kosovës për Drejtësi, Naim Jakaj, hapi i parë është vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit, e cila duhet të thirret nga kryesuesi Avni Dehari. Pas konstituimit të Kuvendit, mund të procedohet me zgjedhjen e Qeverisë dhe më pas me zgjedhjen e Presidentit.

“Seanca konstituive i vazhdon punimet kurdo qoftë që dakordohen partitë politike. Konstituohet Kuvendi dhe mund të zgjidhet qeveria e para ose (presidenti), këtu nuk ka ndonjë problem. Afatet kushtetuese për me zgjedhë qeverinë janë pesëmbëdhjetë ditë pasi të merret kandidati, ndërkohë për presidentin duhet të ketë dy kandidat dhe të thirret seanca e jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit dhe të kryhet ky proces”, deklaroi ai për Kosovapress.

Jakaj sqaron se Kushtetuta nuk përcakton rend të detyrueshëm mes zgjedhjes së Qeverisë dhe Presidentit, por thekson se për zgjedhjen e kreut të shtetit duhet të ketë të paktën dy kandidatë, në mënyrë që të thirret seanca përkatëse.

Ai kujton gjithashtu se në dy raundet e para Presidenti zgjidhet me 80 vota, ndërsa në raundin e tretë mjaftojnë 61 vota, por vetëm nëse në sallë marrin pjesë të paktën 80 deputetë.

Megjithatë, sipas Jakajt, mbetet për t'u parë nëse të gjithë deputetët e LDK-së do ta mbështesin marrëveshjen me Vetëvendosjen dhe kandidaturën e Bekim Sejdiut, pas kundërshtimeve që janë shfaqur brenda partisë. Ai nuk përjashton mundësinë që Albin Kurti të kërkojë garanci të plota për votat e LDK-së, si edhe mbështetje nga parti të tjera për të mos rrezikuar procesin e zgjedhjes së Presidentit. 

"Të shohim a do të kërkojë zoti Kurti nga LDK ndonjë zotim me shkrim se janë të gjitha nënshkrimet dhe të gjitha votat për këtë kandidat. Po ashtu, të presim se a do të kërkojë Kurti vota edhe nga partitë e tjera, në mënyrë që të mos jetë në limitin e tetëdhjetë deputetëve të Kosovës. Ai ka kërkuar më herët që të jenë 85 deputetë dhe të shohim se a do të ketë këto vota”, theksoi Jakaj.


Lajmi kryesor:

Zgjidhet ngërçi politik në Kosovë/ Kurti e Abdixhiku arrijnë marrëveshjen për presidentin! Bekim Sejdiu emri konsensual: Do shërbej me devotshmëri