Pas nëntë garave të zhvilluara në sezonin aktual të Formula 1, e ardhmja e Charles Leclerc te Ferrari është bërë objekt diskutimi serioz, me disa media italiane që raportojnë për mundësinë e largimit të tij në fund të vitit.

Sipas Corriere della Sera, e njëjta media që zbardhi kalimin e Lewis Hamilton te Ferrari në shkurt, Leclerc mund të largohet nga Maranello, pavarësisht se ka një kontratë të vlefshme deri në vitin 2029. Në kontratë ekziston një klauzolë që lejon rishikimin e kushteve në fund të vitit 2025, gjë që mund të shfrytëzohet për një ndarje të parakohshme mes palëve.

Vetë Leclerc i ka mohuar zërat për një largim. “Sigurisht që jo, nuk ka absolutisht asnjë shans. Unë besoj te projekti dhe te Fred (Vasseur). Është një moment i ndërlikuar, por nuk po mendoj të largohem nga Ferrari”, deklaroi piloti për gazetën L’Équipe. Por burime të MARCA-s nënvizojnë se situata në prapaskenë është më e turbullt sesa deklaratat publike.

Në rast të një largimi të mundshëm, Mercedes është një opsion real, pasi George Russell nuk ka zgjatur ende kontratën me ekipin gjerman. Një tjetër pistë është Aston Martin, që përflitet gjithashtu si destinacion i mundshëm edhe për Max Verstappen, në rast të largimit të tij nga Red Bull.

Nga ana tjetër, Ferrari duhet të bindë Leclerc se rregulloret e reja të vitit 2026 do t’i japin skuderisë një mundësi të vërtetë për të fituar titullin, një objektiv që monegasku e kërkon me ngulm që prej hyrjes në Formula 1.

Këtë sezon, Ferrari ka arritur vetëm dy podiume, të dyja falë Leclerc, ndërsa Hamilton ka fituar vetëm garën sprint në Kinë. Me 165 pikë në renditjen e konstruktorëve, “Kokëkuqja” është shumë larg McLarenit që kryeson me 362 pikë, duke ulur pritshmëritë që kishte për SF-25, një makinë që në fillim u cilësua si pretendente për titull.

Ndërkohë, përplasjet e brendshme në Maranello janë gjithnjë e më të theksuara. La Gazzetta dello Sport dhe Corriere della Sera raportojnë për mundësinë e largimit të Frederic Vasseur, me emrin e Antonella Coletta, aktualisht në krye të ekipit të Ferrarit në Kampionatin Botëror të Qëndrueshmërisë (WEC), që qarkullon si një zëvendësues i mundshëm.

Në horizont po shfaqen ndryshime të mëdha për Ferrarin dhe mbetet për t’u parë nëse Leclerc do të jetë ende pjesë e këtij projekti ambicioz.