Chateri me të cilin lëviz kryeministri Edi Rama është kthyer në objekt debati mes opozitës dhe ministrit të Mbrojtjes, Niko Peleshit. Deputeti demokrat, Ervin Salianji e pyeti ministrin se a është e nevojshme të kemi një charter për të lëvizur Rama, kur nuk kemi kapacitete për të përballuar zjarret.

Peleshi iu përgjigj se charteri tregon dinjitetin e një vendi.

“Charter ka lidhje me dinjitetin e një shteti, helikopter është diçka tjetër, s’kanë lidhje me njëra tjetrën, adresojeni ku të doni pyetjen”, tha Peleshi.

Një replikë erdhi sërish nga deputeti i Partisë Demokratike, Ferdinand Xhaferraj, i cili tha se kjo përgjigje e minsitrit tregon degradimin e arrogancës dhe korrupsionit në në vendin tonë. Xhaferraj tha se në një kohë, ku zjarrfikësit dhe Forcat e Armatosura i shuajnë zjarret me lopata, qeveria kujdeset që të japë dinjitet Ramës me charter.

“Charteri i jep dinjitet shtetit dhe kryeministrit, e thënë natyrshëm tregon shkallën ku ka degraduar arroganca dhe korrupsioni, kryeminsitrat e vendeve nordike që shkojnë në punë me biçikletë nuk e di se kush ja jep dinjitetin, ne kemi degraduar, investojmë ti japim dinjitet kryeministrit me charter. Kryeministri nga charter flet për satelitë dhe ata punonjësit e emergjencave civili shohin nga qielli për të parë satelitë. Kjo është Shqipëria”, tha Xhaferraj.


Lajmi kryesor:

Peleshi paralajmëron prishjen e kontratave për mirëmbajtjen e helikopterëve 'Cougar': Do e ndajmë në një proces gjyqësor