Christian Lange: S'mjafton vetëm
të shkruhen ligjet, duhet të zbatohen

Christian Lange: S'mjafton vetëm<br />të shkruhen ligjet, duhet të zbatohen
Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Drejtësisë të Republikës Federale të Gjermanisë, Christian Lange, në një intervistë ekskluzive për “Deutsche Welle-n”, thotë se ligjet nuk duhet vetëm të shkruhen, por edhe të zbatohen. Lange tha se Gjermania do të mbështesë Shqipërinë në realizimin e reformave në sistemin gjyqësor. Duke vënë theksin në rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europia, Lange tha duhet të bëhet më shumë punë sa i takon vendosjen ë shtetit të së drejtës, specifikisht sa i takon pavarësisë së gjykatësve, transparencës së bashkëpunimit me drejtësinë, po kështu dhe luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Si janë aktualisht marrëdhëniet mes Gjermanisë dhe Shqipërisë në fushën e drejtësisë, z. Lange, qoftë në nivel bilateral ose në kuadër të programeve të BE-së?
Në qershor të këtij viti Ministri i Drejtësisë së Shqipërisë, z. Naço ishte për një vizitë në Berlin. Ministri Federal i Drejtësisë dhe unë patëm kënaqësinë ta prisnim dhe t‘i siguronim mbështetjen tonë në realizimin e reformave në sektorin e drejtësisë në Shqipëri. Pikërisht dhe takimi që zhvillohet aktualisht në Tiranë ka të njëjtin synim për të diskutuar mbi reformat në sektorin e drejtësisë. Ju e dini që pak më parë Shqipëria ka marrë statusin e vendit kandidat çka nuk do të thotë hapje automatikisht e negociatave për anëtarësimin në BE. Para vendit është një rrugë e gjatë deri në vendosjen e shtetit të së drejtës, specifikisht sa i takon pavarësisë së gjykatësve, transparencës së bashkëpunimit me drejtësinë, po kështu dhe luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ne kërkojmë që t‘i japim mbështetjen tonë Ministrisë së Drejtësisë në realizimin e këtyre reformave dhe këtë e bëjmë edhe nëpërmjet angazhimit të Fondacionit për Bashkëpunimin Ndërkombëtar në Fushën e Drejtësisë, IRZ, i cili është shumë aktiv në Shqipëri prej vitit 2000. Pra si dhe e shikoni ne kemi tashmë një traditë të gjatë bashkëpunimi në sektorin e drejtësisë. Bashkëpunojmë dhe në kuadër të projektit EURALIUS IV së bashku dhe me austriakët dhe holandezët. Ne synojmë që përmes këtij projekti të konsolidojmë edhe më shumë marrëdhëniet në drejtësi, me Ministrinë e Drejtësisë, Prokurorinë e Përgjithshme, Gjykatën e Lartë, Shkollën e Magjistraturës, Këshillin e Lartë të Drejtësisë apo Dhomat e Noterëve e Avokatëve në Shqipëri. Dhe unë i uroj të gjitha palëve suksese në kuadër të realizimit të këtij projekti.

Në konferencën e Berlinit për Ballkanin Perëndimor, në fund të kësaj vere, u bë thirrje e qartë për vendet e rajonit që aspirojnë për në BE, që të vijojnë reformat. Sipas mendimit tuaj, a ka reagime konkrete, a ka lëvizje konkrete nga këto vende për reformat në sistemin e drejtësisë?
Fillimisht dua të përmend faktin se Gjermania ka mbështetur dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë dhe kjo është një shtysë për klasën politike në realizimin me sukses të reformave të kërkuara dhe në sektorin e drejtësisë. Ka pasur ndryshime pozitive. Ndër to dua të përmend dhe vendosjen apo emërimin e një koordinatori në luftën kundër korrupsionit, si dhe miratimin e një dokumenti strategjik për luftën ndaj korrupsionit. Por ajo për të cilën kemi këmbëngulur dhe këmbëngulim vazhdimisht është fakti se nuk mjafton vetëm të shkruhen ligjet por ato duhet edhe të zbatohen. Ky është një aspekt që detyrohemi ta përmendim vazhdimisht dhe këtu mbetet ende shumë për të bërë.

Në Shqipëri jo vetëm tek qytetarët shqiptarë, por dhe nga institucionet ndërkombëtare ka pakënaqësi për gjendjen e sektorit të drejtësisë. Edhe partitë kryesore politike janë dakord që duhet reformë e thellë. Por kur vjen puna te mënyra e realizimit të saj, ka mosmarrëveshje të thella mes mazhorancës dhe opozitës. Ju besoj se jeni informuar se, prej muajsh, opozita e ka bojkotuar parlamentin. Mendoni se një reformë e kryer vetëm nga mazhoranca e majtë të jetë e qëndrueshme dhe efikase për përmirësimin e sistemit të drejtësisë?
Ndjehem i gëzuar se tashmë të gjitha palët e kanë të qartë se rruga drejt BE-së nuk mund të kuptohet pa një reformim të thellë të sistemit të drejtësisë. Për këtë janë të ndërgjegjshme si mazhoranca dhe opozita. Ndaj është shumë e rëndësishme që në kuadër të këtij projekti të mund të përfshihen të gjitha grupet e interesuara, në mënyrë që kjo reformë të jetë gjithëpërfshirëse. Pa një gjë të tillë reforma nuk mund të jetë e suksesshme, sepse mendoj që vetëm kështu rifitohet besimi i publikut te drejtësia. Duke pasur një përvojë të gjatë në Bundestag si deputet prej 16 viteve, unë them me siguri se ka situata të tilla që duhet menduar përsëpari vendi dhe më pas partia. Më është dukur inkurajuese që gjatë takimit të prezantimit të projektit Euralius IV ka pasur dhe prezencë të deputetëve të opozitës. Një reformë e tillë nuk është vetëm dhe thjesht në interesin e BE-së. Ajo duhet të jetë pikësëpari në interesin e vetë Shqipërisë dhe shqiptarëve. Nëse Shqipëria kërkon të ketë investitorë të huaj, të ketë rezultate në shmangien e papunësisë dhe krijimin e vendeve të reja të punës, atëherë duhet të japë garanci me një sistem funksional drejtësie. Kjo padyshim që është në interes edhe të opozitës dhe të shumicës. Për zbatimin e një reforme të tillë duhet konsensusi i të gjithë demokratëve, e përsëris në mënyrë të vetëdijshme, konsensusi i të gjithë demokratëve. Prandaj ndoshta një mundësi për këtë do të ishte një riformësimi i kulturës politike në vend.

Shqipëria ende renditet në vende të pafavorshme në nivel global, kur vjen puna për treguesit në luftën kundër korrupsionit. Nuk ka procedime dhe dënime për zyrtarë të niveleve të larta. Duke u nisur dhe nga përvoja e Gjermanisë, si mund ta kapërcejë Shqipëria këtë periudhë që mbisundohet nga kultura e pandëshkueshmërisë për ata që shkelin ligjin, pra që të gjithë të jenë të barabartë para ligjit?
E rëndësishme është që i gjithë procesi EURALIUS i reformimit të sistemit të drejtësisë duhet të garantohet. Korrupsioni është një sëmundje shumë e rëndë në të gjitha nivelet e jetës shoqërore, sidomos në ekonomi dhe sektorin publik. E rëndësishme është që punësimi në sistemin e drejtësisë të bëhet mbi bazën e kritereve objektive, mbi bazën e përzgjedhjes së më të mirëve dhe jo në bazë të kritereve politike ose në bazë të inteserave të partive politike. Kjo është mjaft thelbësore. Me këtë nuk dua të them se në shtetet anëtare të BE-së nuk ekziston korrupsioni. Është e kundërta, sepse korrupsioni është një problem i vështirë edhe në shtetet e BE-së. Mund të them se në Gjermani ne kemi vendosur sanksione edhe më të rrepta për luftën ndaj korrupsionit mes deputetëve si në nivel qendror, ashtu edhe në nivel lokal. Një sektor tjetër i prekur nga korrupsioni në Gjermani, sikurse edhe në Shqipëri, është dhe sektori shëndetësor, ku ne synojmë të marrim masa më të rrepta. Të gjitha vendet, pra, mund të jenë të prekura nga fenomeni i korrupsionit, dhe lufta kundër tij është kusht për një demokraci funksionale. Dhe hapi i parë në këtë drejtim do të ishte pavarësimi i sistemit të drejtësisë nga ndikimi politik.

Marrë nga "Deutsche Welle"

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A justifikohen aktet e dhunes gjatë një proteste politike?



×

Lajmi i fundit

A e dinit, ja cilat u shqime nuk duhet t’i kombinoni kurrë me njëra-tjetrën

A e dinit, ja cilat u shqime nuk duhet t’i kombinoni kurrë me njëra-tjetrën