Agjencia Qendrore e Inteligjencës e SHBA-së (CIA) ka nisur një përpjekje të re për të rekrutuar informatorë brenda forcave të armatosura të Kinës, pak javë pasi një nga drejtuesit më të lartë të ushtrisë kineze u vu nën hetim.
CIA publikoi një video të re ku paraqitet një oficer i ushtrisë kineze, i zhgënjyer nga sistemi dhe drejtuesit e tij, shkruan Reuters.
Videoja është pjesë e një fushate më të gjerë për të forcuar mbledhjen e inteligjencës njerëzore ndaj Kinës, të cilën Uashingtoni e konsideron rivalin e tij kryesor strategjik.
Lëvizja vjen pas një fushate të ngjashme në maj të vitit të kaluar, kur CIA publikoi video me personazhe fiktivë brenda Partisë Komuniste të Kinës, duke ofruar udhëzime të detajuara në gjuhën kineze për mënyrën se si mund të kontaktohet në mënyrë të sigurt inteligjenca amerikane.
Drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, deklaroi se videot e agjencisë kanë arritur tek një numër i madh qytetarësh kinezë dhe se përpjekjet do të vazhdojnë. Sipas tij, zyrtarëve kinezë u ofrohet një “mundësi për të punuar së bashku drejt një të ardhmeje më të ndritur”.
Një zyrtar i CIA-s, duke folur për Reuters në kushte anonimiteti, tha se videot e mëparshme janë parë nga miliona njerëz dhe kanë sjellë burime të reja informacionesh, pa dhënë detaje të mëtejshme. Sipas raportimeve, CIA ka investuar ndjeshëm për të forcuar operacionet kundër Kinës dhe për të rindërtuar rrjetin e saj të inteligjencës në vend, pasi Pekini goditi rëndë rrjetin amerikan duke vrarë ose burgosur disa burime mes viteve 2010-2012.
Zyrtarë amerikanë pohojnë se shërbimet sekrete kineze kanë punuar vazhdimisht për të rekrutuar punonjës aktualë dhe ish-punonjës amerikanë.
Në vitet e fundit, Pekini ka bërë publike raste që, sipas tij, zbulojnë rrjete spiunazhi amerikan në territorin e tij.
Komente






