CIA: Sulmi gjatë koncertit të këngëtares Taylor Swift synonte mijëra viktima

Planifikuesit e sulmit të dështuar gjatë koncertit të këngëtares Taylor Swift në Vjenë, synonin të vrisnin “dhjetëra mijëra” pjesëmarrës. Mirëpo sulmi dështoi pasi agjencia amerikane e zbulimit CIA mori informacione që mundësuan arrestimin e autorëve, njoftoi nëndrejtori i CIA-s.

CIA njoftoi autoritetet austriake për planet e terroristëve, të cilët mendohet se kanë lidhje me grupin Shteti Islamik. Si pasojë e informacioneve dhe arrestimeve të kryera, u anuluan edhe tre turne të tjera për të cilat ishin shitur paraprakisht të gjitha biletat, duke i pezmatuar kështu artdashësit që kishin udhëtuar nga mbarë globi për të ndjekur koncertin e Taylor Swift-it.

“Po planifikonin të vrisnin një numër shumë të madh – dhjetëra mijëra persona në këtë koncert, ndër ta me siguri shumë amerikanë – dhe kishin përparuar shumë drejt këtij objektivi”, tha zëvendësdrejtori i CIA-s David Cohen të mërkurën e 28 gushtit.

“Austriakët arritën t’i bënin arrestimet pasi agjencia jonë dhe partnerët tanë në komunitetin e zbulimit u dhanë informacione për ato çfarë planifikonte të bënte ky grup i lidhur me ISIS-in”, shtoi ai.

Zyrtarët austriakë thanë se i dyshuari kryesor, një shtetas austriak 19-vjeçar, ishte i frymëzuar nga Shteti Islamik. Ai mendohet se planifikonte ta bënte sulmin me thika dhe eksplozivë artizanalë jashtë stadiumit, ku do të mblidheshin mbi 30 mijë artdashës.

Rreth 65 mijë pjesëmarrës të tjerë pritej të ishin brenda stadiumit. Hetuesit zbuluan substanca kimike dhe pajisje teknologjike gjatë bastisjes së shtëpisë së tij.

Ministri i Brendshëm i Austrisë, Gerhard Karner, ishte shprehur më parë se nevojitej ndihma e agjencive të tjera të zbulimit, pasi hetuesit austriakë, në dallim nga këto agjenci, nuk kanë kompetenca ligjore për të monitoruar mesazhet e celularëve.

Avokati i 19-vjeçarit ka thënë se akuzat janë “të ekzagjeruara, në rastin më të mirë” dhe pretendoi se autoritetet austriake po e fryjnë rastin për të përfituar kompetenca më të mëdha për përgjime.

Swift theu heshtjen e saj javën e kaluar, pas përfundimit të koncerteve në Londër.

“Anulimi i koncerteve në Vjenë ishte tronditës. Arsyeja për anulimin më dha një ndjesi të re frike dhe faji të madh, pasi kaq shumë njerëz kishin planifikuar të vinin në koncerte” shkruajti ajo në Instagram.

Ajo falenderoi autoritetet, duke shkruar se “falë tyre, ne mbajtëm zi për koncertet dhe jo jetët” e humbura teksa shtoi se nuk pati folur më herët, për t’i dhënë kështu përparësi sigurisë.

“Më lejoni të jem shumë e qartë: nuk do të flas publikisht për diçka nëse mendoj se kjo mund të provokojë ata që do të donin të lëndonin artdashësit që vijnë në shfaqjet e mia”, shkroi ajo.

Firma organizatore e koncertit, “Barracuda Music”, tha se e anuloi turneun prej tre netësh në Vjenë që do të fillonte më 8 gusht, sepse arrestimet e bëra në lidhje me komplotin u bënë shumë afër kohës së shfaqjes.

I dyshuari kryesor, si dhe një 17-vjeçar, u arrestuan më 6 gusht, një ditë para se të njoftoheshin anulimet. Një i dyshuar i tretë 18-vjeçar u arrestua më 8 gusht. Emrat e tyre nuk u bënë të ditur, në përputhje me rregullat austriake të privatësisë.

Koncertet në Londër, ndalesa e radhës pas Vjenës, u bënë pasi një sulm me thikë në një klasë vallëzimi me temë muzikën e zonjës Swift, la të vdekura tre vajza të vogla në Britaninë e Madhe. Në një deklaratë të bërë pas sulmit në qytetin britanik Southport, zonja Swift tha se ajo ishte "plotësisht e shokuar" dhe "plotësisht pa fjalë për mënyrën se si t'u shpreh ndonjëherë ngushëllimet këtyre familjeve". Mediat raportuan se zonja Swift u takua me disa nga të mbijetuarit në Londër.

Sulmet e planifikuara në Vjenë sollën gjithashtu në mendje paralelizma me një sulm vetëvrasës të vitit 2017 në një koncert të Ariana Grandes në Mançester, të Anglisë, që vrau 22 persona. Bomba shpërtheu në fund të koncertit të këngëtares Grande ndërsa mijëra të rinj po largoheshin, duke u bërë kështu sulmi më vdekjeprurës ekstremist në Britani në vitet e fundit.

Turneu i koncerteve të këngëtares Taylor Swift rifillon në vjeshtë. /Associated Press

Xh.K/I.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni punën e qeverisë gjatë vitit 2024?



×

Lajmi i fundit

E rëndë në Durrës, gjendet i pajetë 82-vjeçari në banesën e tij, i moshuari kishte prerje thike në fyt! Policia nis hetimet, sekuestrohen pamje filmike

E rëndë në Durrës, gjendet i pajetë 82-vjeçari në banesën e tij, i moshuari kishte prerje thike në fyt! Policia nis hetimet, sekuestrohen pamje filmike