Cikloni apokaliptik Chido në Mayotte, viktimat mund të jenë me mijëra, 1,7 mln njerëz në rrezik

Një ciklon i fuqishëm goditi territorin francez të Oqeanit Indian, Majotin (15 Dhjetor), duke shkatërruar shumë nga lagjet e saj të varfra, me qindra njerëz që dyshohet se kanë vdekur.

Cikloni Chido shkaktoi dëme të mëdha në aeroportin e Majotit dhe ndërpreu furnizimin me energji elektrike, ujë dhe lidhjet e komunikimit kur goditi territorin më të varfër të Francës të shtunën.

Prefekti François-Xavier Bieuville tha se pret që numri përfundimtar i viktimave të arrijë “afër 1000, ose madje disa mijëra” për transmetuesin Mayotte la Premiere. Kryetari i komunës së kryeqytetit të Majotit, Ambdilwahedou Soumaila, i tha AFP-së se stuhia “nuk kurseu asgjë”.

“Spitali është goditur, shkollat janë goditur. Shtëpitë janë shkatërruar plotësisht”, tha ai. Presidenti francez, Emmanuel Macron, do të mbajë një takim krize në Paris për katastrofën, tha presidenca.

Ministri i Brendshëm i Francës, Bruno Retailleau, do të udhëtojë në Majot të hënën, sipas zyrës së tij, me 160 ushtarë dhe zjarrfikës. Chido kishte erëra me shpejtësi prej të paktën 226 kilometrave në orë kur goditi Majotin, që ndodhet në lindje të Mozambikut.

Të paktën një e treta e 320.000 banorëve të territorit jetojnë në lagje të varfra, ku shtëpitë me çati prej llamarine u shkatërruan nga stuhia. Një banor, Ibrahim, i foli AFP-së për “skena apokaliptike” ndërsa përshkonte ishullin kryesor, duke pastruar vetë rrugët e bllokuara.

Një tjetër territor francez në Oqeanin Indian, rreth 1.400 kilometra larg, La Reunion, po shërben si bazë logjistike për operacionin e shpëtimit.

Që kur cikloni goditi ishullin, ka pasur disa angazhime ndërkombëtare për të ndihmuar Majotin, përfshirë organizatën rajonale të Kryqit të Kuq, PIROI. Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se blloku evropian “është gati të ofrojë mbështetje në ditët në vijim”.

Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se OBSH-ja “është e gatshme të mbështesë komunitetet që kanë nevojë për kujdes shëndetësor thelbësor”.

Me rreth 100.000 njerëz që vlerësohet se jetojnë në mënyrë klandestine në Majot, sipas ministrisë së brendshme të Francës, përcaktimi i numrit të saktë të personave të prekur nga cikloni po rezulton i vështirë.

Ousseni Balahachi, një ish-infermiere, tha se disa njerëz nuk guxonin të dilnin për të kërkuar ndihmë, “duke u frikësuar se mund të ishte një kurth” i krijuar për t’i larguar nga Majoti. Shumë prej tyre kishin qëndruar në vend “deri në minutën e fundit” kur u bë tepër vonë për të shpëtuar nga cikloni, shtoi ajo.

Chido është stuhia më e fundit në një varg stuhish në mbarë botën të nxitura nga ndryshimet klimatike, sipas ekspertëve. Chido shpërtheu përmes Oqeanit Indian dhe preku tokën në Mozambik të dielën, ku zyrtarët thanë se numri i të vdekurve ishte tre.

Agjencia humanitare e OKB-së, OCHA, paralajmëroi se 1.7 milionë njerëz ishin në rrezik dhe se mbetjet e ciklonit mund të sjellin gjithashtu “reshje të konsiderueshme” në Malavi deri të hënën. Zimbabve dhe Zambia gjithashtu mund të presin reshje të mëdha, shtoi OCHA. /REL/

A.Q/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim