Cikël poetik nga Demir Gjergji. 'Duke sjellë Njeriun në jetë, Zoti ndërtoi burgun e vet!'

Cikël poetik nga Demir Gjergji. 'Duke sjellë Njeriun në jetë, Zoti ndërtoi burgun e vet!'

Kurthi i Kupidit

Duke sjellë Njeriun në jetë,
Zoti ndërtoi burgun e vet!

                             ’18-‘19

TABLOJA

Të parat iu shkundën teshat nga trupi,
Tek ndjehej si perla brenda korales...
Pastaj avulluan lëvizjet dhe turpi,
Gjer shfaqet e gjitha si lojë petalesh.

Më tej e ndjen, se gjithçka e braktis,
Në linja peneli nxiton e zë vend:
Furtuna e flokëve, fytyrë e pubis...
Në fund dhe fryma drejt ngjyrave rend.

S’ndjehet më perlë, po vetëm një guaskë
(Pa shih, edhe shpirti po hyn te piktura!)
Telajo papritur filloi të flasë,
Flet gjiri me prush, flet syri, lëkura.

Piktori flak tutje penelin me bojë.
Përballë bukurive ka ngrirë i pagojë...
Krijesën e Zotit më shumë të dojë,
A trupin prej ngjyrash, që nis të frymojë?!

QIELL I NËNDHESHËM

Balta u poq,
Të më mbronte nga qielli...
Yje e zogj,
U shfaqën së thelli!

AKTORJA

La shtrigën në skenë,
La skenën dhe dritën,
Pa veten pas kuintës
Dhe erdhi, më puthi.

Salla duartrokiste intrigën.

DIMRI I SHTATORES TËNDE

-Oh, krisi pushka, o bregut të Drinit...-
                          (Variant balade)

Zjarret e plagëve të ujit mbi digë,
Shkrijnë shtatoren e dimrit të lig.

Drini me shtratin dhe fatin tragjik,
Nga deti ka frikë e s’di nga të ikë.

MESHKUJT

Mjekra është legjenda,
Që ngjizet përbrenda
Dhe mbin me mëngjesin,
Burrëri të shesin,
Tek presin ekspresin!

ËNDRRA E VRASËSIT

Shtatë plumba shkrepi mbi ta.
- Jua mora shpirtrat! - u tha.

Me shtatë shpirtra në trup,
Në pus të natës u struk.

-Tani jam mbreti mbi mbret!
Shtatë shpirtra i kam për shtatë jetë!

Por ëndrra e marrë nuk zgjati,
Kufomë e pa veten xhelati.

Shtatë shpirtra si shtatë fajkoj,
Ia shqyenin zemrën me thonj.

DUKE SHKRUAR NJË LIBËR PËR FRANÇESK RADIN

Pasi më ranë këmbët
Adresë më adresë,
Ngrita duart i pashpresë.

Ç’të thosha më tepër?!!

S’më mbetej, veç të pyesja Teftën*:
“Ku ma ke shtëpinë, moj vajzë?”*
Dhe ta mbyllja fletën.

—————
* Tefta Radi, bashkëshortja e kantautorit.
* Varg i njërës prej këngëve të tij.

KALON NJERIU

Sa e ndjejnë,
Peshq e ujq,
Shpezë e bletë
Miza, minj e hardhuca
Kafshë në akuj e xhungla,
Tremben e struken në skuta,

Lum kafshët e buta!
S’e dinë ç’është tuta;
Gazmore, paqësore, të urta,
Hidhen pas hijes së tij
Me bisht e me putra.

Kalon njeriu andej nga vjen lufta,
Mbi kuaj të zbutur, me shqyte e ushta.

TI QAN...

Ti qan për zinë e tij të rëndë...
Po plagë e vet atij s’i ther
Sa brenga, se s’do ndiejë më këngë,
Nga buza jote vaj e vrer.

SYTË

Këqyrim çka bota na mëson ta këqyrim,
Siç shohin terrin të vdekurit,
Vetvetes tinëz ia shkelim syrin,
Tek mëshirojmë të verbrit .

PSHERËTIMA

La çerdhen e shpirtit përtej, mbi avujt e kupës me çaj,
U ul mbi buzët e mia si flutur qiellhumbur në maj.
Buzëqeshje m’u bë, prapë hyri në shpirtin i saj...

Me sy i fola në heshtje:
Psherëtimën vetë po e mbaj,
Të qeshurën me ty po e ndaj,
Madam Butterfly! Dramë Butterfly!

-----------------------------------

Bar “Famous”, 28 janar, ‘19

GJURMA

Drejt meje rendje bulevardit...
Mbi serë të nxehtë pa dashje shkele,
Dhe mbeti gjurma thellë asfaltit,
Si në herbar një luledele.

Më pas, kur jetës ikje e vije,
Në udhë qytetesh, shtigjesh, visesh,
Në bulevard, nën dritë e hije,
Ta gjeja gjurmën mes lëvizjesh.

Ngado të shkelë këmba jote...
Madje dhe eshtër qoftë nën dhé!
Do ta kërkoj në shëtitore,
Tek ajo gjurmë që rron atje.

NINULLA E FUNDIT

Në shtrat me pupla sintetike,
Ti fli i qetë si Krishti beb,
Një kukull-nënë prej fabrike,
Ta thotë ninananën-rep.

Ndërsa jot ëmë pa penel,
Me Fotoshop ta bën një zog,
Se harabeli në zabel
Lëngon e dergjet nëpër smog.

Ti fli dhe ëndërro një lumë,
Se lumin e vërtetë si lot,
E vrau një natë yt atë në gjumë
Dhe s’ke se si ta gjesh më dot.

Kur sytë t’i hapësh, mos shih tutje,
Matanë dritares, jashtë në zheg,
Ku dritë e egër si një lutje,
Të fundit bukurezë po djeg.

BRAKTISJA

Prej saj për t’u zhdukur,
Ndoqa pas një flutur,

Ah, flutur e bukur,
Në ç’kurth më ke futur!
Sa tinëz je ulur
Mbi flokët e saj!

Tani nga t’ia mbaj?!

VIKTIMË

Të dua më tepër,
Kur kthej nga një tjetër.

Vij, viktimë në faj,
Frymës së frikës të mbaj!

ANËS UJANËS

I rashë ujanës përqark...
Vetvetja më priste në start.

Ashtu, siç është, e vjetër
S’m’i njeh flokët prej myshku të gjelbër,
As bluzën me hojëza të endur nga bletët,
As fjalët që them në gjuhë të mështeknës,
S’më njeh nga çerdhja në vendin e zemrës,
Nga udhëzat e pyllit, mbi rrudhëzat e djeshme,
Nga eshtrat e dejtë, përhapur si degët
Në trupin pa peshë prej ere të kthjellët.

Vetvetja ime e vjetër,
Më ngatërron me drerin e dalë prej bjeshkës.

Përqark ujanës i rashë,
Të pashë atje, ku të lashë,
Tridhjetë e ca vite më parë.

U rrokëm, u puthëm e qamë.

Na sheh vetvetja e vjetër,
Flet me vete ngadalë:
“Kush është ky djalë,
Prej ç’ëndrre ka dalë?”

ASAJ QË IKU

Të ikësh si vjeshta, që të lë pa pemë, pa lot e pa festa,
Të shkosh si vera, që të lë pa etje, pa qiell e të tjera,
Të zhdukesh si dimri, që të lë pa zjarr, pa strehë e pa tesha,
Të ikësh siç erdhe, pa frikën e kthimit te vetja...

Dhe nëse kjo ndodh e lehtë harrohet brenda një viti,
Mjerë shpirti i mjerë, që vdiq e rilindi, prapë vdiq e s’e diti!

SPIRANCA

Anija përhumbej përgjumësh në ujë...
- Në det ngarkesa!
Rëndesa, ç’të jetë!
Të gjitha peshat, në det!
Veç jeta dhe shpresa në kuvertë!

Kuverta klithte me kujë,
Anija mbushej me ujë!

- Sos! Sos! Soooos!

Shpresa u sos...
Jeta në kaos...

-Jo spirancën... Moooos!

... Pas saj anija u fundos.

GOSTIA

-...Pastaj gjethja ishte gjethe,
Edeni mbeti prapë në heshtje.-
                           (Frost)

Thellë pyllit në heshtje qivuri,
Zogu me sqep të fortë si guri,
I bie hareshëm tamburit prej druri.

Tuk-tuk! Tuk-tuk! Tuk-tuk!
Thneglat dalin në valle me ngut...

Valle insektesh me fund të pafat,
Gosti e shtruar për zogun dinak.

 

G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen