Kur bëhet fjalë për ekonominë, partia franceze e ekstremit të djathtë Tubimi Kombëtar po kalon një krizë identiteti dhe kundërshtarët e saj po e shohin këtë si një mundësi për ta sulmuar. Mesazhet kontradiktore për mënyrën se si duhet menaxhuar ekonomia franceze po dalin qartë në pah përmes dy kandidatëve të mundshëm të partisë që do të garojë zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm, të cilat duket se ka shanse t’i fitojë.
Nëse dëgjon Jordan Bardella-n, ekstremi i djathtë duket sikur po i drejtohet biznesit të madh, liberalëve të tregut të lirë dhe votuesve me jakë të bardhë. Por Marine Le Pen, nga ana tjetër, po i drejtohet më shumë elektoratit tradicional punëtor dhe mbetet besnike ndaj bindjes së saj për një shtet të madh ndërhyrës.
Ndërsa Bardella ka pasur sukses në afrimin me titanët e industrisë, veçanërisht drejtuesit e kompanive të indeksit CAC40, ku përfshihen kompanitë më të mëdha të listuara në Francë, përpjekjet e fundit të Le Pen për të fituar mbështetjen e biznesit kanë qenë më të vështira.
Politikanët e partive rivale po përpiqen të përfitojnë nga kjo përçarje ideologjike në zemër të Tubimit Kombëtar, njw parti nacionaliste dhe anti-emigracion.
“Ekziston brezi i ri i Tubimit Kombëtar që po josh drejtuesit e CAC40, kompanitë dhe liderët e biznesit… dhe ekziston krahu i vjetër që është pro-shpenzimeve dhe pro-shtetit paternalist,” tha këtë muaj Edouard Philippe, rivali kryesor konservator i ekstremit të djathtë.
Eric Zemmour, lideri i partisë së ekstremit të djathtë Reconquête, akuzoi Bardella-n se po bën çmos për ta paraqitur Tubimin Kombëtar si një parti të djathtë, ndërkohë që hierarkia e partisë , sidomos Le Pen, ka instinkte ekonomike të majta dhe dëshiron rritje taksash.
Duke vënë në dukje ndarjet mes Bardella-s dhe Le Pen-it, anëtarë të partisë së majtë radikale Franca e Panënshtruar thanë se kandidati i tyre presidencial Jean-Luc Melenchon beson se Tubimi Kombëtar duhet të “ndajw mendjen” për axhendën e tij të vërtetë ekonomike.
Pas vendimit historik të gjykatës më 7 korrik, i cili do të përcaktojë nëse kandidati presidencial në vitin 2027 do të jetë Le Pen apo Bardella, mundet që partia të arrijë të krijojë një kurs më koherent ekonomik, dhe për çështje kyçe si ulja e deficitit dhe reforma e pensioneve.
Megjithatë, mosmarrëveshjet brenda partisë për strategjinë ekonomike janë të thella dhe nuk ka garanci që mund të zgjidhen shpejt.
Një ish-zyrtar i qeverisë franceze, që ka kontakte të rregullta me anëtarët e Tubimit Kombëtar, foli pwr njw betejw tw qartw ideologjike brenda partisw.
“Figurat e vjetra të partisë nuk e shohin me sy të mirë ngritjen e Bardella-s,” tha ai.
Edhe vetë Le Pen pranon se ajo dhe Bardella nuk janë plotësisht në një linjë, me ekonominë dhe biznesin si shembullin kryesor.
“Nuk jam as e djathtë dhe as e majtë,” tha ajo për radion RTL këtë muaj.
Kur u pyet nëse Bardella është më i djathtë se ajo, Le Pen u përgjigj: “Po, por kur nuk je as i djathtë dhe as i majtë, mund të mirëpresësh njerëz si nga e djathta ashtu edhe nga e majta.”
Një parti e përçarë
Le Pen dhe Bardella janë përpjekur prej kohësh të projektojnë unitet, por javët e fundit ky konsensus duket se është krisur.
Këtë muaj, dy figurat kryesore të partisë u shfaqwn në kundërshti për një nga temat më shpërthyese elektorale: moshën ligjore të pensionit në Francë. Tubimi Kombëtar ka premtuar historikisht të zhbëjë reformën e pensioneve të Presidentit Emmanuel Macron dhe ta ulë moshën e pensionit në 62 vjeç.
Por Bardella shkaktoi polemika kur tha se partia po “e shqyrtonte” çështjen. Kwto komente u kundërshtuan menjëherë nga Le Pen, e cila riafirmoi mbështetjen për kthimin e moshës së pensionit në 62 vjeç. Tensione të ngjashme dolën në pah edhe për një taksë të jashtëzakonshme ndaj kompanive energjetike që po përfitojnë nga rritja e çmimeve të naftës për shkak të luftës në Lindjen e Mesme. Le Pen e mbështeti idenë, ndërsa Bardella tha se “nuk është prioritet”.
Brenda partisë, disa përpiqen t’i paraqesin këto dallime si një ndarje rolesh. “Secili ka rolin e vet për të tërhequr një elektorat më të gjerë,” tha një zyrtar i Tubimit Kombëtar. Si kandidate presidenciale, Le Pen “qëndron mbi ndarjet partiake”, ndërsa Bardella është “më i djathtë”.
Por sipas një ish-zyrtari të partisë, Tubimi Kombëtar është i përfshirë nga “tensione të forta” mes gardës së vjetër që mbështet Le Pen dhe rrethit më liberal ekonomikisht që graviton rreth Bardella-s. Duke parë debatet në rritje, Le Pen tentoi të premten të shuante dyshimet për marrëdhënien me Bardella-n. “Besoj se kemi të njëjtin vizion ekonomik, kemi mbrojtur të njëjtin program politik në 2022 dhe 2024,” tha ajo për televizionin BFM.
Në kërkim të elitës së biznesit
Tensionet janë veçanërisht të dukshme në përpjekjet për të fituar mbështetjen e elitës së biznesit.
Ky rol i ka rënë kryesisht Bardella-s, por tani po përfshihet edhe Le Pen. Muajin e kaluar ajo mori pjesë në një darkë shumë të komentuar me disa nga drejtuesit më të rëndësishëm të biznesit francez, mes tyre edhe njeriu më i pasur i Francës, Bernard Arnault.
Megjithatë, shumë prej tyre mbeten skeptikë. Sipas një drejtuesi të lartë të një prej kompanive të pranishme në darkë, Le Pen mbajti fillimisht një ton “pro-biznes”, por më pas iu rikthye diskursit të saj “ndërhyrës dhe të udhëhequr nga shteti”. Një tjetër drejtues biznesi e cilësoi qasjen e saj si “dogmatike”.
Edhe Catherine MacGregor, drejtoresha ekzekutive e kompanisë energjetike Engie, kritikoi platformën energjetike të Tubimit Kombëtar duke e quajtur “të keqe për Francën”. Ndërkohë, Amir Reza-Tofighi, kreu i organizatës së punëdhënësve CPME, tha për POLITICO se partia ka nevojë për një axhendë më konkrete.
“Është e thjeshtë të thuash se je pro-biznesit, por ne duam të shohim çfarë është shkruar bardh e zi në programin politik,” tha ai.
Ai shtoi se anulimi i reformës së pensioneve të Macron do ta “diskreditonte” ekonomikisht Tubimin Kombëtar.
“Kjo do të thoshte t’u gënjeje francezëve për një çështje madhore: nëse jemi të aftë të balancojmë financat publike.”
Dilema e Le Pen
Pyetja kryesore është se deri ku mund ta çojë Le Pen transformimin e një partie dikur populiste periferike në një forcë qeverisëse ekonomikisht të besueshme.
Ekstremi i djathtë duhet të rrisë “mbështetjen tek votuesit më të moshuar” nëse dëshiron të fitojë zgjedhjet e vitit 2027, tha sondazhisti Bruno Jeanbart nga OpinionWay.
“Votuesit më të moshuar, që zakonisht kanë kursime të konsiderueshme, kanë frikë,” tha Jeanbart, duke shtuar se shqetësimet lidhen me aftësinë e ekstremit të djathtë për të “menaxhuar ekonominë” dhe me frikën se një fitore e Tubimit Kombëtar mund ta çojë Francën jashtë eurozonës ose BE-së.
Megjithatë, Le Pen nuk po e përqafon plotësisht transformimin drejt disiplinës fiskale dhe nuk dëshiron të heqë dorë nga premtimet tradicionale elektorale me kosto të lartë. “Ajo është pengesë në këtë çështje,” tha ish-zyrtari francez. “Të qenit e fortë në çështjet sociale është trashëgimia e saj politike dhe ka rezultuar e suksesshme në zgjedhje.”
Sipas një deputeti veteran të Tubimit Kombëtar, ekzistojnë “tensione” me këshilltarin e ri ekonomik të Bardella-s, François Durvye, një financier i tregut të lirë që shihet si njeriu që po e shtyn partinë më djathtas ekonomikisht.
“I çojnë partinë shumë djathtas dhe rrezikojnë të humbasin bazën punëtore,” tha ish-zyrtari i partisë.
Mesazhet kontradiktore ka të ngjarë të vazhdojnë edhe për një kohë, ndërsa partia përpiqet të zgjerojë mbështetjen pa alienuar bazën tradicionale. “Është një parti populiste,” tha një ish-drejtues i lartë që ka kontakte të rregullta me zyrtarët e Tubimit Kombëtar. “Aspiratat e njerëzve kanë rëndësi.”
“Ata nuk mund të thonë: ‘Do t’i fitojmë zgjedhjet me një program ekonomik krejt të kundërt me atë që presin votuesit.’”/Politico
Komente






