Cilat janë kërkesat e reja për liberalizimin e vizave të Kosovës?

Cilat janë kërkesat e reja për liberalizimin e vizave të Kosovës?

Bruksel

Diskutimet për liberalizimin e vizave për Kosovën do të vazhdojnë në grupin punues të Këshillit të Bashkimit Evropian me datën 9 nëntor, ndërsa deri atëherë, vendet anëtare do të zhvillojnë edhe konsultime ndërmjet vete. Po ashtu, deri më 21 tetor, vendet anëtare të BE-së kanë afat që t'i dërgojnë komentet e tyre me shkrim lidhur me liberalizimin e vizave për Kosovën. Kështu kanë thënë burimet diplomatike në Bruksel pas diskutimit të grupit punues të mbajtur të enjten në Bruksel.

 Nga ky takim, sipas burimeve të njëjta, është parë se një shumicë e madhe e vendeve anëtare mbështet vendimin për liberalizimin e vizave. Por, akoma ka vende, në krye të së cilave është Franca, të cilat duan që vendimin për liberalizimin e vizave, apo hyrjen e tij në fuqi, ta ndërlidhin edhe me disa çështje tjera. Ndër to janë vënia në funksion e sistemit për siguri në Evropë, ETIAS, përshtatja e Kosovës me politikën e vizave të BE-së, rritja e kontrollit të kufijve dhe vazhdimi i riatdhesimit të atyre që duhet të lëshojnë territorin e BE-së. ETIAS është sistem evropian për autorizim dhe informacione rreth udhëtimit, por ky sistem akoma nuk është funksional.

Në atë sistem, qytetarët e shteteve për të cilat janë liberalizuar vizat, duhet të regjistrojnë të dhënat e tyre para se të udhëtojnë në BE. Atëherë do të marrin konfirmimin elektronik dhe kjo do të vlejë për tre vjet. Hyrja në fuqi e këtij sistemi është shtyrë disa herë për shkaqe teknike Ai pritet të hyjë në fuqi në fillim të vitit të ardhshëm, por do të bëhet plotësisht funksional më 1 nëntor të vitit 2023. Prandaj, kërkesa e Francës, sipas disa interpretimeve të diplomatëve, do të mund ta shtynte hyrjen në fuqi edhe të vendimit për liberalizimin e vizave për Kosovën deri në nëntor të vitit që vjen.

Burimet diplomatike të BE-së i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se një varg shtetesh dhe Komisioni Evropian e konsiderojnë të panevojshme dhe të paarsyeshme ndërlidhjen e procesit të liberalizimit të vizave me sistemin ETIAS. Këto vende dhe Komisioni, sipas këtyre burimeve, kanë argumentuar se ETIAS është një sistem teknik, hyrja e të cilit në fuqi varet nga gatishmëria teknike e vetë BE-së. Disa shtete, e në mesin e tyre përmendet Holanda, Belgjika, Suedia dhe Spanja, kanë shprehur mirëkuptim për këtë propozim të Francës, por shumë shtete tjera, përfshirë edhe Gjermaninë, e kanë kundërshtuar.

Në këtë takim disa shtete nuk kanë shprehur qëndrim, e në mesin e tyre janë Qipro, Rumania dhe Sllovakia, të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Greqia, që po ashtu nuk e ka njohur Kosovën, është shprehur fuqishëm dhe pa rezerva në favor të liberalizimit të vizave. Edhe Spanja nuk e njeh Kosovën dhe nuk ka shprehur qëndrim, por ka bërë të ditur se ajo do të pajtohet me vendimin e shumicës. Disa vende, të cilat nuk e kanë shprehur qëndrimin në këtë takim, janë arsyetuar me faktin se kanë pasur zgjedhje dhe janë në pritje të formimit të qeverisë. Ato janë Suedia dhe Italia. Danimarka, në anën tjetër, do të ketë zgjedhje më 1 nëntor.

Vendet që e kanë mbështetur liberalizimin e vizave, sipas asaj që kanë përcjellë burimet diplomatike, janë: Gjermania, Finlanda, Kroacia, Estonia, Greqia, Hungaria, Portugalia, Polonia, Malta, Luksemburgu dhe Sllovenia.  Austria është shprehur “në favor të vazhdimit të procesit”, por ka thënë se nevojiten raporte teknike shtesë. Çekia, si kryesuese e radhës e BE-së, në takime të tilla duhet të mbajë qëndrim neutral, por në një letër që ua kishte dërguar vendeve anëtare më herët, ishte shprehur qartë se ka ardhur koha për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Përshtypja e diplomatëve është se takimi ka dëshmuar se ekziston një shumicë e madhe në favor të liberalizimit të vizave, ndërsa tash duhet të adresohen shqetësimet e vendeve që kanë shprehur rezerva dhe kanë dalë me disa kërkesa të reja.

Kjo pritet të bëhet edhe në takime direkte që ekspertët e disa prej këtyre vendeve do t'i kenë me përfaqësues të Ministrisë së Brendshme të Kosovës. Presidenca çeke e Këshillit Evropian tha të enjten se është e domosdoshme që të qartësohen edhe disa çështje, për të çuar përpara liberalizimin e vizave për Kosovën.

Diplomatët thanë se duhet pasur parasysh se ky ishte vetëm fillimi, se vendet anëtare paraqitën vetëm pozicionet fillestare, dhe se duhet parë se si do të rrjedhë diskutimi në të ardhmen. Pra, në këtë moment, nuk duan të flasin për afate kohore apo për qëndrime përfundimtare të vendeve anëtare në Këshillin e BE-së. Ndërkohë, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, i ka konsideruar si kushte të reja idetë që janë diskutuar më 13 tetor në grupin punues për vizat në Këshillin Evropian, lidhur me liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

“Edhe pse ata pretendojnë se janë vetëm teknikalitete, për ne janë kushte të reja”, ka thënë Bislimi për televizionin ATV në Kosovë.

Komisioni Evropian ka rekomanduar liberalizimin e vizave për Kosovën qysh në vitin 2018. Më 12 tetor të këtij viti, ky Komision ka konfirmuar në Raportin vjetor të Progresit se mbështet rekomandimin e bërë për heqjen e vizave për Kosovën dhe konstatimin se shteti i ka përmbushur të gjitha kriteret./REL

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë