Sipas tij, në tre vite është përmirësuar dukshëm cilësia e plazheve, por mbetet problem ndotja e ajrit prej makinave me moshë të madhe
Ndërsa është përmirësuar ndjeshëm cilësia e ujërave, problem mbetet ndotja e mjedisit nga gazrat e makinave.
Nga 1 korriku 2016, do të hyjnë në fuqi normat e reja të ndotjes nga automjetet.
Një masë e tillë, sipas Ministri i Mjedisit Lefter Koka u mor për shkak të moshës së madhe të mjeteve që qarkullojnë në territorin shqiptar.
“Ka problematika në disa zona të caktuara ku ka një dendësi të transportit rrugor, kryesisht kjo ndodh në Tiranë në disa orare të caktuara. Ku qëndrimi në një kohë të caktuar të mjeteve apo gjendja e disa qindra mijëra mjeteve në një vend bën që cilësia e ajrit të kalojë dhe dyfish të raporteve të lejuara të BE. Këtu bëhet fjalë për automjetet euro 3, mbi 10-vjeçare të cilat do i nënshtrohen një trajtimi, në mënyrë që të vendosin katalizatorë të ndryshëm apo të bëjnë investimet e nevojshme për të mos krijuar këtë ndotje jashtë kritereve e normave’ tha Koka.
Ndërkohë që shumë më e ndryshme paraqitet situate e plazheve, veçanërisht duke qenë se jemi përpara sezonit turistik.
Koka thotë se ndërhyrjet e këtyre tre viteve kanë bërë që bregdeti shqiptar të ofrojë cilësi ujërash të njëjtë me ato të rajonit e të Bashkimit Evropian.
“Janë shumë më cilësore. Ne kemi kërkuar që ta shohim ndryshimin qoftë dhe në ato zona që i konsiderojmë zona relativisht me ujë më të ndotur se ai i pjesëve të tjera. Por të gjitha së bashku, i gjithë bregdeti shqiptarë është me një cilësi dhe kualitet ujrash me të vërtetë i barabartë me vendet e tjera të Ballkanit dhe vendeve të Europës në përgjithësi’ përfundoi ministri Koka.