Dy helikopterë ‘Black Hawk’, të cilësuar si më të mirët në botë kanë mbërritur në Shqipëri ditën e sotme (13 janar). Lajmin e bën me dije ambasada amerikane në Tiranë nëpërmjet një postimi në facebook, ku theksohet se helikopterët e rinj të mbërritur nga SHBA do të ndihmojnë në forcimin e aftësive të forcave ajrore të Shqipërisë si dhe për mbështetje logjistike të NATO-s për operacione e stërvitje.

“Mbërritje historike e helikopterëve të parë UH-60 Black Hawk të Shqipërisë. Një avion transportues C-17 i Shteteve të Bashkuara erdhi sot në Tiranë për të dorëzuar porosinë e parë të Shqipërisë për helikopterë Black Hawk, mbështetur me mbi 50 milionë dollarë nga fondet e ndihmës së SHBA. Helikopterët e rinj do të ndihmojnë në forcimin e aftësive të forcave ajrore të Shqipërisë dhe aftësinë për të kryer evakuim mjekësor, rikuperim të personelit, misione kërkim-shpëtimi, si dhe mbështetje të lëvizjeve logjistike të NATO-s për operacione dhe stërvitje. Shtetet e Bashkuara janë krenare për partneritetin e fortë me Shqipërinë në fushën e mbrojtjes”- thuhet në njoftimin e ambasadës së SHBA.

Kryeministri Edi Rama e cilësoi mbërritjen e këtyre helikopterëve si një investim shumë të rëndësishëm për sigurinë e vendit. Ai shkroi në facebook se investimi i bërë në bashkëpunim me SHBA-të, ka prioritet madhor mbrojtjen dhe sigurinë e vendit.

Ndërsa ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi nëpërmjet një reagimi të bërë në rrjetet sociale shprehu mirënjohjen ndaj SHBA-ve dhe theksoi se helikopterët e rinj janë një investim i rëndësishëm për Forcat e Armatosura të vendit.

Çfarë janë helikopterët “Black Hawk”?

Helikopteri UH-60 Black Hawk është avioni kryesor i transportit dhe sulmit ajror i Ushtrisë Amerikane me ngritje mesatare.

Është një helikopter i shërbimeve me ngritje të mesme me dy motorë. Ai është i pajisur me një rotor të vetëm me 4 tehe dhe një rotor bishti me 4 tehe.

Komplementi bazë i ekuipazhit për UH-60A është tre: pilot, bashkë-pilot dhe shefi i ekuipazhit.

Tehet e rotorit me bërthamë titan janë rezistente ndaj zjarrit AAA (artileri kundërajrore) deri në 23 mm dhe janë të pajisura me sensorë nën presion të aftë për të zbuluar humbjen e presionit të rotorit (dëmtimi).

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:46
Rama reagon për mbërritjen e helikopterëve ‘Black Hawk’: Investim shumë i rëndësishëm, ndikon në modernizimin e forcave ajrore

1704829640_rama.jpg

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për mbërritjen e helikopterëve të parë ‘Black Hawk’ në Shqipëri, duke e konsideruar si një investim shumë të rëndësishëm për vendin.

Ai shkruan se ky investim në bashkëpunim me SHBA ndikon në modernizimin e forcave ajrore të Shqipërisë duke pasur prioritet mbrojtjen dhe sigurinë e vendit.

“Kanë mbërritur helikopterët e parë Black Hawk në Shqipëri në kuadër të prioritetit madhor për mbrojtjen dhe sigurinë e vendit tonë. Një investim shumë i rëndësishëm në bashkëpunim me partnerin tonë strategjik, ShBA duke ndikuar drejtpërdrejtë në rritjen dhe modernizimin e forcave ajrore të Shqipërisë”- shkruan Rama.

 

Ora 18:46
Mbërritja e 2 helikopterëve ‘Black Hawk’ në Shqipëri, Peleshi: Mbrojtja dhe siguria e vendit, prioriteti ynë absolut

1705168219_helikopteretblackhawk.PNG

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ka reaguar për mbërritjen e 2 helikopterëve amerikanë ‘Black Haëk’ në vendin tonë. Nëpërmjet një postimi në facebook, Peleshi e cilëson këtë si një investim shumë të rëndësishëm për Forcat e Armatosura ndërsa shprehu mirënjohjen për SHBA për mbështetjen e vazhdueshme ndaj vendit tonë.

“Dy helikopterët Black Hawk mbërritën në vendin tonë si një investim shumë i rëndësishëm për Forcat tona të Armatosura. Mirënjohje e veçantë për partnerin tonë strategjik #SHBA për mbështetjen e tyre të vazhdueshme! Mbrojtja dhe siguria e vendit tonë, prioriteti ynë absolut!”- shkruan Peleshi.