TIRANË, 9 Tetor/ ATSH/-. Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë ka planifikuar të zbatojë disa fusha të policimit në komunitet, në funksion të parandalimit të kriminalitetit në shkolla, parandalimit të përdorimit të lëndëve narkotike dhe rritjes së besueshmërisë ndaj policisë.
"Misioni ynë do të startojë në drejtim të "Partneritetit Polici-Rini në shkolla", tha Ardian Çipa, Drejtor i Policisë Qarkut Tiranë, gjatë takimit me nxënësit e shkollës së mesme në Kamëz "Ibrahim Rugova".
Duke folur për objektivat e këtij projekti, Çipa rrjeshtoi pikat mbi të cilin ai do bazohet. "Informimi dhe edukimi i nxënësve me kulturën e denoncimit të kriminalitetit dhe bashkëpunimit me Policinë e Shtetit. Krijimin e një modeli të institucionit arsimor, i cili bazohet në partneritetin polici-rini dhe përhapja e tij nëpëmjet medias në shkollat e tjera brenda territorit të Shqipërisë.
Çipa tha se "synohet në garantimin e rendit dhe qetësisë publike, zhvillimin normal të proçesit mësimor në shkollat e të gjithë niveleve në qytet, komuna dhe bashkitë e qarkut të Tiranës." "Për mbarëvajtjen e proçesit mësimor, shtoi ai, aktualisht është hartuar një plan i posacëm masash, ku përveç strukturave të rendit dhe qarkullimit rrugor, janë ngarkuar me detyra specifike edhe Struktura Kundër Krimit të Organizuar dhe atyre Kundër Krimeve ndaj Personit, me qëllim ndjekjen në vazhdimësi të problemeve të kriminalitetit, krimeve ndaj personit, kundër drogës, kundër trafiqeve të paligjshme etj", tha Drejtori i Policisë se Tiranës. /a.ke/






