Do të vijë një ditë kur njerëzit do të vendosin vullnetarisht një çip kompjuteri në tru. Të paktën kështu beson D. Scott Phoenix, sipërmarrës teknologjik dhe investitor në Silicon Valley, i cili paralajmëroi gjatë konferencës TED 2026 se bashkimi mes njeriut dhe inteligjencës artificiale është shumë më afër sesa mendohet.

“Së pari do ta bëjë dikush me të cilin punoni. Ju do të rezistoni për pak kohë, siç bëtë dikur me smartfonët. Por në fund nuk do t’i shpëtoni dot”, deklaroi ai para audiencës në Vancouver. “Avantazhet e integrimit do të jenë shumë të mëdha”.

Ajo që dikur tingëllonte si fantashkencë po kthehet gradualisht në një debat real në industrinë teknologjike amerikane. Disa nga figurat më të fuqishme të Silicon Valley besojnë hapur se e ardhmja e njerëzimit lidhet me bashkimin biologjik me AI.

Sam Altman, shefi i OpenAI, kishte deklaruar që në vitin 2017 se “bashkimi” me inteligjencën artificiale mund të jetë “skenari më i mirë për mbijetesën e njerëzimit”. Ndërsa miliarderi Peter Thiel është prej kohësh mbështetës i idesë së “transhumanizmit”, filozofia që synon transformimin radikal të trupit dhe mendjes njerëzore përmes teknologjisë.

Megjithatë, teknologjia është ende në fazat e para. Implantet cerebrale — të njohura si Brain-Computer Interfaces (BCI) — aktualisht përdoren kryesisht për qëllime mjekësore. Rasti më i njohur është ai i Noland Arbaugh, personi i parë që mori implantin e kompanisë Neuralink të Elon Musk. Arbaugh, i paralizuar nga qafa poshtë, tani mund të kontrollojë një kompjuter vetëm me mendje.

Por ndërsa implantet direkte në tru mbeten ende të rralla, forma më të lehta të neuroteknologjisë janë tashmë pjesë e jetës së përditshme: syzet inteligjente, orët smart, byzylykët e fitnesit apo aplikacionet që matin stresin dhe gjumin.

Dhe pikërisht këtu nis beteja e madhe. Këto pajisje nuk mbledhin vetëm të dhëna për aktivitetin fizik. Ato mund të regjistrojnë sinjale neurologjike, emocione, reagime psikologjike dhe modele sjelljeje — një thesar i ri informacioni që kompanitë teknologjike e konsiderojnë “nafta e shekullit XXI”.

“Nëse të dhënat janë nafta e shekullit XXI, atëherë të dhënat e trurit janë nafta bruto”, paralajmëroi ish-drejtoresha e UNESCO-s Audrey Azoulay në Financial Times. “Duhet t’i mbrojmë shumë më fort”.

Industria po rritet me ritme të frikshme. Tregu i ndërfaqeve tru-kompjuter aktualisht vlerësohet në rreth 350 milionë dollarë, por parashikohet të arrijë në 1.2 miliardë dollarë deri në vitin 2035. Ndërsa tregu i përgjithshëm i neuroteknologjisë mund të shkojë në 52 miliardë dollarë deri në vitin 2032.

Në Silicon Valley kjo shihet si revolucioni i ardhshëm teknologjik. Për kritikët, është fillimi i një gare të rrezikshme për kontrollin e mendjes njerëzore.

Ekspertët paralajmërojnë se zotërimi i sasive të mëdha të të dhënave neurologjike mund të përdoret për reklama ultra të personalizuara, manipulim sjelljeje, survejim psikologjik dhe ndikim të drejtpërdrejtë mbi vendimmarrjen e njerëzve.

Frika po shtyn disa shtete amerikane të reagojnë. Colorado, California, Connecticut dhe Montana kanë nisur të miratojnë ligje për mbrojtjen e “të dhënave nervore”, ndërsa në Senatin amerikan është propozuar edhe “MIND Act”, një projektligj që kërkon rregullim federal të të dhënave neurologjike.

Në qendër të debatit është pyetja më e madhe: a duhet të lejohen kompanitë private të kenë akses në mendimet dhe reagimet më intime të njeriut?

Susan Schneider, drejtoreshë e Qendrës për të Ardhmen e AI dhe Shoqërisë në Universitetin Atlantik të Floridës, e quan logjikën e bashkimit të njeriut me AI “thellësisht të shtrembëruar”.

Inteligjenca artificiale duhet të zhvillohet në mënyrë që të mbrojë privatësinë dhe të ndihmojë njerëzimin të lulëzojë”, deklaroi ajo.

Por figurat më radikale të Silicon Valley duket se mendojnë ndryshe. Peter Thiel ka folur hapur për transformimin e trupit njerëzor në një “trup të pavdekshëm”. Bryan Johnson, miliarderi i obsesionuar pas zgjatjes së jetës, deklaroi në fund të vitit të kaluar se “epoka e re e njeriut ka ardhur”. Ndërsa Dario Amodei, shefi i Anthropic, shkroi se njerëzimi po hyn në një “rit kalimi të pashmangshëm si specie”.

Vetë Phoenix beson se njerëzit nuk do të kenë zgjedhje tjetër përveç bashkimit me AI.

“Ose hipim në tren, ose mbetemi pas në një mënyrë shumë të keqe për ne”, tha ai. “Nuk besoj se do të jemi në gjendje të kontrollojmë një tru-zot. Kemi vetëm mundësinë ta humanizojmë atë”.

Kjo ide po shkakton reagime të forta si në të djathtë, ashtu edhe në të majtë në SHBA. Disa konservatorë paralajmërojnë se brezat e rinj po mësohen të jetojnë si “kafshë shtëpiake të makinerive”, ndërsa progresistët akuzojnë elitën teknologjike se po përdor AI vetëm për më shumë pushtet dhe pasuri.

Megjithatë, përplasja e madhe sapo ka nisur. Dhe nuk ka të bëjë më vetëm me privatësinë apo teknologjinë. Debati real sipas Politico, është shumë më i thellë: çfarë do të thotë të jesh njeri në epokën e inteligjencës artificiale.