Fëmijët e kryeqytetit por edhe të qyteteve të tjera, për rreth dy muaj do të kenë mundësi të argëtohen nën atmosferën e cirkut italian “Belluci”.
 
Këtë të diel, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ka theksuar se cirku Belluci do të japë shfaqje dy herë në ditë me kafshë ekzotike.
 
Më vjen shumë mirë që sërish e fillojmë këtë vit me aktivitete për qytetin duke u fokusuar tek fëmijët. Ju e dini edhe në punët e bashkisë gjithmonë kemi preferuar gjërat e para që kanë në fokus fëmijët, me çerdhet me kopshtet. Unë e di që Tirana nuk bëhet në një ditë me gjasa as në një vit as në një mandat por ideja është që me çdo mundësi që na jepet ne ti kushtojmë më shumë hapësira fëmijëve” ka thënë Erion Veliaj. 


Ai ka shtuar se, ky vit ka nisur me plot aktivitete, në kuadër të festave të fundvitit, një eksperiencë kjo mjaft e mirë e krijuar për të sjellë në Tiranë edhe cirkun me eksperiencë 100 vjeçare, Belluci. Kjo, tha Veliaj do i japë mundësi akoma më të shumta fëmijëve që të argëtohen.

Më vjen mirë që pas Krishtlindjeve dhe hapësirë pedonale që krijuam në Sheshin Nënë Tereza, ditëve pa makina më vjen mirë që pranoi ftesën tonë Cirku Belluci nga Italia. Ky është një cirk që ka rreth 100 vite eksperiencë dhe është krijuar në vitin 1920 dhe ne i kemi kërkuar që të parkohen në Tiranë për rreth dy muaj për ti dhënë mundësi gjithë fëmijëve të Tiranës po edhe fëmijëve nga qytetet përreth që kanë mundësi të vijnë në Tiranë duke pasur 2 shfaqje në ditë më kafshë ekzotike dhe me numra të tjerë cirku për të treguar që ky qytet fillimisht duhet të jetë me qytetarët më të vegjël me ata që ndoshta nuk kanë të drejtë të votojnë dhe nuk bëjnë shumë zhurmë por që meritojnë të gjithë të mirat e kësaj bote” përfundoi Veliaj.

Cirku “Bellucci” do të japë nga dy shfaqje çdo ditë, me kafshë ekzotike dhe numra të tjerë. “Fëmijët meritojnë të kenë gjithë të mirat e kësaj bote. Ndërkaq, Veliaj njoftoi se Bashkia e Tiranës do të nisë së shpejti investimin për “Parkun Ekskluziv për Fëmijët” në zonën e Liqenit.

Në qytet po krijohen disa ishuj, ku të parët që përfitojnë janë fëmijët e Tiranës”, shtoi ai.

Kryebashkiaku Veliaj, e ndoqi shfaqjen e parë të cirkut italian me 45 fëmijët e shtëpisë së fëmijëve “Zyber Hallulli” në Tiranë.


Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)