Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ka reaguar sërish pas shembjes së Çadrës së Cirkut të Tiranës, duke thënë se pavarësisht se ky është një moment i vështirë beteja nuk do të ndalet.

Margariti tha se derisa të gjendet një zgjidhje, artistët mund të bëjnë prova në palestrën e shkollës “Sinan Tafaj” në Tiranë.

“Nuk varet prej nesh, por ne në asnjë moment nuk e kemi ndalur betejën tonë. Gjatë pandemisë ka pasur disa aspekte të komunikimit që po vazhdojnë që një pjesë nuk kanë kaluar në ministrinë e Kulturës. Jemi në pritje të gjykimit të rastit nga gjykata. Nuk po fshihemi, ky është një moment i vështirë për cirkun. Ndërsa deri në një zgjidhje tjetër, artistët mund të bëjnë prova në palestrën e shkollës “Sinan Tafaj”. Ndërsa momentalisht për shkak të situatës, cirku do të jetë i lëvizshëm dhe do të mbahet në disa palestra të ndryshme nëpër shkolla.” , tha ajo.

Historia e prishjes së Cirkut të Tiranës

Historia e prishjes së Cirkut të Tiranës, ku përmbaruesit dhe artistët e cirku përplasen mes tyre vijon prej vitesh. Përplasjet kanë nisur që kur Gjykata Administrative me vendim të formës së prerë i ka kaluar truallin ku ndodhet cirku pronarit privat. Disa ditë më parë, përmbaruesit kanë shkuar për të zbatuar urdhrin e boshatisjes së Cirkut dhe mbylljen e çadrës së Cirkut, i cili është ekzekutuar pavarëisisht protestës së artistëve.