Akrobaci mahnitëse, iluzionistë që zhysin publikun në një botë misteri me truke të pabesueshme apo klounë që sollën buzëqeshje dhe hare. Kjo ishte ajo çfarë ofroi Cirk Marina Orfei, emri legjendar i cirkut italian, me një traditë mbi 50-vjeçare, mbrëmjen e kësaj të hëne në “Spectapolis” te stadium “Selman Stërmasi” në Tiranë, në një shfaqje të magjishme, që bëri bashkë një publik të shumtë në numër e të çdo moshe!
Për Marina Monti, trashëgimtare e një familjeje të njohur artistësh cirku, ky i fundit është shtëpia e saj, ndërkohë, ajo vlerëson faktin që për herë të parë ndodhet për një shfaqje në Shqipëri.
“Kjo është jeta ime që kur kam lindur. Unë kam lindur brenda në cirk. Prindërit e mi kanë lindur në cirk, ashtu si gjyshërit dhe stërgjyshërit e mi. Kjo është hera ime e parë në Shqipëri djhe të them të vërtetën është e mrekullueshme. Isha hasur me mjaft paragjykime për Shqipërinë dhe veçanërisht për shqiptarët por sot arrita të shoh me sytë e mi, që janë njerëz të mrekullueshëm. Shpresojmë të mos jetë hera e fundit që jemi këtu dhe të ketë aktivitete të tjera të këtij lloji.”, - shprehet ajo.
Artistja italiane vlerëson punën që ajo dhe qindra artistë të tjerë të Cirkut bëjnë, ndërsa shton se janë të gjithë shumë të rinj e që bëjnë pak nga të gjitha, gjë që ofron një spektakël të larmishëm.
“Gjëja më e bukur e kësaj pune është se nuk qëndrojmë kurrë të ndaluar në një vend më shumë se 10 ditë, kështu që kemi mundësi të shohim shumë vende të reja, ku nuk kemi qenë më parë.”, - vijon Monti.
Spektakli i Cirkut Orfei solli një performancë unike. Ndërkohë, ritmet e muzikës live dhe lojërat e dritave krijuan një atmosferë të paharrueshme