Çmimi Nobel për Ekonomi iu dha të hënën e 9 tetorit Claudia Goldin, profesoreshë në Universitetin e Harvard-it, për avancimin e të kuptuarit të rezultateve të tregut të punës së grave.

Goldin është vetëm gruaja e tretë që fiton çmimin, i cili u shpall nga Hans Ellegren, sekretari i përgjithshëm i Akademisë Mbretërore Suedeze të Shkencave, në Stokholm.

“Kuptimi i rolit të grave në tregun e punës është i rëndësishëm për shoqërinë. Falë kërkimit novator të Claudia Goldin, ne tani dimë shumë më tepër për faktorët themelorë dhe cilat barriera mund të kenë nevojë të adresohen në të ardhmen”, tha Jakob Svensson, kryetar i Komitetit për Çmimin në Shkenca Ekonomike, raporton agjencia e lajmeve Associated Press.

Ky vlerësim pason çmimet në mjekësi, fizikë, kimi, letërsi dhe paqe që u shpallën javën e kaluar. Çmimi i ekonomisë u krijua në vitin 1968 nga banka qendrore e Suedisë dhe njihet zyrtarisht si Çmimi i Bankës së Suedisë në Shkencat Ekonomike në kujtim të Alfred Nobelit.

Fituesit e vitit të kaluar ishin ish-kryetari i Rezervës Federale Ben Bernanke, Douglas W. Diamond dhe Philip Dybvig për kërkimet e tyre në dështimet e bankave që ndihmuan në formësimin e përgjigjes agresive të Amerikës ndaj krizës financiare 2007-2008.

Vetëm dy nga 92 laureatet e nderuara të ekonomisë kanë qenë gra.