PRISHTINË, 6 Mars/ATSH/.- Ambasadori i Britanisë së Madhe në Prishtinë, Ian Cliff, vizitoi sot Komunën e Gjakovës, ku u takua me Kryetaren e Komunës, Mimoza Kusari -Lila.
Sipas KosovaPress, Kusari-Lila e informoi ambasadorin britanik mbi proceset që po zhvillohen në komunën e Gjakovës, kryesisht me proceset zhvillimore ekonomike.
"Kemi biseduar me ambasadorin Cliff mbi angazhimet e institucioneve komunale në shumë procese, veçanërisht mbi ato ekonomike", tha kryetarja Mimoza Kusari-Lila. Ajo tha se, me ambasadorin Cliff është biseduar lidhur me zbatimin e Zonës së Lirë Ekonomike, mbi angazhimin tonë për mundësitë e funksionimit të aeroportit të Gjakovës, si dhe shumë çështje të tjera që i përkasin fuqizimit të Gjakovës në zhvillimin ekonomik.
Lidhur me diskutimin që është zhvilluar me ambasadorin Cliff, kryetarja e Gjakovës ka theksuar çështjen edhe për vizitat e qytetarëve minoritar serb në Kishën Ortodokse, në Gjakovë.
Ndërkohë, ambasadori Cliff tha se, kryetarja e Gjakovës po bënë maksimumin që ta fuqizoj zhvillimin ekonomik dhe biznesin dhe ta formalizojë atë, duke zgjeruar hartën e biznesit.
"E kam vlerësuar punën e kryetares sa i përket ambicieve të saj dhe institucioneve komunale në përpjekje të zbatimit të zonës së lirë ekonomike të aeroportit dhe të projekteve të tjera që do të mundësojnë shtimin e numrit të bizneseve dhe të punësuarve", tha ai.
Cliff tha se po mbështesin bizneset dhe po i përkrahin ato, kryesisht bizneset që zhvillojnë gratë. Në këtë kuadër, ambasadori britanik dhe kryetarja e komunës Mimoza Kusari-Lila vizituan edhe biznesmenen gjakovare Time Zenunin, e cila ka arritur me sukses në zhvillimin e biznesit të saj.
Ky projekt që po zhvillohet në Gjakovë, Hoq dhe Klinë "Bashkëpunimi ndëretnik i bizneseve joformale të Grave", është përkrahur e financuar nga ambasada britanike në Kosovë me moton "Suksesi arrihet me punë dhe qasje të drejtë". /m.m/











