VAU DEJES - Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, e shoqëruar nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA, gjeneralmajor Jeronim Bazo, ka inspektuar sot ish-poligonin e demontimit të municioneve në zonën e Hajmelit në Vaun e Dejës, i cili po i nështrohet një rikontrolli dhe pastrimi nga trupa dhe mjete të Forcave të Armatosura.
 
Ministrja Kodheli, pasi u njoh nga afër me punën që po kryejnë efektivat e FA për pastrimin e këtij ish-poligoni, ka theksuar se procesi i çmilitarizimit të "Hot Spoteve" vijon në të gjithë vendin.
 
“Ky proces është shumë i rëndësishëm për jetën e qytetarëve tanë. Forcat e Armatosura janë në krye të kësaj veprimtarie shumë të rëndësishme për komunitetin.” është shprehur ministrja Kodheli.
 
Ndërsa gjeneralmajor Bazo, i ka kërkuar banorëve të kësaj zone që të qëndrojnë larg ish-poligoneve të demontimit të municioneve.
 
“Është e pamundur që të kontrollojmë të gjithë territoret, prandaj edhe duhet bashkëpunim me komunitetin e zonës”, ka theksuar ai.
 
Gjatë këtij inspektimi ka qenë i pranishëm edhe kryetari i Bashkisë së Vaut të Dejës, Gjon Marku, i cili falënderoi FA, të cilat i janë përgjigjur keëkesës së pushtetit vendor duke u angazhuar për pastrimin e këtij territori me qëllim sigurimin e jetës së banorëve, pasi dy vjet më parë ka humbur jetën një banorë i këtij fshati.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)