Çmimet e kripura të kampeve verore ‘mbyllin’ fëmijët në shtëpi, prindërit për Report Tv: Shkojnë mbi 100 euro java

Kujdesi për fëmijët gjatë verës është kthyer në mision të pamundur për prindërit e punësuar. Pamundësi që ka shtruar rrugën për ngritjen e shkollave apo kampeve verore me çmime të çmendura, që në Tiranë  duken në trend.  Njoftimet për ekzistencën dhe koston e tyre gjenden kudo. Report Tv hulumtoi në rrjetet sociale, lidhur me pagesat. Çmimi më i ulët për 1 muaj shkollë verore, është 20 mijë lekë. Por ato shkojnë gjithnjë e në rritje, dhe kostot të një niveli mesatar kapin shifrat deri në 60 mijë lekë për fëmijë. 

“Fëmijët i mbaj në shtëpi gjatë verës, pasi nuk kam të ardhura për t’i dërguar në kamp”, thotë një prind për Report Tv.

“Vështirësi është, i mbajmë fëmijët si të kemi mundësitë, njëherë njëri, njëherë tjetri. Mirë do ishte t’i dërgonim në kamp, por kur nuk ke mundësi, nuk ke çfarë të bësh. Çmimet të vrasin”, thotë një tjetër prind.

“I mbaj fëmijët në shtëpi, kampet janë të shtrenjta, pagesa shkon deri në 100 euro në javë”, tregon një zonjë.

Report Tv shkoi në një nga lagjet më të mëdha të Tiranës, në Don Bosko. Prej 30 vitesh aty funksion fondacioni me të njëjtin emër ‘Don Bosko’. Brenda tij ka kopsht, shkollë, dhe fusha sporti në dispozicion të komunitetit përreth. Por kujdes të veçantë merr dhe organizimi i kampeve verore.

“Këtë vit kemi pranuar 450 fëmijë, kemi një staf me 90 animatorë me bazë vullnetare. Kapacitet ka mjaft, por nuk duhet ta ekzagjerojmë me numrat, pasi nëse është një numër i madh ka vështirësi për një shërbim cilësor. Prandaj ruhet një numër i kufizuar që të ketë cilësi. Qendra jonë e ka traditë organizimin e kampeve verore në përfundim të shkollës. Kampet verore i organizojmë në një periudhë 3 javore ose 1 mujore, marrin pjesë fëmijë nga klasa e parë, mosha 7-vjeçare deri në klasë të 8 ose të 9. Është i hapur për te gjithë fëmijët, më së shumti vijnë fëmijët që jetojnë në zonë, por jo vetëm, ka fëmijë që vijnë dhe nga larg. Kemi pjesëmarrje të larmishme. Është një gërshetim i bukur i lojës dhe edukimit. Fëmijëve në kamp përpos lojërave iu jepet mundësia të reflektojnë mbi disa tema, por kryesorja është argëtimi”, shprehet Don Bledar Huba, drejtori i Oratorit në ‘Don Bosko’.

Fëmijët këtu 'legjitimojnë' ato çfarë thotë Don Bledari. Të qeshur thonë se kalojnë kohë të bukur me njeri tjetrin në kamp 

“Është gjëja më e bukur e jetës time. Këtu kam përjetuar shumë gjëra të bukura. Kam kaluar shumë bukur, është shumë mirë. Bëjmë lojëra të ndryshme”, thotë njëri nga fëmijët që Report Tv gjeti në kampin e ‘Don Boskos’.

“Ky vit ishte fantastik, jemi kënaqur. Mezi po presim lojërat e vitit tjetër. Për mua është viti i dytë, luajtëm, kërcyem, shëtitëm. Kam zënë miq të rinj plot. Nga ky kamp do të mbaj mend miqtë, lojërat, kërcimet, gjithçka”, thotë një tjetër fëmijë.

“Kam qenë edhe në kampin jashtë Tiranës, këtu ka shumë fëmijë, luajmë argëtohemi. Kam ndryshuar shumë që kur kam ardhur këtu. Më pëlqen shumë kur luajmë me shokët”, thotë një djalosh i porsa kthyer nga kampingu në Razmë të Shkodrës.

Por kujdesi në 'Don Bosko' nuk përfundon brenda rrethimit. Don Bledari tregon për organizimet jashtë tij, kryesisht në fundjavë  

“Kampi bëhet kryesisht këtu, pasi ka numra të mëdhenj. Çdo javë ka nga një shëtitje ku fëmijët shkojnë në det, pishina, apo në mal. Pastaj kur mbaron kampi i madh, bëjmë disa kampe me numra më të kufizuar fëmijësh. Ku fëmijët janë pak më të përzgjedhur për të kaluar një eksperiencë kampingu jashtë, ku ata qëndrojnë për 1 javë, në bregdet ose në mal. Edhe këto me një pagesë të vogël, pasi ne përpiqemi ti mbulojmë shpenzimet. Këtu në ‘Don Bosko’ kemi zgjedhur që fëmijët të paguajnë një tarifë në regjistrim, tarifa shumë të vogla, me të cilat mbulohet uniforma e fëmijës dhe materialet logjistike për lojërat, pagesa shkon diku 1500, 2000 lekë për 3 javë që qëndrojnë paradite dhe pasdite”, thotë Don Bledari.

Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me OJF-të dhe fondacionet organizon çdo vit kampe verore falas. Këtu u vihet në ndihmë fëmijëve  në nevojë. Merren në mbrojtje  të vegjlit e dhunuar, të neglizhuar, por edhe fëmijët me aftësi ndryshe.

“Që prej fillimit të muajit qershor po organizojmë kampet verore me fëmijët, në bashkëpunim me qendrat komunitare dhe me OJQ-të partnere. Është një traditë e përvitshme organizimi i këtyre kampeve dhe nga viti në vit ne synojmë që të përfshijmë sa më tepër kategori të fëmijëve në nevojë për mbrojtje. Synojmë që të gjithë fëmijët e Njësive Administrative të jenë pjesë e kampeve dhe të marrin orët e argëtimit të parashikuara. Një fëmijë vjen 2 javë në kampin veror të organizuar nga Bashkia. Në fokus janë fëmijët që vijnë nga shtresat të vështira social-ekonomike, të cilët referohen nga punonjësit e Njësitë Administrative dhe fëmijët që janë frekuentues të qendrave ditore të bashkisë ose të organizatat partnere.  Kategoritë e fëmijëve në nevojë për mbrojtje mund të jenë ata të dhunuar, të abuzuar , apo të neglizhuar dhe janë fillimisht këta fëmijë të kategorive kryesore, por përfshihen edhe fëmijë të tjerë që kanë shprehur interesin për të qenë pjesë e këtyre kampeve. Të gjitha aktivitetet e organizuara në kuadër të kampeve verore të bashkisë Tiranë janë pa pagesë, janë të hapura për të gjithë fëmijët që kanë interes dhe transporti, ushqimi dhe gjithë facilitetet e tjera janë të mbuluara nga Bashkia dhe qendrat komunitare.  Çdo kamp ka kalendarin e aktivitetit dhe tipologjinë, një ditë e veçantë është për njohjen e fëmijëve për të drejtat e tyre, jo vetëm lojëra, por edhe edukim për të drejtat që ata kanë.  Në fokus edhe njohja e fëmijëve me strukturat e mbrojtjes kur mund të ketë dhunë, abuzim, keqtrajtim apo neglizhencë”, shprehet Jonita Kabashi, Përgjegjëse në sektorin e Njësisë së Mbrojtjes së Fëmijëve, Bashkia Tiranë.

Ne shkuam në një nga këto kampet në  'Eden Park' i vendosur në Daijas të Petrelës në Tiranë.  Kemi dëshmi nga fëmijë që janë rritur dhe sjellin kujtime nga koha në kamp, të cilët thonë se ka qenë një moment kyç për jetën e tyre. Kampi mund të mendohet si një kohë pushimi dhe zbavitje, por për një fëmijë që kalon momente të vështira në jetë, ky është një oaz qetësie. Është një çlodhje për fëmijët, për të harruar pak nga sfida që kanë në jetë dhe të marrin një pamje të re, për të vazhduar me një frymëzim të ri.

"Kompleksi 'Eden Park' ka 6 vite që operon këtu në Komunën Petrelë, ky fondacion mirëpret kryesisht fëmijë me probleme sociale duke ofruar një program zbavitje. Fëmijët vijnë për një periudhë 5 ditore, nga e hëna në të premte me fjetje në vend, ndërsa kampi mirëpret çdo vit nga 1200-1500 fëmijë. Fëmijët që përfitojnë nga kampi veror janë fëmijë me problematika sociale të identifikuar nga shërbimi social i bashkisë, nga organizatat lokale apo ndërkombëtare. Fëmijët që janë këtu janë nga gjithë Shqipëria”, thotë për Report Tv, Sylvain Vergnon, drejtori i Kampit Veror, ‘Eden Park’.

Por Eden Park, pa asnjë çmim, jo vetëm argëton të vegjlit në stinën e verës. Shumë prej tyre orientohen me program mësimor. Dhe në veçanti për të mësuar rreth të drejtave të tyre, apo për institucionet që duhet ti marrin në mbrojtje.

“Fëmijët kanë një program aktiv gjatë gjithë ditës, me pushim vetëm pas dreke. Kampi ka kapacitet prej 150 fëmijësh të ndarë në 5 grupe dhe fëmijët kalojnë nga stacioni në stacion. Lojëra sportive, lojëra argëtuese, pishina, kemi kohë për reflektim, bashkëbisedim, që fëmijët të marrin vlera për të ndërtuar jetën e tyre në sfidat që kalojnë në jetë.

Kampi veror ka si synim parësor argëtimin, zbavitja dhe natyra janë dy elementet të rëndësishme për ti shkëputur nga rutina, nga problemet në familje apo situata ekonomike ku ndodhen. Programi është i mbështetur në një program edukativ, aktivitet psikosocial, që fëmijët të ndërtojnë marrëdhënie me njëri tjetrin dhe të informohen për të drejtat e tyre dhe mekanizmat për mbrojtjen e tyre”, shprehet drejtuesi i 'Eden Park', Sylvain Vergnon.

'Eden Park' është si një shtëpi e bukur për këta fëmijë. Jo vetëm që ndjejnë kujdesin, por zënë shokë e miq të rinj. Ata duan përherë të kthehen në vendin ku u falet dashuri, dhe kujdes.

“Këtu është shumë bukur, është nice, është hera e parë që vij, ma rekomandoi kushërira, më ka mbetur dhe një ditë e gjysmë, është vend i bukur dhe argëtohesh shumë. Gjithë ditën i lodhur nga lojërat që bëjmë”, thotë një prej fëmijëve që ndodhet në 'Eden Park'.

“Deri më tani po më pëlqen shumë futbolli, por ka edhe lojëra të tjera si pingpong, basketboll dhe shah. Do ikim të shtunën. Kjo është hera e dytë që vij këtu, kam qenë dhe në 2019. Më duket shumë kamp i mirë. Kemi shumë vend për të kaluar kohën, kemi pishina, kemi shumë sporte, kemi kohë që mund të kalojmë me njëri-tjetrin. Kam zënë disa shokë dhe shoqe”, thotë një tjetër fëmijë që vjen për herë të dytë në këtë kamp.

Por pavarësisht kësaj hapësirë të vogël, të bukur, gjatë vëzhgimit të Report Tv, kampet verore falas janë shumë pak. Po aq pak janë edhe kampet me çmime të arsyeshme. Me fat janë vetëm ata fëmijë, prindërit e të cilëve ua mban xhepi pagesa të majme për argëtimin e tyre në verë. Pjesa tjetër e fëmijëve në Tiranë qëndrojnë në shtëpi.

“Fëmijët i lë me prindërit, të madhen e çoj në kopsht. I kemi konsideruar kampet verore, por ato nuk është se zgjasin shumë dhe për momentin jemi në shtëpi. Çmimet e Kampeve verore janë pak të kripura për rrogat e një familjeje me rroga mesatare”, thotë një prind për Report Tv.

“Kam 2 nipër, i mbajmë vetë, unë i mbaj pasdite dhe gruaja i mban paradite”, thotë një gjysh, të cilin e gjetëm në kodrat e Liqenit me nipin e tij.

“Kam nënën dhe gjyshin në shtëpi. Nuk kemi mundësi për t’i dërguar në kampet verore, ato që kam pyetur sikur janë shtrenjtë”, thotë një tjetër prind që është i detyruar t’i mbajë fëmijët në shtëpi gjatë pushimeve verore.

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë