Kultivuesit e kastravecave në serat e Lushnjes kanë ndërprerë tregtinë pasi çmimi i shitjes me shumicë ka rënë ndjeshëm vetëm me 15 lek/kg. Ata thonë se nuk justifikon shpenzimet e vjeljes dhe transportit.

‘Në qoftë se para 3-4 vitesh kastraveci në muajin maj shitej 50 lek sot është 150 lek të vjetra për kg. Ky kastravec ka dy javë që nuk vilet se nuk ka treg. Shitet 2 mijë lek një arkë me 16 kg. Me 2 mijë lek arka unë jam i falimentuar. Ne e shesim me 150 lek ndërsa konsumatori e merr me 700 lek/kg. Ne digjemi jo tregtarët’, thanë ata.

Ndërsa Ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca e ftuar të enjten në "Studio Live" tha se  hartojmë një platformë për të vendosur çmimet ditore për produktet bujqësore, në mënyrë që të ketë transparencë ndaj fermerëve dhe tregtarëve.

"Tregu i ekonomisë së lirë duhet të funksionojë vetë, por ne duam të kryejmë urë ndërlidhëse mes fermerëve dhe tregtarëve. Ndaj po ngremë dhe një platformë, së bashku me BERZH, ku do të vendosim çmimet ditore të një sërë produktesh bujqësore për të pasur transparencë ndaj fermerëve dhe tregtarëve", tha Krifca.

Ministrja foli dhe për skemën e re të mbështetjes financiare për fermerët.

"Kemi vënë një masë që rimbursojmë fermerët për prodhimet në sera për hektarë për inputet bujqësore. Ata marrin pagesë direkte për këtë çështje", tha ministrja e Bujqësisë.