Fermerët e zonës së Imshtës buzë lumit Seman në Lushnjë prej vitesh të specializuar për kultivimin e shalqirit në fushë të hapur, sot po përballen me mungesë tregu.

Për shkak të këtij problemi dhe çmimit të ulët, shalqiri  po kalbet pasi është lënë në tokë.

Fermerët e Imshtës që është zona e dytë pas Divjakës e njohur për volumin dhe cilësinë shalqirit që prodhon jo vetëm për vendin tonë por edhe në rajonin ku eksportohet, thonë se çmimi nuk mbulon as kostot e prodhimit.

'Kam mbjell 8 dynym, kam hequr 100 kuintal me 80-70 lekë tani kërkohet me 50 lekë. Çfarë të bëjë , duam të ushqehemi nuk ushqehemi dot, unë për veten time kam marrë kredi, çfarë do të bëj unë për ta larë kredinë.

Kostot e një shalqiri shkojnë 40 lekë, 12 lekë e duan punëtorët, 8 lekë shpenzimet transport dhe shkon 60-70 lekë kostoja e një shalqiri. Tregtar nuk ka ata që janë e kërkojnë 5-6 lekë, por ne nuk nxjerrim dot kostot pasi duhet të paguajmë edhe 12 lekë për ta nxjerr shalqirin atje ku e duan.

Ne po e shesim me 50 lekë plus që s’ka kërkesa fare.

Nuk marrim dot shpenzimet tona, ky shalqi duron dhe 1 javë, kemi hedhur lekë në parcela dhe nuk marrim lekët tona”, shprehen fermerët.

Në një kohë kur fermerëve po ju shkon dëm 50% e prodhimit për shkak të çmimit të ulët me të cilin tregtarët kërkojnë tua marrin, në Tiranë 1 kg shalqi kushton minmialisht 6 herë më shtrenjtë se në vendin e prodhimit.

“Çmimi është 5-7 lekë dhe në Tiranë është 350 lekë,  ky është një abuzim midis fermerit që prodhon dhe qytetarit që e blen”, thotë një fermer.

Fermerët që kanë mbi 25 vjet që merren me ketë kulturë përveç mungesës se tregut e lidhin këtë situatë edhe me shtimin e fermerëve të vegjël që  sipas tyre po bëjnë një luftë të pandershme, pasi mbjellin sipërfaqe të vogla dhe e shesin me çmim të lartë.