Sipas KosovaPress, gjatë takimit, ministri Çollaku njoftoi ambasadorët për kontekstin e përgjithshëm politik dhe krijimin e institucioneve të reja, si dhe për prioritetet e procesit të integrimit Evropian të Qeverisë së re të Republikës së Kosovës.
"Gjatë takimit, Ministrit Çollaku nëvizoi rëndësinë e nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Sa i përket procesit të liberalizimit të vizave, Ministri theksoi se gjatë javëve në vazhdim të gjitha institucionet do të angazhohen për përmbushjen e rekomandimeve të mbetura për liberalizimin e vizave.
Ministri Çollaku nënvizoi përkushtimin e Qeverisë për të adresuar reformat kyçe në kuadër të procesit të integrimit, me theks të veçantë në sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik dhe reformën e administratës publike.
Ai po ashtu u zotua se do të punojë shumë në parandalimin e dukurisë së fundit të migrimit ilegal, e cila është shumë e dëmshme për integrimin e Kosovës në Bashkësinë Evropiane.
Ministri për Integrim Evropian, Bekim Çollaku falënderoi të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian për mbështetjen e vazhdueshme të Kosovës në kuadër të procesit të integrimit.
Shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini dhe Komisioneri për Zgjerim Johannes Hahn përshëndetën krijimin e institucioneve të formuara dhe shprehën gatishmërinë e tyre për të punuar së afërmi me institucionet për Integrimin e Republikës së Kosovës në BE.
Ambasadorët i uruan Ministrit Çollaku detyrën e re duke i ofruar bashkëpunim të plotë me Ministrinë që ai do t'a drejtojë si dhe bashkëpunim me të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës", theksohet në njoftim.