LETONI, Riga - Trajneri i Dinamos, Ilir Daja dhe sulmuesi Lorenco Vila dolën në konferencën për shtyp në prag të sfidës së parë ndaj Audas, e vlefshme për turin e tretë kualifikues të Conference League. Takimi do të zhvillohet sot në Riga, me fillim nga ora 18:00.
Tekniku i 'Bluve' vlerësoi skuadrën letoneze, por u shpreh i bindur se gara për një vend në fazën 'play-off' do të mbetet e hapur deri javën që vjen në ndeshjen e kthimit në Shqipëri.
"Na pret një përballje e vështirë, pasi në këtë fazë të Conference League nuk ka kundërshtarë të lehtë. Edhe ne, edhe Auda vijmë pas kualifikimeve me fitore në turin e dytë. Ata kanë disa vite radhazi që marrin pjesë në kompeticionet evropiane dhe janë në ritëm kampionati, por edhe ne kemi fituar vazhdimësi pas katër ndeshjeve në Evropë”, deklaroi Daja.
Trajneri i Dinamos bëri të ditur se stafi teknik ka analizuar me kujdes kundërshtarin, sidomos dy përballjet e fituara ndaj Steauas së Bukureshtit, duke vlerësuar cilësitë individuale të lojtarëve të Audës.
“Kemi analizuar Audën dhe besoj se kualifikimi do të vendoset pas 180 minutash. Për ne është shumë e rëndësishme të bëjmë një paraqitje pozitive në ndeshjen e parë dhe ta lëmë gjithçka të hapur për sfidën e kthimit në Shqipëri”, theksoi ai.
Daja shtoi se eksperienca e fituar nga Dinamo në edicionet e fundit evropiane, si dhe grupi i plotësuar, i japin skuadrës besim për të synuar një tjetër kualifikim.
“Vitin e kaluar arritëm deri në fazën ‘play-off' dhe synimi ynë është të vazhdojmë në të njëjtën rrugë. Këto ndeshje janë të rëndësishme jo vetëm për klubin, por edhe për lojtarët e rinj, të cilët kanë mundësinë të promovojnë vlerat e tyre në arenën evropiane”, përfundoi trajneri i Dinamos.
Në konferencën për shtyp ishte i pranishëm edhe sulmuesi Lorenco Vila, i cili u shpreh optimist para sfidës me Audën.
“Kam shënuar dy gola në dy raundet e para dhe jam në një moment të mirë. Jam shumë i lumtur për kualifikimet që kemi arritur si skuadër dhe shpresoj që të vazhdojmë në të njëjtën mënyrë”, deklaroi Vila.
Sulmuesi i Dinamos theksoi se skuadra respekton kundërshtarin, por beson te forcat e saj.
“Na pret një ndeshje shumë e vështirë, që kërkon përqendrim maksimal. E vlerësojmë Audën, por kemi besim se mund të arrijmë një rezultat pozitiv. Ekipi është në gjendje shumë të mirë, si nga ana fizike, ashtu edhe psikologjike”, u shpreh Vila.
Po sot, por në orën 21:00 në fushë do të zbresë edhe Egnatia. Kampionët e Shqipërisë kanë një detyrë shumë të vështirë në Dublin kundër vendasve të Shamrock Rovers. Kjo do të jetë sfida e parë për turin e tretë kualifikues të Europa League.







Komente
Komento