Sot është një ditë tejet vendimtare për futbollin shqiptar, pasi katër skuadra do të impenjohen për turin e dytë të Konference League. Përballjen me të fortë padiskutim që do ta ketë Partizani, që luan në transfertë në orën 20:15 kundër Bazelit të Taulant Xhakës. Zviceranët janë një ekip i mësuar me kompeticionet europiane, përfshirë edhe Champions League, ndërsa trajneri i Partizanit Ilir Daja para ndeshjes është shprehur optimist. Ai ka deklaruar se ‘nëse Partizani ka një ëndërr duhet ta vërë në zbatim që në Zvicër’. Pra të kuqtë nuk e konsiderojnë as një humbje me rezultat të ngushtë, çka mund t’i jepte mundësinë për përmbysje javën e ardhshme në Shqipëri.
Vllaznia kërkon të shkruajë historinë në Kupat e Europës. Pas rikthimit pas 10 vitesh kuqeblutë kanë udhëtuar drejt qipros ku do të përballen me Ael Limasolin. Shkodranët kanë realizuar edhe stërvitjen e fundit për t’u bërë gati për sfidën në transfertë.”
Erdenis Gurishta, kapiten i Vllaznisë: “Të themi të vërtetën Aeli është favorite, Jo për shkak të buxhetit apo meqënse ka marrë pjesë në këto turne rregullisht, por sepse kanë lojtarë me shumë eksperiencë, që kanë luajtur në nivele të larta. Gjithsesi ato janë favoritë në letër, por ne do japim maksimumin por besoj dhe shpresoj shumë te një rezultat pozitiv.”
Ndërkohë në orën 19:00 Teuta, që është edhe e vetmja skuadër shqiptare favorite, pret në Niko Dovana ekipin e Andorës Inter Eskalandes, ndërsa po në të njëjtën orë Laçi do përballet në fushën e saj me rumunët e Craiovas.