Italia forcon masat, ulet numri i viktimave dhe të infektuarve në 24 orët e fundit, 952 janë shëruar! Conte: Beteja më e vështirë nga lufta e Dytë Botërore

ITALI- Në Itali do të mbyllen të gjitha aktivitetet prodhuese që nuk janë të domosdoshme për të garantuar nevojat thelbësore, si masë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. Në 24 orët e fundit në Itali janë regjistruar 651 vdekje, ku dje ishin 793, të cilat në total janë 5476.  Duke e cilësuar betejën me COVID-19, si më të vështirën që ka kaluar vendi që nga lufta e dytë Botërore, kryeministri Italian Giuseppe Conte, siguroi të gjithë qytetarët se do qëndrojnë të hapura të gjitha supermarketet dhe dyqanet ushqimore, për këtë arsye nuk ka nevojë për të mbajtur radhë apo të krijohen grumbullime.  Ai bëri me dije se do të ngadalësohet motori i prodhimit vendas, por nuk do të ndalohet krejtësisht, teksa theksoi se është i vetëdijshëm se është një vendim i vështirë, por e sheh si të vetmen formë për të parandaluar një bilanc edhe më tragjik.

“Të gjitha gjitha supermarketet , dyqanet ushqimore dhe nevojat themelore do të vazhdojnë të jenë të hapura . Nuk ka asnjë arsye për të mbajtur radhë dhe për të nxituar për blerje. Farmacitë, bankar, shërbimet e sigurimeve postare do të mbeten të hapura, ne do t'i sigurojmë të gjitha shërbimet thelbësore publike. Do të ngadalësojmë motorin e prodhimit të vendit, por nuk do ta ndalojmë. Nuk është një vendim i lehtë, por është e nevojshme në mënyrë që të kemi mundësi të kontrollojmë përhapjen e epidemisë”, tha Conte. Këto masa të reja do të hynë në fuqi ditën e hënë (23 mars) dhe vijnë një ditë pasi Italia regjistroi numri më të lartë të viktimave brenda 24 orëve, ndonëse sipas ekspertëve nuk është arritur ende kulmi i kësaj epidemie.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:46
Koronavirusi në Turqi/ 21 të vdekur dhe 947 persona në prekur nga koronavirusi deri më tani

1584868235_autokoronavirusi31584863353.jpg

Në Turqi kanë ndërruar jetë edhe 12 persona të tjerë nga COVID-19, duke e çuar numrin e vdekjeve në 21.

Sipas ministrit turk të Shëndetësisë, Fahrettin Koca, personat që kanë humbur jetën nga koronavirusi janë të moshuar.

Gjithashtu shtoi  se në 24 orët e fundit janë bërë 2.953 teste tek personat që dyshohet se janë infektuar me koronavirus dhe se 277 prej tyre kanë testuar pozitiv.

 Ndër të tjera ai shtoi se numri i përgjithshëm i të infektuar në vend është rritur në 947 persona.

“Le t’i paralajmërojmë njerëzit tanë të moshuar. Ata duhet të respektojnë kufizimet e largimit nga shtëpia”, ka shkruar ai.

Ora 18:24
Koronavirusi/ Ulet numri i viktimave dhe të infektuarve në 24 orët e fundit në Itali, 952 të shëruar

Grafiku mbi gjendjen në Itali, numri i viktimave dhe të infektuarve në rënie 
 

Në 24 orët e fundit në Itali janë regjistruar 651 vdekje, ku dje ishin 793, të cilat në total janë 5476. 

Ka 3,957 të infektuar të rinj, më pak se dje kur u regjistruan 4821, duke sjellë gjithsej 46.638.

Kurse të shëruar janë 952 brenda një dite, në total deri tani 7024.

Sipas Angelo Borrelli nën kujdesin intensiv janë 3009 persona, 152 më shumë se dje. 

"Numrat e sotëm janë më të ulët se ata të djeshmit”, është shprehur Borrelli.

 

Ora 18:03
Koronavirusi/ Rëndohet situata në Greqi, brenda 24 orëve humbin jetën 15 persona

1584897260_korona.jpg

Gjatë 24 orëve të fundit në Greqi, kanë humbur jetën nga Covid-19 15 persona.

Ndërkohë që 624 persona janë të prekur nga koronavirusi.

124 pacientë janë duke u trajtuar në spital dhe 34 prej tyre ndodhen në gjendje kritike.

Mosha mesatare e personave të prekur me koronavirus është mbi 60 vjeç, ndërkohë që 55.7 % e rasteve janë meshkuj.

Ora 17:14
Koronavirusi/ Vogëlushja merr në telefon policinë e i falenderon: Jeni të mrekullueshëm, ju dua! (VIDEO)

Një vajzë e vogël e quajtur Noemi ka bërë një gjest shumë domethenës për forcat blu të Italisë.

Ajo I ka rënë linjës së tyre duke I uruar për gjithë punën e palodhshme që bëjnë.

 “Unë jam një fëmijë dhe emri im është Noemi, a mund t’ju lexoj një letër?”, ka thënë vajza.

Operatori i selisë së policisë nw Viterbo qeshi kur e dwgoi vajzën dhe sigurisht që pranoi.

 “Të dashur policë, puna juaj është e bukur dhe e rrezikshme, juve po bëni shumë. Ju po kaloni nga rruga në rrugë për t'u thënë të gjithë qytetarëve që të qëndrojnë në shtëpi, megjithëse për fat të keq disa njerëz nuk i respektojnë rregullat. Vazhdoni të jeni të mrekullueshëm. Një falënderim i madh për mjekët që po përpiqen të shpëtojnë shumë njerëz të sëmurë. Ju dua ", ka thënë vogëlushja në linjën telefonike të publikuar nga La Repubblica.

Kujtojmë që pjesa më e madhe e globit po përballet me një forcë të padushme të quajtur koronavirus, një virus I ri që prek kryesisht rrugët e frymëmarrjes.

Ora 13:49
Gjithë bota mbështet Italinë, mbërrijnë mjekë nga Rusia dhe Kuba (VIDEO)

E gjithë bota mobilizohet për të ndihmuar Italinë  në përballjen me koronavirusin. Sot pasdite mbërrijnë në Itali 37 mjekë dhe 15 infermierë nga kuba. Ndërkohë që nga Rusia mbërriti avioni i parë me aparatura. Ndërsa të enjten do të vijë nga kina ngarkesa e parë me 3 milionë maska.

Përgatitja e mjekëve kubanë është e njohur në të gjithë botën. Ata ndërhynë në Haiti gjatë krizës së krijuar nga tërmeti dhe më pas nga kolera. Kanë punuar në Sierra Leone ku ndihmuan për të zhdukur Ebolën. Dhe tashmë janë gati ta bëjnë të njëjtën gjë në Krema në Itali.

Kjo ndihmë është plotësisht në formë solidare mes popujve të Italisë dhe Kubës. Solidariteti mes popujve gjatë këtyre orëve nuk po njeh kufij. Avioni i parë i forcave të mbrojtjes ruse është nisur më ushtarakë të specializuar për të ndihmuar autoriteteve italiane në luftën ndaj koronavirusit.

Janë 120 specialistë midis tyre epidemiologë dhe virologë si dhe disa kamionë që shërbejnë për dezinfektimin. Rusët po sjellin në Itali edhe spitale të lëvizshme, 100 ventilatorë për mushkëritë si dhe 500 mijë maska. Sot nisen 5 avionët e parë, të hënën do të mbërrijnë edhe 4 të tjerë.   

Kompania italiane Alitalia në bashkëpunim me Mbrojtjen Civile italiane kanë siguruar transportin për të sjellin nga Kina disa avionë me ndihma.  Avioni i parë nga kina do të mbërrijë në Itali të enjten me 3 milionë maska.

Ora 13:04
Drejtori i OBSH-së: E kam një mesazh për të rinjtë, ju nuk jeni të pathyeshëm!

"Pacientët më të rinj me simptoma Covid-19 kanë qenë në fillim të të 20-ve. Në tërësi ne e shohim të gjithë spektrin demografik, pavarësisht nëse je në pavionë normalë apo në pavionët e intensivit", thotë mjeku Clemes Wendtner nga klinika e infektivit në spitalin e Mynihut, Schvabing. Wendtner ka trajtuar që në fund të janarit rastet e para me virusin Covid-19, pacientët e parë të infektuar në Gjermani. "Kjo duhet t'i shkundë të gjithë, që të respektojnë masat e higjienës dhe rregullat." Rreziku nga virusi i ri është nënvlerësuar shumë në fillim, si nga politika edhe nga shkenca, pranon Wendtner.

Veçanërisht të rrezikuar janë personat e moshuar dhe të sëmurët, por edhe pacientët me shëndet të mirë, por me probleme me mushkërinë, si për shembull duhanpirësit dhe pacientët me astma, shpjegon shefi i klinikës.

Edhe diabetikët dhe njerëzit me tension të lartë të gjakut janë të rrezikuar, sepse tensioni i lartë bën që të mos furnizohen mirë organe si mushkëria. Modelet epidemiologjike kanë treguar, se efektet e mbylljes së shkollave dhe dyqaneve më së herëti do të duken pas tre javësh, thotë Wendtner. Edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë apelon tek të rinjtë që të respektojnë në krizën e Coronës rregullat e vendosura.

"E kam një mesazh për të rinjtë", tha drejtori i përgjithshëm i OBSH, Tedros Adhanom Ghebreyesus në Gjenevë. "Ju nuk jeni të pathyeshëm." Vërtet që për të moshuarit ekziston rreziku më i madh i infektimit me Sars-CoV-2 dhe të zhvillohet sëmundja e mushkërive, Covid-19. "Por nuk është se ajo i anashkalon të rinjtë", tha Tedros. "Ky virus mund të thotë edhe për ju shtrim disajavor në spitale, ose edhe mund t'iu vrasë"  /DW

Ora 12:52
Përse kaq shumë viktima në Itali? Analiza e 'Corriere della Sera'

1584878179_325.jpg

Janë 53.578 raste pozitive të konfirmuara në Itali sipas buletinit të Mbrojtjes Civile, që ka dalë të shtunën në mbrëmje. 17,708 pacientë në spital, nga të cilët 2.857 nën kujdes intensiv. Numri i vdekjeve u rrit në 4,825. Në Evropë, Spanja arrin në mbi 25,000 raste pozitive me mbi 1.300 të vdekur, Gjermania tani ngjitet menjëherë para SHBA me 22.223 raste të konfirmuara (ka kaluar Iranin), por “vetëm” 84 të vdekur.

Çfarë ndodh në Itali? Në Kinë pati 3,259 vdekje, me një shkallë vdekshmërie 3,8%, sipas raportit të fundit të misionit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Në Itali shifra është në nivelin 9% (12.1% në Lombardi), ndërsa ajo e Vuhanit ishte në 5.8% dhe pjesa tjetër e Kinës u ndal në 0.7%. Si shpjegohet ndryshimi i Italisë, në krahasim me të gjitha vendet e botës? Faktorët që kontribuojnë në llogaritjen e të dhënave numerike janë të shumtë.

Duhet të konsiderohet se shkalla e vdekshmërisë është numri i vdekjeve për shkak të Covid-19 i pjesëtuar me numrin e përgjithshëm të rasteve të konfirmuara të infeksionit të koronavirusit, një vlerë që për këtë arsye, varet nga subjektet pozitive të gjurmuara.

Numrat e nënvlerësuar
Hipoteza e parë interpretuese është se në Itali ka shumë më tepër njerëz të infektuar: një studim i botuar në “Science” llogarit se për çdo person pozitiv ka të paktën 5-10 të patestuar. Një model matematikor i firmosur nga Livio Fenga i Istat, nga ana e tij tregon se si në 12 Mars, krahasuar me 12.839 raste të raportuara në Itali, personat e infektuar me Sars-CoV-2 mund të kenë qenë 105,789.

Nëse vërtet personat e infektuar janë dhjetë herë më shumë nga sa raportohet, përqindja e vdekshmërisë e llogaritur për të gjithë Italinë do të binte shumë pranë vlerave të Kinës kontinentale.

Sa tamponë kryhen
“Përqindja e vdekshmërisë në Itali është më e lartë sepse, përvçse kemi një popullsi më të moshuar, nuk janë duke u testuar (dhe si pasojë izoluar) rastet më të buta”, ka deklaruar kohët e fundit zëvendës drejtori i përgjithshëm i OBSH, Bruce Ayluard.

Personat e konfirmuar pozitivë janë ata që kanë bërë tamponin. Sa teste kryhen në Itali? Në ditët e fundit kjo çështje ka qenë objekt debati, duke qenë se ky numër përcakton ecurinë e epidemisë. Në çdo vend tamponët janë bërë me direktiva të ndryshme, shpesh herë sipas urgjencës së momentit. Kështu në Itali (ashtu si edhe në Kinë) në fillim u bëheshin teste të gjithë personave “të dyshuar”, atyre me kontakte me rastet pozitive apo atyre që vinin nga zonat “me risk” (edhe asimptomatikë), më pas u kalua (pas pothuaj një jave) në strategjinë ku u bëheshin tamponë vetëm personave me simptoma të rënda, por të cilët janë edhe ata më të prirur për të humbur jetën. Që atëherë, përqindja ndryshoi dhe vdekshmëria filloi të rritet. Duhet kujtuar gjithashtu se në rajonet që përjetojnë stresin më të madh shëndetësor (Lombardia dhe Emilia-Romagna), ku vdekshmëria është rritur tej mase, bëhen më pak tamponë për të prekur, në krahasim me pjesën tjetër të Italisë.

Por në terma absolute, testet për frymë nuk janë dhe aq të paktë, në 21 mars ishin bërë më shumë se 233 mijë: Italia ka bërë më shumë tamponë për një milion njerëz, krahasuar me të gjithë shtetet e tjerë, e kaluar vetëm nga Korea e Jugut.

Vatra ka prekur spitalet
Shpjegimi për renditjen e trishtë të vendit tonë mund të ketë të bëjë edhe me mënyrën se si numërohen të vdekurit: ata kishin pothuaj gjithmonë patologji të mëhershme, cili ka qenë shkaku i vërtetë i fundit të tyre? Një tjetër fakt rëndues është madhësie e vatrës lombarde: 10 vende ku zhvendosjet për arsye pune janë të shumta, me një infeksion që preku spitalet, të cilët nga ana e tyre kanë shërbyer si shumëfishues të infeksionit.

Mosha mesatare e lartë dhe patologjitë
Një variabël tjetër krahasuar me vendet e tjera është mosha mesatare shumë e lartë e italianëve: ne jemi të dytët në Evropë, në Kinë është shumë më e ulët. Në Korenë e Jugut, një vend që është marrë si shembulli më “i përafërt” (me 102 vdekje nga 8,799 raste dhe vdekshmëri në 0.01%), virusi ka prekur kryesisht gratë e reja: 30% të atyre pozitive janë në grupmoshën 20-29 dhe 62% janë gra (41.1% në Itali). Për më tepër, vetëm 3% e të gjitha rasteve të konfirmuara në Korenë e Jugut ishin më e pakta 80 vjeç. Tek ne, 36.3% e totalit është mbi 70 vjeç (burimi, Istituto Superiore di Sanità që nga 20 Marsi).

Një popullatë e moshuar do të thotë më shumë njerëz të dobët dhe që rrezikojnë të përkeqësohen, në fakt, me kalimin e viteve, shfaqen sëmundje të tjera: këto janë faktori kryesor i rrezikut për pacientët Covid-19. Problemet kardiovaskulare, hipertensioni, diabeti: sipas ISS, të ndjerët që nuk kishin patologji para-ekzistuese përfaqësojnë 1.2% të totalit, 48.6% kishin të paktën tre patologji të mëhershme.

Mushkëritë e duhanpirësit
Një faktor tjetër shoqërues: duke qenë se rezultati më serioz i Covid-19 është një pneumoni e rëndë, numri i vdekjeve mund të pasqyrojë edhe “statusin e mushkërive” të italianëve. Të mendojmë për pluhurin e imët të luginës së lumit Po, por edhe (veçanërisht tek njerëz të një moshe të caktuar) mbizotërimit të duhanpirësve tek rastet e rënda. Ende nuk ka studime të lidhura me këtë, por fakti që vdesin më shumë burra se gra, mund të jetë për shkak të këtij zakoni dhe me siguri ata që pinë duhan kanë më shumë të ngjarë të bëhen raste të rënda.

Ndërveprimi midis brezave
Në fund, disa analiza spekulojnë se ndryshimet në bashkëveprimet shoqërore luajnë një rol kryesor në përhapjen e epidemisë dhe, rrjedhimisht, në vdekshmëri. Dy studime, përkatësisht nga Universiteti i Oksfordit dhe Bonit, arrijnë në të njëjtin përfundim: në Itali të moshuarit shpesh kujdesen për nipërit e mbesat e tyre dhe, në përgjithësi, kanë kontakte të shpeshta me fëmijët dhe familjet e tyre. Përqindja e personave të moshës 30-49 vjeç që jetojnë me prindër është më pak se 5% në Francë, Zvicër dhe Hollandë; në vend të kësaj, në Japoni, Kinë, Korenë e Jugut dhe Itali ka shifra mbi 20%. Ndërveprimet e shumta mund të kenë acaruar epideminë në Itali, duke favorizuar infeksionin midis brezave: fëmijët e rritur dhe nipërit dhe mbesat (që janë më shpesh asimptomatikë) mund të kenë sëmurur në mënyrë të pavetëdijshme prindërit apo gjyshërit e moshuar. / Corriere della SeraBota.al

Ora 10:08
Janë heronjtë e ditëve të sotme, por tani mjekët ia marrin këngës: Një ditë e re me diell do vijë (VIDEO)

Kush tha se mjekët janë të aftë vetëm të shërojnë?! Përtej kësaj kanë dëshmuar se mund të shkojnë mjekët italiane, të cilët këto ditë në veçanti po bëjnë punënë më fisnike të mundshme.

Nëpërmjet disa veglave muzikore Shoqata e Mjekëve Shkencorë ka realizuar një këngë nëpërmjet së cilës synojnë të inkurajojnë qytetarët të rrinë në shtëpi, por edhe të frymëzojnë punonjësit sanitarë dhe vullnetarë të ndryshëm të bëjnë punën e tyre në këto ditë të vështira.

Në tekstin e tyre dëgjohet: "Në një botë që tashmë ngjall frikë ne do të ndihmojmë, e di apo jo? E gjithë kjo do të kalojë dhe më pas do të qeshësh, e ne do t'ia dalim dhe ti do ta shohësh. Por tani rri në shtëpi dhe dil vetëm për të blerë ushqime, nesër një ditë e re do të vij. E fluturon shpresa e njerëzve, e zgjodha të jem më i kujdesuri. Të bashkuar nga dashuria, nga dashuria e vërtetë. Në një botë që më pas do rilind dhe do të rifitojmë lirinë."

Ora 10:05
367 të infektuar, shënohet viktima e parë në Rumani...Një viktimë edhe në Kolumbi

1584868523_romania.jpg

Rumania dhe Kolumbia kanë regjistruar viktimat e para nga koronavirusi. Në Rumani, viktima është një 67-vjeçar i cili kishte ardhur nga Franca, përpara se të diagnostikohej me Covid-19. Referuar mediave rumune, 67-vjeçari vuante nga kanceri.

Ndërkohë në Kolumbi, ka ndërruar jetë nga 58-vjeçar. Ministri i Shëndetësisë, Fernando Ruiz bëri me dije se 58-vjeçari ishte taksist dhe kishte transportuar dy të huaj, nga të cilët mendohet se ishte infektuar. Ai ka ndërruar jetë më 16 mars, po shkaqet e vdekjes kanë konfirmuar 6 ditë më vonë. Në total, Rumania ka 367 të infektuar, ndërsa Kolumbia 210.

 

B.K./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Fier, neglizhuan mjekimin e 54-vjeçarit në 2022-in, pezullohen 3 mjekët (EMRAT)

Fier, neglizhuan mjekimin e 54-vjeçarit në 2022-in, pezullohen 3 mjekët (EMRAT)