Gati 61 tonë kokainë trafikoi organizata kriminale e Franc Çopjaa dhe Ervis Çelës nga Amerika Latine drejt Europës. SPAK thotë se në të paktën 5 episode, organizatës kriminale i janë sekuestruar 18.7 tonë kokainë.

Pjesë nga njoftimi i SPAK

Nga analiza e komunikimeve të enkriptuara në platformat SkyECC dhe EncroChat si dhe  nga ndërthurja e tyre me provat e administruara përmes kërkesave për ndihmë juridike ndërkombëtare dhe informacionit të shkëmbyer me autoritetet e huaja, rezulton se kjo organizatë kriminale ka organizuar dhe kryer trafikimin ndërkombëtar të një sasie jo më pak se 60,7 tonë kokainë nga Amerika e Jugut drejt vendeve të ndryshme të Europës, gjatë periudhës 2019–2021. Përmasat e këtij aktiviteti kriminal, shtrirja e tij gjeografike dhe volumi i sasive të trafikuara evidentojnë kapacitete të konsiderueshme organizative, logjistike dhe financiare, si dhe një rrjet bashkëpunimi ndërkombëtar, i cili ka mundësuar sigurimin e lëndës narkotike në vendet e origjinës, transportimin e saj përmes rrugëve ndërkombëtare dhe shpërndarjen në tregjet evropiane.

Në këtë kuadër, nga provat e administruara janë identifikuar disa episode konkrete të sekuestrimit të sasive të konsiderueshme të kokainës, të lidhura me periudhën e veprimtarisë së kësaj organizate, konkretisht:

Episodet e drogës që u sekuestrua
Dhjetor 2019 – Rotterdam, Holandë: sekuestrimi i rreth 255 kg kokainë.
Prill 2020 – Barcelona, Spanjë: sekuestrimi i rreth 495 kg kokainë.
Maj 2020 – Rotterdam, Holandë: sekuestrimi i rreth 300 kg kokainë.
Nëntor 2020 – Holandë: sekuestrimi i rreth 600 kg kokainë.
Shkurt 2021 – Hamburg, Gjermani: sekuestrimi i rreth 17 tonëve kokainë


Lajmi kryesor:

Trafikuan 61 tonë kokainë nga Amerika e Jugut në Europë, SPAK çon për gjykim organizatën kriminale të Franc Çopjas dhe Ervis Çelës! 16 të pandehur, 9 mln € pasuri të sekuestruara