Muzika Country dhe atmosfera e fshatit ndriçoi mbrëmjen në qytetin e Lezhës. Talentet e vegjël të artit të violinës, flautit dhe këngës afruan atmosferën e viteve 50 – 60 në Amerikë.
"Jam e gëzuar shumë sepse bëra diçka ndryshe dhe është mirë të tregosh traditat e qytetit", u shpreh një fëmijë.
Mbrëmjes së veçantë festive "Country Fest" iu bashkuan edhe të rriturit.
“Ky aktivitet është shumë interesant, tërheqës, adapt për stinën e kohën dhe aq më tepër për shkak të situatës që jemi ndodhur prej kohësh”, shprehet një qytetare.
Për ta organizime të tilla artistike duhet të bëhen më shpesh dhe të kthehen në traditë për Lezhën si një mundësi për brezat e rinj.
"Lezha ka pas dhe ka shumë talente dhe mendoj që me këtë talente që ka pse të mos të bëhet, të organizohet çdo pasdite tani verës, hapësirat janë, mundësitë janë", u shpreh një qytetar.
"Kjo është gjëja më e bukur që ndodh në ditët e verës verës, ku fëmijët janë prezent i kemi ndjekur dhe në Lezhë dhe në Shëngjin, I kanë dhënë shumë gjallëri qytetit. Ky është një tregues se arti dhe kultura në Lezhë po vlerësohen. Po krijohen një grup talentesh të rinj", shprehet një tjetër qytetar.
Përfaqësuesja e Qendrës Kulturore të Fëmijëve, Eva Zefi premton se në të ardhmen zhanre të tilla do të zënë më tepër hapësirë në jetën artistike të qytetit.
"Këto janë disa projekte që kemi dëshirë që çdo vit të jenë një traditë. Pse jo të bëhen dhe më shpesh. Prandaj dhe kur inicion diçka dhe shikon impaktin pozitiv, dëshirën e fëmijëve për të marrë pjesë. Ne mund t’i përsërisim disa herë, por kemi dhe projekte të reja në vazhdim dhe formate të tjera që të krijojmë sa më shumë risi tek fëmijët të provojnë gjera të reja", tha përgjegjësja Zefi.
Koncerti "Lezha Country Fest" zgjati për rreth 2 orë duke i dhënë qytetit mjaft gjallëri në këto ditë e net të nxehta vere.