Në Itali regjistrohen 11 viktima dhe 181 raste të reja Covid! 16.5 milionë infeksione në botë...Trump: Vaksina gati në kohë rekord

Në Itali regjistrohen 11 viktima dhe 181 raste të reja Covid! 16.5 milionë infeksione në botë...Trump: Vaksina gati në kohë rekord

Në të gjithë botën numri i përgjithshëm vdekjeve nga Covid-19 ka arritur në 650 mijë me mbi 16.5 milionë raste të konfirmuara të koronavirusit.

Shifrat e pacientëve të koronavirusit janë rritur në pikat më të nxehta të globit në Azi, Europë dhe Amerikë, duke shkaktuar rivendosje të kufizimeve, bllokimeve dhe detyrimin për mbajtjen e maskave.

Në grafikun e pandemisë kryeson renditjen  SHBA-ja e shoqëruar nga Brazili, India dhe Rusia.

Rritja e numrit të personave të infektuar në Shtetet e Bashkuara, e cila është prej kohësh epiqendra botërore e pandemisë, ka vazhduar në mënyrë të qëndrueshme: në 24 orët e fundit, në vend u raportuan rreth 57 000 persona të identifikuar pozitiv me infeksionin e Covid-19.

Kështu, numri i përgjithshëm i të prekurve është rritur në 4.28 milionë. Gjithashtu pati edhe 679 viktima, për një total prej rreth 147 500 vdekje të regjistruara që prej fillimit të pandemisë. 1.32 milion njerëz janë shpallur të shëruar nga koronavirusi.

Shtëpia e Bardhë njoftoi se Këshilltari për Sigurinë Kombëtare Robert O’Brien ka rezultuar pozitiv me COVID-19. Ai ka kontakte të shpeshta me Presidentin, megjithatë nuk dihet se kur janë takuar për herë të fundit.

Edhe ndihmës të mëparshëm të Shtëpisë së Bardhë, më parë kanë rezultuar pozitivë, përfshirë një punonjës të shërbimit personal të presidentin Trump si dhe Katie Miller, ndihmësja kryesore për cështje të komunikimit e Nënpresidentit Mike Pence.

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se "Vaksina e Kompanisë bioteknike Moderna ka hyrë në fazën e fundit të provave dhe në kohë rekord do të jetë gati".
"Ne do ta fitojmë betejën mbi Covid", siguroi Trump.

"Amerika do ta ketë vaksinën shumë shpejt",  shtoi Trump në një intervistë në FoxNews.

Edhe "Pfizer" gjithashtu ka filluar fazën përfundimtare të testeve të vaksinës.

Kompania farmaceutike së bashku me gjermanen "BionTech" kanë filluar provat klinike mbi afro 30,000 pacientë në 39 shtete të SHBA-së dhe pjesë të tjera të botës.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:26
Në Itali regjistrohen 11 viktima dhe 181 raste të reja Covid-19 në 24 orët e fundit

Sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë Italiane, gjatë 24 orëve të fundit në vend janë regjistruar 11 viktima nga koronavirusi, (dje ishin 5 viktima), për një total prej 35.123 që nga fillimi i emergjencës shëndetësore.

Autoritetet e shëndetësisë raportuan gjithashtu se sot u regjistruan edhe 181 raste të reja pozitiv, (dje ishin 170 raste) për një total prej 246.488

Në vend sot pati edhe 163 të shëruar për një total prej 198.756 ish pacientë

Në Rajonin e Lombardisë sot, pas 4 ditëve të kaluara me 0 vdekje, u regjistrua 1  viktimë nga koronavirusi për një total prej 16 802 vdekje, si edhe 53 raste të reja të pozitivitetit Covid, shifër që e rrit në 96 008 numrin e të infektuarve që nga fillimi i pandemisë në Itali.

Në rajon sot pati edhe 99 të shëruar për një total prej 72 528

Në repartet e terapisë intensive ndodhen të shtruar 13 pacientë dhe 151 (+14) në repartet e tjera Covid.

Ora 13:03
Covid/Greqi, regjistrohen 35 raste të reja me infeksionin e koronavirusit

Greqia sot ka regjistruar 35 raste të reja të konfirmuara me infeksionin e koronavirusit.

Katër prej të idenifikuarve pozitiv u konstatuan në pikat e hyrjes së vendit, theksuan autoritetet shëndetësore greke.

Që nga fillimi i shpërthimit të pandemisë, në Greqi janë prekur nga Covid 4.227 persona, ndërkohë që numri i vdekjeve ka arritur në 202

Sipas autoriteteve, 1.184 të infektuar nga numri i përgjithshëm i rasteve janë të lidhur me udhëtarë nga jashtë vendit.

Në fillim të këtij muaji, autoritetet shëndetësore greke shprehën shqetësime pasi disa raste me COVID-19 janë konfirmuar në mesin e pushuesve që hynë në vend gjatë sezonit turistik.

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis ka paralajmëruar qytetarët se rreziku i Covid-19 nuk ka përfunduar ende.

“Ne u morëm me valën e parë të pandemisë, por rreziku akoma është i rritur shumë”, tha ai në një postim në Twitter të hënën.

Ora 10:08
Covid/ Argjentina tejkalon pragun e 3000 viktimave nga infeksioni

Argjentina ka kaluar pragun e 3000 vdekjeve të shkaktuara nga pandemia e koronavirusit, teksa Ministri i Shëndetësisë, Ginés González García, ka pranuar se vendi "po kalon një periudhë të vështirë".

Sipas raportit të fundit nga autoritetet shëndetësore argjentinase, në 24 orët e fundit ka pasur një rekord me 121 vdekje, për një total prej 3059 vdekje, ndërsa numri i rasteve Covid është rritur në 167 416.

Situata në spitale gjithsesi mbetet e menaxhueshme, sepse përqindja e okupimit të shtretërve në këtë sektor është 54.2% në shkallë vendi (1.002 pacientë), dhe 63.5% në Buenos Aires, ku janë përqendruar mbi 90% të infeksioneve.

Ndërkohë, González García ka mbrojtur masat parandaluese të qeverisë për zbutjen e pandemisë dhe paralajmëroi se diskutimet për dobinë e karantinës nuk duhet të zhvillohen sikur të ishte një lojë futbolli.

"Nuk ka të bëjë me një derbi midis Boca-River, por shëndetin e të gjithë argjentinasve. Ne nuk jemi në fund të pandemisë, por në një nga momentet e saj të vështira".

Ora 10:03
Gjermania bën të detyrueshëm testin e Covid-19 për udhëtarët që hyjnë në vend

Ministri gjerman i Shëndetësisë Jens Spahn tha se “do të urdhërojë testimin e detyrueshëm për Coronën për udhëtarët që vijnë në Gjermani nga zona me rrezik të lartë”. 

Spahn njoftoi se testimi me detyrim bazohet në Ligjin për Mbrojtjen ndaj Infeksioneve dhe sipas konstatimit nga ana e Bundestagut në rastin e Coronës kemi një situate epidemike që ka përfshirë gjithë vendin. Për këtë shkak Ministria Federale e Shëndetësisë do t’i detyrojë udhëtarët që vijnë në Gjermani dhe që kanë qenë të ekspozuar ndaj një rreziku të shtuar infektimi që t’i nënshtrohen një ekzaminimi mjekësor. Pas heqjes së masave kufizuese miliona gjermanë janë nisur sërish për pushime brenda dhe jashtë vendit.

Vendet e rrezikshme

Lista me vendet që konsiderohen si zona me rrezik të shtuar infeksioni përcaktohet nga qeveria federale gjermane dhe Instituti gjerman për Sëmundjet Infektive “Robert Koch” (RKI). Sipas ministrit federal të Shëndetësisë ndër këto vende bëjnë pjesë Turqia apo vendet e Ballkanit Perëndimor. Kriter qendror për këtë klasifikim është numri i të infektuarve rishtaz gjatë shtatë ditëve të kaluara për 100.000 banorë.

Si të rrezikshme konsiderohen ato shtete ose rajone në të cilat gjatë shtatë ditëve të kaluara ka pasur më shumë se 50 vetë të infektuar rishtas për 100,000 banorë. Udhëtarët që vijnë nga vende që konsiderohen të parrezikshme mund të testohen vullnetarisht brenda 72 orëve – por jo në aeroport, por në klinika mjekësore ose tek Drejtoritë e Shëndetit Publik. Edhe këto testime do të jenë falas.

Ora 10:01
Covid/ Kina regjistron 68 raste të reja-shifra më e lartë që nga marsi

 

Pas 61 rasteve të reja të Covid-19 të regjistruara të dielën, gjatë 24 orëve të fundit Kina regjistroi 68 infeksione të tjera që rezulton të jetë shifra më e lartë ditore e raportuar që nga 6 marsi.

Sipas azhurnimeve të siguruara nga Komisioni Kombëtar i Shëndetit, u raportuan 64 infeksione të transmetuara në vend, përfshirë 57 në Xinjiang, 6 në Liaoning dhe një në Pekin.

4 rastet e mbetura u raportuan si të importuara: dy të konstatuara në Shanghai, një në Pekin dhe një në Yunnan.

Asimptomatikët e rinj të konfirmuar sot janë 34, nga të cilët 6 të importuar.

Ora 08:30
Nuk ndalet pandemia Covid në Amerikën Latine, Brazili regjistron më shumë se 87 mijë vdekje

Pandemia Covid nuk di të ndalet në Amerikën Latine.

Brazili, vendi më i madh i këtij territori,vazhdon të regjistrojë shifra të larta pasojash prej koronavirusit.

Në 24 orët e fundit në vend u regjistruan 23,000 raste të reja, me infeksione totale që arrijnë në rreth 2.5 milionë.

Gjithashtu autoritetet raportuan edhe 614 viktima të cilat e përkeqësuan bilancin e vdekjeve në 87 618.

Lideri brazilian Jair Bolsonaro i rikthyer në presidencë pas shërimit nga koronavirusi, tani po përballet me sulme nga mjekë të cilët kërkojnë një hetim ndërkombëtar mbi të për mënyrën katastrofike me të cilën ai menaxhoi pandeminë.

Bolivia, një nga vendet e goditura fort nga pandemia në Amerikën Latine, ka raportuar 2583 vdekje dhe rreth 70 mijë infeksione. Presidentja e përkohshme, Jeanine Anez, ka dhënë dorëheqjen pak ditë pasi u shërua nga Covid-19.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë