Covid/ 153 viktima në Itali, mbi 4.5 milionë raste infeksioni në botë! Trump: Po vlerësojmë vaksinimin falas të popullsisë

Covid/ 153 viktima në Itali, mbi 4.5 milionë raste infeksioni në botë! Trump: Po vlerësojmë vaksinimin falas të popullsisë

Në të gjithë botën numri i përgjithshëm i rasteve të infeksionit nga koronavirusi ka kapërcyer pragun e 4.5 milionë, sakësisht janë 4.543 230 kurse numri total i viktimave është rritur në 307 705.

SHBA në 24 orët e fundit u regjistruan 1680 viktima nga infeksioni i koronavirusit. Autoritetet raportuan gjithashtu se numri i përgjithshëm i vdekjeve nga Covid është rritur në 87 493 kurse totali i personave të identifikuar pozitiv ka shkuar ne 1.44 milion.

Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve dhe autoritetet shëndetësore të Sh.B.A-së, vlerësojnë se deri më 1 qershor numri i përgjithshëm i viktimave do rritet në 100 000. 

Trump, po vlerësojmë vaksinimin falas të popullsisë 

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se administrata e SHBA po vlerëson mundësinë që vaksina të jepet falas për popullsinë kur të bëhen të disponueshme.

Pas SHBA në renditjen e Universitetit Johns Hopkins ndodhet Rusia me më shumë se 262 mijë persona pozitiv nga Covid.

Renditja vazhdon më pas me Mbretërinë e Bashkuar me më shumë se 238 mijë të infektuar, e ndjekur nga Spanja me 230 mijë raste infeksioni nga koronavirusi.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:05
Covid-19, në Itali regjistrohen 153 viktima dhe 2605 të shëruar në 24 orë!

Sipas autoriteteve të Mbrojtjes Civile Italiane gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 153 viktima nga koronavirusi për një total prej 31 763

Sot numri i të shëruarve në Itali ishte 2605 kurse numri i përgjithshëm i të shëruarve ka shkuar në 122810

Autoritetet raportuan gjithashtu se sot u regjistruan edhe 875 raste të reja pozitiv për një total prej  224 760

Në Rajonin e Lombardisë sot u regjistruan 39 viktima, shifra më e ulët prej dy muajsh, për një total prej 15.450 nga fillimit të emergjencës shëndetësore.

Rastet e reja pozitive në rajon sot ishin 399 kurse numri i të shëruarve ishte 402.

Totali i të infektuarve që nga fillimi i pandemisë në Lombardi është 84,518

Në kujdesin intensiv në Lombardi sot ka tetë më pak pacientë, gjithsej 268. Janë 184 më pak persona të shtruar në spital që nuk janë në kujdesin intensiv.

Ora 17:10
Covid, Britania e Madhe rekord në Europë për numrin e viktimave nga koronavirusi

Britania e Madhe vazhdon të regjistrojë një numër rekord në Europë për nga numri i të vdekurve për shkak të koronavirusit.

Në vend, në 24 orët e fundit kanë ndërruar jetë për shkak të Covid-19, 468 individë.

Numri total i të vdekurve nga koronavirusi në vend ka shkuar në 34 466 persona.

Përsa i përket numrit të përgjithshëm të të infektuarve, Britania e Madhe ka një total prej 240 161 personash teksa në 24 orët e fundit ka regjistruar 3450 raste pozitive me koronavirus.

Ora 16:09
Covid, Greqia rihap plazhet në tentativë për të shpëtuar industrinë e turizmit

Plazhet publike në Greqi u rihapën pas mbylljes së imponuar nën masat e rrepta të distancimit fizik dhe social për shkak të pandemisë nga koronavirusi.

Vendi përballet me një valë nxehtësie dhe banorët janë mbledhur në plazhe në kërkim të relaksit.

Greqia ka hapur kështu më shumë se 500 plazhe, një lëvizje për ringjalljen e sektorit të turizmit, të goditur rëndë nga pandemia.

Sipas një manuali të lëshuar nga qeveria, çadrat duhet të jenë katër metra larg njëra-tjetrës dhe në 100 metra katrorë lejohen vetëm 40 persona.

Këta të fundit duhet të ruajnë distancën prej një metër me njëri-tjetrin. Por kjo qe e pamundur. Autoritet u panë të bëjnë disa herë thirrje për respektimin e distancës dhe të rregullave me anë të një droni me altoparlantë.

Lehtësimi i kufizimeve konsiderohet vendimtar për të shpëtuar industrinë e turizmit gjatë verës, në një vend që rrezikon recesionin më të keq në BE.

Ora 15:56
Covid-Rumani, mjekët portretizohen si shenjtorë, Kisha Ortodokse e quan blasfemi (FOTO)

Në Rumani disa vepra arti që përshkruanin punonjësit e shëndetit të portretizuara si shenjtorë të krishterë shkaktuan zemërimin e Kishën Ortodokse lokale.

Posterët janë shfaqur në kryeqytetin Bukuresht dhe janë pjesë e një fushate për të falënderuar stafin mjekësor dhe infermieror rumun, pikërisht në ditët kur përfundon zyrtarisht gjendja e jashtëzakonshme (megjithëse disa kufizime do të zgjaten për 30 ditët e ardhshme).

 "Është një abuzim i ikonografisë së krishterë, një përpjekje patetike artistike," - tha Vasile Bănescu, zëdhënëse e Kishës Ortodokse Rumune. "Nuk është vetëm blasfemuese, por është edhe ofendim ndaj profesionit të nderuar të mjekëve, të cilët nuk e konsiderojnë veten të tyre shenjtorë, shpëtimtarë të improvizuar ose kërkojnë të adhurohen publikisht".

 Artistja rumune Wanda Hutira është autorja e ilustrimeve, në bashkëpunim me agjensinë ndërkombëtare McCann Worldgroup që menaxhoi fushatën reklamuese.

 "Ne kemi dashur të tregojmë vlerësim për profesionistët mjekësorë që po bëjnë të pamundurën në luftën e tyre kundër Covid-19," – tha Hutira

Posterët portretizojnë infermierë dhe mjekë si shenjtorët e krishterë dhe hyjnitë hindu, në një stil që përzien artin kishtar dhe estetikën e karikaturave.

Posterët u hoqën nga disa vende pas një kërkese nga bashkia e Bukureshtit dhe u zëvendësuan me "diçka që nuk ofendon besimin e kalimtarëve".

Ora 15:48
Covid, SHBA mund të rifillojë financimin e OBSH, por pjesërisht

Administrata e Presidentit Donald Trump mund të rifillojë pjesërisht financimin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, por ende nuk ka marrë një vendim.

Në një postim në Twitter, Presidenti Trump tha të shtunën se po shqyrton një numër propozimesh, duke përfshirë uljen e kontributit ndaj kësaj organizate deri në 10 përqind të asaj që Shtetet e Bashkuara kanë paguar deri tani.

Në një projekt-letër të cituar nga televizioni Fox News thuhet se administrata "do të pranojë të paguajë një kontribut të njëjtë me atë që Kina paguan” për organizatën.

Deri tani, kontributi i SHBA për OBSH-në ka qenë 400 milion dollarë në vit.

Presidenti Trump e pezulloi financimin e Shteteve të Bashkuara për Organizatën Botërore të Shëndetësisë më 14 prill, duke e akuzuar atë se promovoi "dezinformimin" e Kinës lidhur me shpërthimin e koronavirusit dhe duke thënë se administrata e tij do të niste një rishqyrtim të punës së organizatës.

Zyrtarët e OBSH-së i kanë mohuar akuzat ndërsa Kina këmbëngul se ka qenë transparente dhe e hapur.

Shtetet e Bashkuara janë donatori më i madh i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Ora 14:19
Covid, regjistrohen 102 viktima nga koronavirusi në Spanjë, shifra më e ulët prej mesit të marsit

Në 24 orët e fundit në Spanjë numri i viktimave nga infeksioni i koronavirusit ishte 102, shifra më e ulët e raportuar që nga 15 marsi i kaluar.

Numri i përgjithshëm i viktimave që nga fillimi i pandemisë Covid ka shkuar në 27 563.

Në 24 orë rezultuan pozitivë 539 raste të reja.

Autoritetet raportuan gjithashtu se numri total i personave të prekur nga koronavirusi është rritur në rreth 231 mijë

Prej së hënës më 11 maj Më shumë se gjysma e 47 milionë banorëve të Spanjës hynë të hënën në fazën e dytë të planit të qeverisë për lehtësimin e bllokadës.

Në kuadër të saj, mjediset e jashtme të bareve dhe kafeneve mund të hapen në 50 për qind të kapacitetit, ndërsa brenda apo jashtë shtëpive mund të mblidhen deri në 10 persona së bashku.

Në Madrid dhe Barcelona mbeten masa të izolimit
Qeveria spanjolle përjashtoi Madridin dhe Barcelona nga lehtësimi i masave të bllokimit që do të lejojnë takime me familjen ose miqtë, një mundësi që do tju jepet nga e hëna 70% të spanjollëve.

Ora 11:39
Covid-Rusia shënon mbi 9 mijë raste të reja me koronavirus

Rusia ka raportuar për 9,200 raste të reja me koronavirus të shtunën, nga 10,598 që u raportuan një ditë më parë.

Task-forca e COVID-19 në Rusi, tha se numri total i rasteve në nivel endi ka shkuar në 272,043.

Brenda 24 orëve kanë vdekur 119 persona, duke e çuar numrin e viktimave në 2,537.

Rusia është ndër vendet me numrin më të lartë të të infektuarve me koronavirus në botë, menjëherë pas Shteteve të Bashkuara.

Pavarësisht shqetësimeve se hapja e ekonomisë mund të ndikojë në shpërthime tjera të pandemisë, presidenti rus, Vladimir Putin ka njoftuar më 11 maj se do të përfundojë masa e prezantuar në muajin mars, e cila u ka mundësuar punëtorëve jo të domosdoshëm, të qëndrojnë në shtëpi.

Ky vendim ka ardhur pasi bizneset janë përballur me shumë vështirësi në kryerjen e pagesave të plota për punëtorët dhe pasi numri i të papunëve është dyfishuar brenda një muaji, në 1,4 milion persona.

Ora 11:06
Covid, Qeveria italiane nënshkruan dekretin për rifillimin e udhëtimeve (VIDEO)

Qeveria italiane ka nënshkruar një dekret që lejon udhëtimet nga dhe për në Itali, që nga 3 qershori.

Ky vendim shënon një hap të madh të rihapjes së ekonomisë në vend pas më shumë se dy muaj izolimi.

Italia ka shënuar një nga numrat më të mëdhenj të viktimave në botë, por numri i të infektuarve ka rënë dukshëm ditëve të fundit.

Më shumë se 31,600 persona kanë humbur jetën nga virusi në Itali. Shtetet e Bashkuara dhe Britania kanë shënuar numrin më të madh të viktimave.

Italia ishte vendi i parë në Evropë që filloi me masat e izolimit në luftimin e pandemisë COVID-19, por filloi t’i relaksojë këto masa më 4 maj, me hapjen e disa fabrikave dhe parqeve.

Dyqanet dhe restorantet pritet të hapen nga 18 maji, me distancë sociale të detyruar.

Edhe besimtarët e Kishës Katolike do të rikthehen nga e hëna, por me masa të shtuara të mbrojtjes nga virusi.

Ndërkohë gjatë gjithë bregdetit të Adriatikut kanë nisur përgatitjet për sezonin e ri turistik.

Kuota, distanca sociale dhe kontrollet.

Baret, restorantet, resortet dhe hotelet po përgatiten të rihapen duke respektuar protokollet anti Covid.

Në plazhe çadrat do të jenë në një distancë prej rreth 5 metra nga njëra-tjetra, dhe mund të rezervohen përmes aplikacionit të institucionit pritës.

Sidoqoftë sezoni turistik do të fillojë të paktën me një humbje prej 60% për sektorin bregdetar ndërsa mos hapja do ishte një humbje e madhe edhe për shtetin. Vetëm Rajoni I Venetos I shton arkës së shtetit rreth 18 miliardë euro në vit, ku rreth gjysma vjen vetëm prej aktiviteteve në det.

Qeveria është e vetdijshme për rëndësinë e sektorit të turizmit që përfaqëson 15% të vendeve të punës në Itali

Sa për plazhet falas, duke marrë parasysh karakteristikat specifike të secilit vend

Ora 08:59
Covid- Valë e re infeksionesh në Korenë e Jugut pas lehtësimit të masave

Në Korenë e Jugut po rritet alarmi për valën e re të infeksioneve nga koronavirusi.

Ndër lajmet e këqija të kësaj vale të re është se të prekurit nga Covid, 2/3 tashmë janë të rinjtë midis moshës 19 dhe 29 vjeç.

"Është një virus me të vërtetë mizor", thanë autoritetet e Seulit, të cilët pasi arritën të përmbajnë pasojat që lidhen me valën e parë pandemike, tani po përballen me pasojat pas rihapjes së klubeve dhe diskove në rrethin e Itaeëon, zemra e jetës së natës Koreane.

Autoritetet ndërmorën veprime izoluese javën e kaluar, por duket se nuk ishin të mjaftueshme.

Janë 133 raste të reja të Covid-19 të konfirmuara nga autoritetet shëndetësore.

Zinxhirët e transmetimit të infeksionit janë përhapur në zonën metropolitane të Seulit, e cila - me 25 milion banorë - përfshin Seulin, provincën e Gyeonggi dhe Incheon. Autoritetet kanë frikë se virusi u përhap me rinisjen e lehtësimeve në fund të prillit.

Nga 133 infeksione të raportuara në zona të ndryshme të Koresë së Jugut, 73 janë në kryeqytet.

Ora 08:56
Covid/Rusi, nis testimi masiv i popullatës në Moskë, do vlerësohet zhvillimi i antitrupave dhe incidenca epidemike

Sot në Moskë ka filluar ekzaminimi masiv i popullatës për të zbuluar se sa njerëz kanë zhvilluar antitrupat Covid-19 dhe për të vlerësuar incidencën e vërtetë të epidemisë në qytetin më të goditur në vend.

Kryebashkiaku i kryeqytetit rus Sergey Sobyanin theksoi se testi serologjik nuk është i detyrueshëm, por u ka kërkuar bashkëqytetarëve të tij që ta pranojnë ftesën me përgjegjësi maksimale.

"70,000 moskovitë tashmë kanë marrë mesazhe me tekst dhe postë elektronike, me një ftesë për të marrë pjesë në këtë eksperiment falas", shpjegoi Sobyanin.

Deri në fund të muajit, kapaciteti i përgjithshëm do të tejkalojë 200,000 teste në ditë.

Ndërkohë në Rusi numri i përgjithshëmi të infektuarve është rritur në rreth 263 mijë për një total viktimash prej 2418.

Ora 08:53
OBSH heton lidhjen e mundshme midis Covid-19 dhe sëmundjes Kawasaki që po godet fëmijët në Europë

Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se është duke studiuar lidhjen e mundshme midis sëmundjes COVID-19, që e shkakton koronavirusi, dhe një sëmundjeje të rrallë inflamatore që ka sëmurë dhe vrarë fëmijë në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara.

Në javët e fundit, disa vende kanë raportuar raste të fëmijëve me simptoma të ngjashme me ato të sëmundjes Kawasaki.

“Raportet e para supozojnë se kjo sindromë mund të ketë lidhje me COVID-19", tha shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, në një konferencë virtuale.

"Është thelbësore që kjo sindromë klinike të përcillet me urgjencë dhe me kujdes, të kuptohet shkaku dhe të përshkruhen ndërhyrjet në trajtim", tha ai.

Tedros i bëri komentet pasi një mjek në Francë tha se një djalë nëntë vjeç atje, që ka dalë pozitiv për COVID-19, ka vdekur nga sindroma, duke shënuar vdekjen e parë të tillë në këtë vend.

Vdekje të ngjashme të fëmijëve po hetohen edhe në Nju Jork dhe Londër.

/I.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Putin: Ne duam t'i japim fund luftës, jo thjesht ta ngrijmë atë! Negociatat? Në Sllovaki

Putin: Ne duam t'i japim fund luftës, jo thjesht ta ngrijmë atë! Negociatat? Në Sllovaki