Në Itali 415 viktima...Studimi: COVID 'udhëton' në ajër! Një mashtrues pas idesë së Trump për injeksionin me dezinfektues

Në Itali 415 viktima...Studimi: COVID 'udhëton' në ajër! Një mashtrues pas idesë së Trump për injeksionin me dezinfektues

Në botë numri i të infektuarve nga koronavirusi është në pragun e 3 milionë kurse ata që kanë humbur jetën prej Covid është rreth 197 mijë.

Në Shtetet e Bashkuara dje humbën jetën nga infeksioni i koronavirusit 1.130 njerëz të tjerë për një total prej 51107 vdekjesh.

Viktima më e re është një vajzë pesë muajshe, bija e një zjarrfikësi nga New Yorku.

Fëmija ishte shtruar në një spital në Bronx më 21 mars me ethe dhe vuante edhe nga probleme kardiake.

Sipas raportimeve dje u regjistruan edhe 21579 raste të reja infeksioni në SHBA duke e rritur numrin e përgjithshëm të të infektuarve që nga fillimi i pandemisë në 890 000.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:04
Covid-19, në Itali 415 viktima nga koronavirusi dhe 2622 të shëruar në 24 orët e fundit

Sipas autoriteteve të Mbrojtjes Civile Italiane gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar  415 viktima nga koronavirusi, për një total prej 26384  vdekje që nga fillimi i epidemisë. 

Numri i të shëruarve sot është 2622. Autoritetet raportuan gjithashtu edhe për 2357 raste të reja pozitiv nga Covid-19.  Në kujdesin intensiv janë të shtruar 71 pacientë më pak se dje

Presidenti i Institutit të Lartë të Shëndetit, Silvio Brusaferro ka deklaruar se kurba e pandemisë nga koronavirusi po tregon se po zvogëlohet numri i personave të prekur si dhe ditët e fundit është rritur numri i testeve të tamponit të kryera te rastet e dyshuara por është rritur numri i asimptomatikëve dhe ata me shenja të moderuara të infeksionit. Ai tha gjithashtu tha se “Situata e epidemiologjike është përmirësuar qartë por ekziston ende qarkullim i virusit” dhe se “ nuk duhet ulur vigjilenca dhe kujdesi duhet të jetë në rritje për të ndaluar ripërhapjen”.

Ora 17:38
Spanja, vendi me numrin më të lartë të mjekëve të infektuar me COVID

Spanja regjistron 378 vdekje të reja ditore nga koronavirusi, duke çuar totalin e viktimave në rreth 23 000. Gjithashtu, u raportuan 2900 raste të reja, me një total prej më shumë se 223 000 të infektuarish.

Deri më tani, Spanja është vendi që numëron rastet më të shumta në botë sa i përket të infektuarve mes personelit shëndetësor. Sipas të dhënave zyrtare, 20% e të infektuarve në këtë shtet prekin këtë grupim, ndërsa Italia është vendi që i afrohet më së shumti me 10% të të prekurve që janë mjekë ose infermierë.

Spanja zgjati gjendjen e emergjencës deri më 9 maj, por ka dhënë udhëzime për lehtësimin gradual të masave. 

Ora 15:39
Covid, Italia drejt fazës 2, termoskanera në aeroporte - Dy hipoteza për shkollën

Institucionet dhe partnerët socialë në Itali po punojnë për të përcaktuar rregullat e Fazës 2 të emergjencës nga koronavirusi.

Qeveria italiane me shumë mundësi nga data 27 prill do lejojë rifillimin e aktivitetit të ndërtimeve publike ndërsa ato private do iu duhet të presin deri më datën 4 maj.

Termoskaner në të gjitha stacionet

Një nga masat e kontrollit për transportin e planifikuar për tu rihapur është vendosja e skanuesve termik jo vetëm në stacionet e mëdha dhe aeroporte kryesorë, por në të gjitha stacionet dhe aeroportet në Itali.

Dy hipoteza për shkollën

Shkollat ​​dhe kopshtet mbeten jashtë dekretit të 4 majit. Jo vetëm që ato nuk do të rihapen gjatë verës, por nuk mund të thuhet se e do të rihapen në shtator.

Komisioni në Ministrinë e Arsimit ka dy modele nën ekzaminim. E para përfshin ndarjen e studentëve të një klase në dy grupe, duke alternuar praninë fizike dhe atë të vazhdimit të mësimin online në internet

Ora 14:47
Covid/Studimi, epidemia e koronavirusit në Itali mund të ketë nisur që në janar

Stefano Merler, epidemiolog matematikor i Fondacionit ‘Bruno Kesller’ të Trentos në Itali,  ka deklaruar se shpërthimi i epidemisë nga koronavirusi në Itali mund të ketë nisur që në muajin janar, që do të thotë një muaj më herët nga sa mendohet, por ekspertët nuk kanë mundur ta kuptojnë.

“Kemi zbuluar se shumë njerëz ishin të infektuar në këtë rajon që përpara para 20 shkurtit, çka lë të kuptohet se sëmundja mund të kete qarkulluar që në janar”, tha Merler.

Sipas një studimi tjetër, cituar nga Al Xhazira, bazuar në të dhënat e regjistruara gjatë muajit janar, 44.1 për qind e të infektuarve e morën virusin në azile pleqesh, 24.7 në familje, 10.8 për qind nëpër spitale, ndërsa 4.2 për qind janë sëmurur në vendet e tyre të punës.

Italia është shteti i parë evropian, ku si pasojë e koronavirusit, numri i vdekjeve u rrit në mënyrë dramatike në mbi 12 mijë, deri në fund të muajit mars. Pacienti i parë, është diagnostikuar më 21 mars në Codogno, që i përket rajonit të Lombardisë.

Goditja nga koronavirusi në Itali ka qenë shumë e fuqishme, duke shkaktuar 25,500 viktima, derisa 190 mijë persona i ka lënë të infektuar.

Ora 14:05
COVID, me 6700 viktima Belgjika nga data 4 maj do lehtësojë masat e izolimit dhe bllokimit

Kryeministrja e Belgjikës, Sophie Wilmes ka prezantuar planin për heqjen graduale të masave kufizuese kundër koronavirusit të ri.

Sipas rregullave të reja, të gjitha dyqanet do të lejohen të rihapen nga 11 maji, ndërkaq një javë më pas do të rihapen edhe shkollat – megjithëse numri i nxënësve nëpër klasa do të kufizohet.

Sipas planit të prezantuar nga Qeveria belge, më 4 maj do të rihapet dyqanet e rrobave, me qëllim që njerëzit të mund të respektojnë rregullat e reja, që kërkojnë që të gjithë belgët nga mosha 12-vjeçare, duhet të vendosin maska. Dyqanet tjera do të rihapen një javë më vonë.

Shkollat do të rihapen më 18 maj dhe në një klasë nuk do të lejohen më shumë se dhjetë nxënës. Kafet dhe restorantet pritet që të rihapen më 8 qershor.

Në Belgjikë, mbi 44 mijë persona janë të infektuar me koronavirus. Deri më tani, në këtë shtet janë regjistruar pothuajse 6,700 viktima.

Ora 13:27
COVID/ Gjermani, ulet sërish numri i vdekjeve dhe rastet e infeksionit

Ka pësuar sërish ulje numri i viktimave dhe numri i të infektuarve të rinj me koronavirus në Gjermani, pas disa ditësh me bilance të këqija nga pandemia.

Autoritetet shëndetësore të Institutit Robert Koch raportuan se në 24 orët e fundit u regjistruan 179 viktima dhe 2055 raste të reja me Covid-19 në vend, shifra këto shumë herë më të ulëta se një ditë më parë.

Deri në këto moment në Gjermani regjistrohen 152 mijë persona të prekur nga virusi i ri vdekjeprurës me origjinë nga Kina, 5500 prej të cilëve nuk kanë mundur të mbijetojnë

Ora 13:24
COVID/OBSH: S’ka të dhëna që të shëruarit nuk mund të infektohen sërish, jo 'pasaporta imuniteti'

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tha sot se aktualisht “nuk ka të dhëna” që njerëzit që janë shëruar nga sëmundja e COVID-19 dhe kanë krijuar antitrupa, nuk mund të infektohen sërish.

OBSH-ja po ashtu paralajmëroi kundër “pasaportave të imunitetit” ose “certifikatave” që dëshmojnë se njerëzit e shëruar nuk paraqesin rrezik për të infektuar të tjerët me COVID-19, duke thënë se praktika të tilla në fakt mund të bëjnë që virusi të përhapet më shumë.

Shteti i Kilit javën e kaluar nisi të shpërndajë “pasaporta të shëndetit” për njerëzit që ishin shëruar nga koronavirusi. Në këtë shtet, kushdo që është shëruar nga koronavirusi, mund të rikthehet në punë.

Ora 11:37
Covid, në Gjermani operatorët e hoteleve, bareve dhe restoranteve protestojnë me karrige dhe tavolina (FOTO)

Operatorët e hoteleve, bareve dhe restoranteve kanë organizuar protesta në qytete të ndryshme në Gjermani kundër masave të qeverisë për të frenuar përhapjen e infeksionit nga koronavirusi. Ata kanë kërkuar caktimin e një afati kohorë për rihapjen dhe mbështetje më të madhe financiare.

Edhe në Gjermani, situata e vështirë ekonomike për shkak të bllokimeve për të kufizuar përhapjen e epidemisë ka bërë që disa kategori biznesesh të protestojnë.

Protesta e operatorëve të hotelerive dhe restoranteve u organizua duke vendosur karrige në sheshe të ndryshme, fillimisht në Drezden dhe më pas në qytete të tjera.

Protesta arriti gjithashtu edhe në sheshin përpara bashkisë së qytetit të Dortmundit. Përveç karrigeve, demonstruesit shfaqën tavolina të shtruara për të përfaqësuar restorantet e mbyllura.

Ndërkohë, qeveria gjermane ka aprovuar një paketë të re ndihme prej 10 miliardë eurosh për të paguar ata që kanë mbetur të papunë dhe uljen e taksave për të ndihmuar aktivitetet ekonomike

Konkretisht, qeveria ka bërë të ditur që për vendet që ofrojnë shërbime gastronomike si restorante dhe kafene, të mbyllura TVSH do të ulet nga 19% në 7% për një vit. Masa do të hyjë në fuqi më 1 korrik

Ora 11:23
COVID, merr bonusin e ndihmës nga qeveria, por kërkon ta rikthejë, tregtari: Nuk më takon

Edhe pse në kohë të vështira për biznesin, gjesti i një pronari të një dyqani pajisjesh ndërtimi në Paliano Frosinone, po bën xhiron e rrjeteve sociale.

Ai deklaroi se mori bonusin prej 600 eurosh të parashikuar me dekretin “Cura Italia”, por dëshiron ta kthejë atë pasi dyqani i tij ishte i i hapur gjatë periudhës emergjente të koronavirusit.

Pronari tregoi se e mori bonusin pa dijeninë e tij, pasi ishte ekonomisti ai që nisi automatikisht kërkesën, së bashku me atë të kompanive të tjera, ku punon. Tani tregtari është duke kërkuar mënyrën për t’i kthyer ato, në mënyrën që të shkojnë në vendin e duhur.

Ai u shpreh se: “Dua t’i kthej këto para sepse nuk mendoj se është e drejtë. Kam punuar përkundër krizës dhe mbylljes pothuajse totale. Sigurisht që kam pasur një rënie në xhiro, por s’ka problem, ndodh. Unë nuk i kisha kërkuar asgjë llogaritarit tim, dhe nuk i dua. Në fakt dua t’i kthej në shtet dhe nuk di si ta bëj” ,shkruan TgCom24.

Sakaq, Italia po kalon një nga periudhat më të vështira të historisë së saj moderne, për shkak të pandemisë së koronavirusit, që ka shkaktuar mijëra viktima, dhe ka paralizuar ekonominë.

Ora 11:16
COVID/Nju Jork, fillon rënia e numrit të pacientëve në kujdesin intensiv

Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Bill de Blasio përshëndeti dhe falenderoi sot të gjithë banorët e Nju Jorkut që kanë ushtruar praktikat e distancimit fizik. Ai njoftoi se për herë të parë numri i pacientëve të shtruar në pavionët e kujdesit intensiv dhe numri i pacientëve të shtruar në spitale për koronavirusin kanë filluar të bien.

Gjatë konferencës për shtyp në bashki, zoti de Blasio shtoi se po bie gjithashtu edhe niveli i personave që rezultojnë pozitivë gjatë testimeve për koronavirusin.

Ndërkaq, Guvernatori i shtetit Nju Jork, Andrew Cuomo tha të premten se hulumtimet tregojnë se llojet e para të koronavirusit që hynë për herë të parë në shtetin e tij, erdhën nga Evropa dhe jo nga Kina, dhe se ndalimet e udhëtimit të miratuara nga Presidenti Donald Trump ishin shumë të vonuara për të ndaluar përhapjen e tij.

Zoti Cuomo iu drejtua studiuesve në Universitetin Northeastern të cilët vlerësuan se më shumë se 10 mijë njujorkezë mund ta kishin marrë sëmundjen në kohën kur shteti pati rastin e parë të konfirmuar më 1 mars. Ai tha se ai besonte se Italia ishte burimi i mundshëm.

Guvernatori vuri në dukje se Presidenti Trump urdhëroi ndalimin e udhëtimit nga Kina më 2 shkurt, më shumë se një muaj pasi ishin shfaqur lajmet në lidhje me një shpërthim të virusit në Kinë, dhe vendosi të kufizojë udhëtimet nga Evropa muajin pasues. Deri në atë kohë, virusi ishte përhapur gjerësisht në Shtetet e Bashkuara, tha ai.

Ora 10:15
Studimi italian konfirmon: COVID 'udhëton' në ajër përmes grimcave PM10

Një studim krahasues i kryer për tre javë në dhjetëra mostra ajri në Rajonin e Bergamo, në Itali konfirmon dyshimet: koronavirusi transportohet nga grimca të imëta PM10, një përzierje pjesëzash të lëngshme dhe të ngurta me diametër 10 mikrometër që qëndrojnë në ajër dhe shkaktohen nga gazrat e emetuara nga automjetet kryesisht ato të vjetra dhe me motor diesel.

A do të thotë kjo që ne mund të sëmuremi nga koronavirusi thjesht duke marrë frymë edhe nëse jemi larg burimeve të infeksionit?

Për momentin nuk dihet, për ta zbuluar duhen më shumë kërkime, shpjegon Prisco Piscitelli, epidemiolog dhe nënkryetar i shoqërisë italiane të mjekësisë mjedisore (SIMA).
"Ajo që ne nuk dimë ende është të kuptojmë  nëse gjenoma virale që kemi gjetur në grimcat atmosferike, është  infektive dhe për sa kohë mund të mbetet e tillë. Sidoqoftë, ky test i parë sigurisht hap mundësinë e testeve të mëtejshme.

Studimi i kryer nga SIMA, plus universitetet e Barit, Bolonjës, Trieste dhe Napolit  "Federico II" dhe idikacionet i janë dërguar edhe OBSH.

Sugjerimi kryesor i studimit është të tregohemi të kujdesshëm, që mbajtja e maskës është domosdoshmëri dhe që nëse nuk e mbani një të tillë më mirë të qëndroni, si një masë paraprake, 10 metra larg nga të tjerët.

Nënkryetar i shoqërisë italiane të mjekësisë mjedisore (SIMA) thotë se imediate është që në fazën 2, ajo e lehtësimit të masave, është e rëndësishme të mbahen të ulëta emetimet e grimcave PM10 që ndodhen në ajër, në mënyrë që të mos favorizojmë potencialin infektues të koronavirusit. Të përdoren kryesisht biçikletat dhe të kufizohet lëvizja e panevojshme me makina kurse lënda e parë e koronavirusit, të moshuarit dhe sidomos ata me patologji të mbartura duhet të rrinë larg rrugës dhe ambienteve me ajër të ndotur.

Ndërsa për herë të parë disa studime vërtetuan se koronavirusi gjendej edhe në ajrin e ambienteve spitalore, tani me studimin e katër institucioneve italiane, ai duhet luftuar edhe në grimcat PM10 të ajrit.

Ora 09:47
Covid, Turqia regjistron 2600 viktima nga infeksioni i koronavirusit

Turqia ka raportuar për 109 viktima të tjera në harkun e 24 orëve të kaluara për një total prej 2600 vdekje nga koronavirusi.

Numri i përgjithshëm i rasteve të regjistruara me COVID-19 në Turqi u rrit në 104.912, pasi 3.122 persona kanë rezultuar pozitivë në virusin në 24 orët e fundit, tha ministri turk i Shëndetësisë, Fahrettin Koca

Deri më tani janë shëruar dhe kanë dale nga spitalet gjithsej 21.737 pacientë, ndër të cilët 3.246 në 24 orët e fundit

Në Turqi, 38.351 teste janë kryer gjatë 24 orëve të kaluara, me çka shifra e përgjithshme e testimeve arrin në 830.257. Pas shfaqjes në Kinë dhjetorin e kaluar, COVID-19 është përhapur në gjithë botën.

Ora 09:43
Covid, me më shumë se 6500 viktima Belgjika hap shkollat në muajin maj

Belgjika do të nisë gradualisht lehtësimin e masave shtrënguese gjatë muajit maj, duke lejuar hapjen e shumë bizneseve dhe shkollave.

Kryeministrja Sophie Wilmes tha se masat shtrënguese do të fillojnë të lehtësohen nga 4 maji, kur do të hiqen kufizimet për sportet në ambjente të hapura dhe transportin publik.

Të gjitha bizneset do të lejohen të rihapen nga 11 maji dhe shkollat nga 18 maji. Përtej kësaj, vendet e tjera publike, të tilla si kafene, bare, restorante, mund të rihapen gradualisht në qershor.

Wilmes shtoi se këto masa janë marrë pasi përhapja e virusit është e ngadalsuar.

Belgjika shpalli një bllokim mbarëkombëtar mbi krizën e koronavirusit më 18 mars, pas shembullit të disa vendeve evropiane. Deri tani ka 44,293 raste të konfirmuara të koronavirusit dhe 6,679 vdekjeve të lidhura me sëmundjen në vend, sipas një njoftimi të Universiteti Johns Hopkins.

Ora 09:32
Covid/Itali, përmbyset trendi: Më shumë gra se burra të prekura nga infeksioni i koronavirusit

Duket se trendi i personave të infektuar nga koronavirusi është përmbysur. Ndërsa pak ditë më parë ishin meshkurj më të prekurit nga Covid (54% pozitivë), tani sipas Institutit të Lartë të Shëndetësisë në Itali, ka pasur një prevalencë të qartë të grave, të cilat tani llogariten në 51.4% e njerëzve të prekur nga koronavirusi nga fillimi i epidemisë.

E gjithë kjo, ndërsa vdekshmëria mbetet kryesisht e pabalancuar nga ana e burrave, përfshirë 63.3% të vdekjeve. Për më tepër ishte e qartë që nga fillimi se si koronavirusi shkaktonte më shumë dëme tek meshkujt.

Edhe në rradhët e bluzave të bardha ka më shumë femra se meshkuj të infektuar nga koronavirusi. Në fakt, nga afro 20,000 punonjës shëndetësorë të infektuar deri më sot në Itali, meshkujt përbëjnë pak më shumë se 31%.

Ora 09:05
COVID, një predikues dhe mashtrues pas idesë së Trump për injeksionin me dezinfektues



Pas propozimit të Presidentit amerikan  Donald Trump për të luftuar koronavirusin me injeksione dezinfektuese, mund të jetë - sipas disa mediave amerikane - letra e një predikuesi të mirënjohur në Florida dhe prodhues i një "kurimi mrekullie" i bazuar në zbardhues dhe dezinfektues.

Po sipas mediave, letra mendohet se i ishte dërguar presidentit amerikan ditë më parë.

Mark Grenon, i njohur si kryepeshkop i kishës Gen Genesis II ’, ka vite që shet ‘produktin e mrekullueshëm’ të tij  nën markën MMS (zgjidhje e mrekullueshme minerale), duke pretenduar në mënyrë mashtruese se ilaçi i tij mund të kurojë 99% të të gjitha sëmundjeve, përfshirë kancerin, malarinë, SIDA dhe madje edhe autizmin. Thjesht përzieni tre deri në gjashtë pika zbardhues me ujin dhe pijeni tretësirën.

Në letrën e tij Grenon e ka siguruar presidentin amerikan se produkti është në gjendje të shërojë pacientët e Covid-19.

"Injektimi i dezinfektantit është helmues, ju lutem mos e bëni atë në shtëpi" - ngriti alarmin mes të tjerave dje edhe  Fox News, stacioni televiziv amerikan më i afërt me Donald Trump.

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Perparim Zaimi: 25/04/2020 12:14

    Jam dakort per dhenien e lirise se levizjes, me teper ne qytetet e "Gjelberta", por nuk jam dakort per lirine e levizjes me mjet vetem me nje person pervec drejtuesit te mjetit, pasi une punoj si Avokat, dhe e kam te domosdoshme qe te marr ne makine edhe me shume se nje person, per te shkuar ne gjykata, prokurori, Zyra permbarimi, Z.R.P.P, etj, pasi sic dihet edhe transporti publik urban dhe interurban eshte i pezulluar. Nga njera ane me thuhet se nuk te takon "paga e luftes" se e ke biznesin e hapur, nga ana tjeter nuk me lejon qe te coj klientin ne gjyq apo ne zyrat e tjera ku kam pune.

    Përgjigju
    • Altini: 25/04/2020 17:34

      Pse duhet ta çosh ti klientin ne gjyq? Ti shko ne gjykate e aty takohesh me klientin.

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen