Italia 282 viktima pa regjistruar nga prilli, rritet numri i të shëruarve! Dritë jeshile për përdorimin e ilaçit remdesivir

Italia 282 viktima pa regjistruar nga prilli, rritet numri i të shëruarve! Dritë jeshile për përdorimin e ilaçit remdesivir

Në botë numri i përgjithshëm i rasteve të identifikuar pozitiv nga koronavirusi është rreth 3.3 milionë kurse numri i përgjithshëm i viktimave është në pragun e 240 mijë.

SHBA, 65 mijë viktima

Në SHBA në 24 orët e fundit u regjistruan 1883 vdekje nga infeksioni i Covid për një total prej 64 700 viktimash që nga fillimi i pandemisë kurse numri i përgjithshëm i rasteve të testuar pozitiv nga Covid është 1milion e 103 781.

Vetëm 1 rast pozitiv në Kinë.

Në 24 orët e fundit Kina raportoi vetëm 1 rast të ri infeksioni nga koronavirusi. Rasti i ri u konstatua në Wuhan, epiqendra e pandemisë.

Sipas autoriteteve kineze, nuk ka pasur vdekje të lidhura me pandeminë që nga dje dhe 43 pacientë janë shëruar dhe kanë dalë nga spitali.

Në total, infeksionet e konfirmuara janë 82.875, me 4,633 vdekje, ndërsa rastet aktive janë 557.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:12
Italia 282 viktima pa regjistruar nga prilli, rritet numri i të shëruarve

1587598179_1586284360Koronavirusssss.png

Ditën e sotme janë raportuar 474 viktima në 24 orët e fundit në Itali, duke lënë të kuptohet një rritje e numrit të viktima më 2 maj në një kohë që trend i tyre vijonte në rënie. Në fakt duhet të theksohet se për 24 orët e fundit në Itali janë shënuar vetëm 192 viktima gjithsej duke vërtetuar se numri i tyre është në rënie, por këtij numri iu shtuan edhe 282 viktima që në fakt kanë humbur jetën gjatë muajit prill dhe kanë qenë vdekje jashtë spitalore që nuk kanë mundur dot të regjistrohen me herët.

La Republlica sqaron se kjo është një shifër e shtrembëruar nga komunikimi i 282 vdekjeve jashtë spitalore që kanë ndodhur në prill dhe janë regjistruar vetëm sot. Shifra e vërtetë e 24 orëve të fundit është zvogëluar krahasuar me një ditë më parë duke shënuar për herë të parë pas 14 marsit nën 200, ekzaktësisht 192 viktima.

Prandaj të gjithë treguesit vazhdojnë të lëvizin në drejtim të zvogëlimit të infeksionit me ulje të të infektuarve, ulje të numrit të viktimave, ulje të shtruarve në spital dhe rritja e numrit të të shëruarve.

Gjatë 24 orëve të fundit numri i përgjithshëm i të të shëruarve në Itali është rritur në 79.914  teksa vetëm sot u regjistruan 1665  të shëruar nga koronavirusi.

Autoritetet raportuan gjithashtu se sot u regjistruan edhe 1900  raste të reja pozitiv me Covid-19.

Ora 17:28
Covid, Ministrja italiane e Arsimit: Në shtator mësimi do zhvillohet gjysma on line nga shtëpia dhe gjysma në shkollë

Ministrja e Arsimit në Itali, Lucia Azzolina ka deklaruar se në shtator, mësimi do të zhvillohet gjysma on line nga shtëpia dhe gjysma në shkollë, duke sqaruar gjithashtu se kjo do të jetë e alternueshme midis nxënësve

"Ne nuk mund t'i sjellim studentët përsëri në shkollë me 28-30 persona për klasë. Unë gjithmonë kam luftuar për të mos patur klasa si ‘kafaze pulash’.

Azzolina  tha gjithashtu se më 4 maj, "Italia do të rihapet ngadalë" por nuk do të jenë "të gjithë të lirë", dhe "do të shohim se çfarë do të ndodhë në dy javët e ardhshme".

Mësimi në distancë ishte një sukses

Pë Ministren italiane të Arsimit, mësimi në distancë "ishte një sukses i madh", pavarësisht se  shkolla "nuk ishte e përgatitur".  Ajo tha gjithashtu se "Ishte detyrë të mbronim shëndetin e studentëve”.

Ora 17:10
Itali, Covid ka ndalur gjithçka, por jo lindjet... Në Xhenova baballarët shikojnë në transmetim live të porsa ardhurit në jetë

Emilia sapo ka lindur. Nëna e saj, e rraskapitur por e lumtur, nuk mund të kishte pranë bashkëshortin e saj në këtë moment të rëndësishëm. Në të gjithë Italinë, baballarët e ardhshëm nuk lejohen të marrin pjesë në lindjen e fëmijëve të tyre për shkak të përhapjes së infeksionit nga koronavirusi. Sidoqoftë, një spital në Itali është organizuar vetë për t’i lejuar ata të përjetojnë bashkë me partneret lindjen e fëmijëve të tyre.

Në spitalin San Martino në Xhenova, ku nënat në dhomat e lindjes dhe baballarët jashtë derës mund të shohin dhe bisedojnë me njëri-tjetrin përmes ekranit të një tableti dhe të rikrijojnë, të paktën pjesërisht, atë që ishte normale përpara pandemisë.

Pietro Gustavino, shefi i obstetrikës dhe gjinekologjisë shprehet se "Ata që sot do të jenë në gjendje të kujtojnë pandeminë, si vendi ku lindi projekti i tyre i ardhshëm, unë mendoj se ata do të jenë në gjendje të kujtojnë diçka madje pozitive në lidhje me këtë event dhe ne kemi pasur një detyrim, madje edhe moral, madje edhe thellësisht njerëzor, për t'i bërë njerëzit ta përjetojnë këtë gëzim, këtë mrekulli të jashtëzakonshme. Ky normalitet i ri do të thotë, për mendimin tim, se po përpiqemi të imagjinojmë një të ardhme normale".

Ora 16:37
Covid, Franca zgjat gjendjen e jashtëzakonshme për shkak të koronavirusit deri më 24 korrik

Ministri francez i shëndetësisë Olivier Véran ka njoftuar zgjatje të gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të koronavirusit.

Ajo nuk do të përfundojë në 23 maj, siç ishte planifikuar deri më tani, por më 24 korrik.

Ndërkohë, Qeveria franceze deklaroi zyrtarisht që shteti do të jetë në recesion këtë vit për shkak të pandemisë, me GDP që pritet të bjerë me 6% përgjatë 2020-ës.

Sipas qeverisë franceze, “rimëkëmbja ekonomike do të jetë e gjatë, e vështirë dhe e kushtueshme”.

Franca deri tani ka regjistruar 167 300 raste infeksioni për një total viktimash prej rreth 24 500 viktimash nga koronavirusi.

 

Ora 15:56
Covid/Itali, në provincat më të prekura nga koronavirusi, rastet e arrestit kardiak janë rritur me 58% më shumë

Në Itali, në muajin në të cilin Covid-19 u përhap në të gjithë Lombardinë, midis fundit të shkurtit dhe të njëjtës periudhë marsi, në një numër provincash nga më të prekurat nga infeksioni (Pavia, Lodi, Cremona dhe Mantua) u evidentuan një numër i madh vdekjesh nga sulmet kardiake, shumë më të mëdha se ato të regjistruara në të njëjtën periudhë të vitit 2019, rreth 58% më shumë

Të dhënat në lidhje me territoret e përmendura më lart, u dhanë nga kardiologët e spitalit San Matteo në Pavia përmes një shkrimi në  ‘Journal Journal of Medicine’ dhe ato tregojnë sesi sëmundja e shkaktuar nga Sars-CoV-2 pati një ndikim të fortë në incidencën e arresteve kardiake jashtë shërbimeve spitalore.

Këto janë statistikat e para të këtij lloji të vëna në dispozicion nga komuniteti shkencor, por të dhënat që dalin përcaktohen si "mbresëlënëse" nga vetë specialistët dhe tregojnë se pacientët me Covid-19 mund të jenë më të rrezikuarit.

Sipas specialistëve, sëmundja që, në pak më shumë se dy muaj, ka shkaktuar mbi 28 mijë vdekje përgjatë Gadishullit, duket se paraqet një rrezik të vërtetë (gjithashtu) për aktivitetin elektrik të zemrës.

Ora 14:52
Covid, rekord i rasteve me koronavirus në Rusi, rreth 10 000 infeksione të reja në 24 orët e fundit

Bilanci i përgjithshëm i njerëzve pozitivë me Covid-19 në Rusi është rritur në 124 mijë kurse ai i viktimave në 1222. Në Moskë, që nga shpërthimi i epidemisë, ka zyrtarisht 57.300 raste. Sipas autoriteteve, bazuar në testet e kryera në grupe të ndryshme, numri i vërtetë i personave të infektuar është rreth 2% e popullsisë, domethënë 250 mijë njerëz.

Vlerësohet rritje e shpejtë e papunësisë

Situata ekonomike në vend, i cili është i mbyllur që nga 30 marsi, duket dramatike sidomos në sektorin e restoranteve. Shoqata Ruse e Hoteleve dhe Gastronomisë ka frikë se 90% e të gjithë restoranteve dhe kafeneve të Moskës nuk do të mbijetojnë në kushtet e karantinës dhe izolimit social.

Në Rusi, pritet një rritje e shpejtë e shkallës së papunësisë. Numri i të papunëve (3.4 milion në shkurt) tani mendohet se do të dyfishohet në afro 8 milion.

Ora 14:31
Covid, virologu italian nga SHBA: Këtij virusi nuk i pëlqen nxehtësia

Kur ​​themi këtij virusi ky nuk i pëlqen nxehtësia nuk i referohet temperaturës në të cilën virusi vetë çaktivizohet nga nxehtësia, por temperaturat që i bëjnë të paqëndrueshme pikat e ndotjeve prej pështymës, teshtitjes, kollitjes etj. – Kështu është shprehur virologu italian Guido Silvestri, profesor në Universitetin Emory në Atlanta të SHBA.

"Ky mekanizëm është i njohur për virologët për dekada të tëra, dhe shpjegon pse të gjitha infeksionet virale të frymëmarrjes janë shumë sezonale dhe me një preferencë të qartë për muajt e dimrit", shton Silvestri, duke lënë për ne të hapur dritaren e shpresës se me sezonin e nxehtë të verës edhe koronavirusi do të zhduket

Ora 12:49
Covid, Spanja fillon të rihapet pjesërisht edhe pse vdekjet janë mbi 25,000

Spanja tejkaloi sot 25,000 viktima nga koronavirusi pasi në 24 orët e fundit u regjistruan 276 vdekje.  

Në mes të këtyre numrave të tmerrshëm, një fakt pozitiv është se, për të tretën ditë radhazi, vdekjet janë më pak se 300.

Njerwzit shprehen se "Ka kufizime shumë të rënda, por ne duhet të ndjekim udhëzimet e ministrisë së shëndetësisë. Sigurisht që na mungon liria, por kur të mbarojë e gjithë kjo do të ndjehemi edhe më mirë".

Në Spanjë deri tani numri i personave të identifikuar pozitive nga Covid është 213 435.

Megjithatë Spanja ka arritur të shërojë pjesën më të madhe të pacientëve të saj. 132,929 persona e kanë kaluar sëmundjen dhe aktualisht janë vetëm 79,695 të infektuar aktivë ndërsa një spital i improvizuar gjatë pikut të pandemisë në Madrid, u mbyll

Të martën, Kryeministri Pedro Sanchez përpiloi një plan me katër faza për heqjen e masave, me synim rikthimin në normalitet nga fundi i qershorit, kur do të hapen edhe plazhet. Sidoqoftë, zona të ndryshme të vendit do të ecin me shpejtësi të ndryshme përmes fazave, në varësi të shkallës së zhvillimit të infeksionit dhe kritere të tjera, si qëndrimi karshi rregullave të distancimit social. 

Ora 12:34
Një ministër në qeverinë ruse të Mishustin del pozitiv me COVID-19

Edhe një ministër në qeverinë ruse ka rezultuar pozitiv në testin për COVID-19 dhe është duke u trajtuar në spital. Ministri i Ndërtimit, Vladimir Yakushev, tha se është shtrirë në një spital në Moskë dhe është duke u trajtuar nën mbikëqyrjen e mjekëve, raporton agjencia TASS.

Një nga zyrtarët në ministrinë e tij, Dmitry Volkov, po ashtu ka rezultuar pozitiv me koronavirusin e ri.

Zëvendësministrja Nikita Stasishin është emëruar ministre në detyrë në mungesë të Yakushevit.

Ky njoftim vjen një ditë pasi kryeministri rus Mikhail Mishustin tha se është duke hyrë në vetizolim pasi ka dalë pozitiv me COVID-19.

Përhapja e infeksionit edhe në qeverinë ruse vjen pasi vendi ka shënuar një ngritje të rasteve përkundër masave që nga muaji mars.

Rusia ka raportuar 7,933 raste të reja me koronavirusin e ri më 1 maj brenda 24 orëve – një rekord i ri që çon numrin total të të infektuarve në 114,431.

Autoritetet thonë se Rusia ende nuk e ka arritur kulmin e përhapjes së pandemisë.

Ora 10:58
Covid/Spanjë, për herë të parë në shëtitje pas lehtësimit të masave

Në rrugët e Spanjës, qytetarët kanë filluar të dalin për shëtitje për herë të parë në disa javë, pas lehtësimit të masave anti-COVID-19 në vend.

Spanja është përballur me një nga shpërthimet më të mëdha të koronavirusit – më shumë se 213,000 raste të prekura dhe 24,500 viktima dhe kishte hyrë në izolim në mars.

Qytetarët ishin të lejuar të dalin vetëm për të blerë ushqime apo barna, apo për të shkuar në punë në rast të pamundësisë për të punuar nga shtëpia.

Deri javën e kaluar, Spanja ishte një nga vendet ku fëmijët nuk mund të dilnin fare nga shtëpia.

Megjithatë, daljet janë të rregulluara sipas një orari për të mos krijuar turma. Ecjet duhet të bëhen në afërsi të vendbanimeve si dhe distanca duhet të vazhdojë të mbahet.

Ora 10:52
Covid, Britani e Madhe kryen më shumë se 120,000 teste për koronavirusin brenda një dite

Mbretëria e Bashkuar ka kryer më shumë se 122,000 teste për koronavirus më 30 prill, duke tejkaluar synimet e qeverisë, ka thënë Ministri britanik për Shëndetësi, Matt Hancock.

Ai ka thënë se objektivi prej 100,000 testeve brenda ditës ka qenë “synim ambicioz”, mirëpo testimi ka qenë i domosdoshëm “për ta kthyer Britaninë sërish në këmbë”.

Të dhënat përfshijnë edhe kryerjen e testeve që janë dërguar nëpër shtëpi, por të cilat mund të mos jenë kryer ende.

Deri më tani në territorin britanik janë regjistruar 27,510 të vdekur si pasojë e koronavirusit.

Ministri britanik nga radhët e opozitës, Jonathan Ashworth ka sugjeruar se qeveria është mashtruar me këto shifra pasi ka numëruar testet e dërguara nëpër shtëpi dhe jo ato që janë kryer.

Ora 10:41
Britania e Madhe, të paktën 5 viktima nga koronavirusi para njoftimit zyrtar për vdekjen e parë nga infeksioni i Covid

Sipas 'The Guardian', në Mbretërinë e Bashkuar, të paktën pesë njerëz kishin vdekur më parë nga koronavirusi, kur qeveria njoftoi zyrtarisht viktimën e parë të pandemisë.

Sipas gazetës britanike, Londra tashmë e dinte për ndikimin vdekjeprurës të virusit që më 3 mars, ditën në të cilën zyrtarisht kishte zero vdekje në vend.

Vetëm dy ditë më vonë, më 5 mars, qeveria njoftoi viktimën e parë, një grua 70-vjeçare që vdiq në spitalin Royal Berkshire në Reading.

Të dhënat e marra nga The  Guardian e cila i referohet autoriteteve të sistemit shëndetësor në Angli - tregojnë se një pacient tjetër kishte vdekur që më 5 mars, në një spital në Manchester, dhe se viktima e parë e virusit ishte regjistruar në një shtëpi të moshuarish që më 2 Mars. Më 3 mars tre persona të tjerë vdiqën në spitalet e Nottingham, Essex dhe Buckinghamshire

Ora 09:13
Covid/SHBA, dritë jeshile për remdesivir, ilaçi për trajtimin e pacientëve të infektuar nga koronavirusi

Shpresa e fundit në luftën kundër koronavirusit quhet Remdesivir. Shtetet e Bashkuara autorizuan urgjentisht përdorimin e ilaçit antiviral të krijuar për të luftuar Ebola, tani për të trajtuar pacientët me koronavirus. E njëjta gjë u njoftua nga Presidenti amerikan Donald Trump pas takimit me drejtuesit e kompanisë që prodhon ilaçin.

Autorizimi nënkupton që ilaçi antiretroviral tani mund të përdoret tek njerëzit që janë shtruar në spital për shkak të Covid-19. Një studim i javëve të fundit ka treguar që Remdesivir ka ndihmuar në zvogëlimin e kohës së rikuperimit të pacientëve në gjendje të rëndë,  por shumë shkencëtarë janë ende skeptik, duke kërkuar që të mos e konsiderojnë ilaçin si "plumbin magjik", formulën magjike ose zgjidhje përfundimtare.

Autorizimi i dhënë nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave, agjensia amerikane për ilaçet, nuk është përfundimtare: do të nevojiten më shumë studime për të zyrtarizuar përdorimin e këtij ilaçi. Por ndërkohë, është një dritë jeshile për përdorimin e saj në këtë fazë emergjente. Remdesivir fillimisht u krijua për të luftuar Ebolën. Trump ka qenë një mbështetës që në fillim i përdorimit të këtij ilaçi, i cili me kalimin e kohës ka gjetur edhe mbështetjen e Anthony Fauci, kreut të grupit të emergjencës pranë Shtë pisë së Bardhë.

/I.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Plan 5 vjeçar për luftën ndaj informalitetit! Tatimet: Goditje punës së zezë dhe pagave të nëndeklaruara

Plan 5 vjeçar për luftën ndaj informalitetit! Tatimet: Goditje punës së zezë dhe pagave të nëndeklaruara