Ministria e Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut ka njoftuar për një person të vdekur dhe 22 raste të reja me koronavirus të regjistruara gjatë 24 orëve te fundit.
Në Shkup janë evidentuar nëntë raste, gjashtë në Tetovë, katër në Prilep dhe nga një në Kumanovë, Veles dhe Ohër.
Viktima ka qenë grua e moshës 79-vjeçare nga Shkupi, e cila ishte shtrirë në spital më 13 maj me simptoma të sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi.
Të dhënat janë bërë të ditura pas kryerjes së 462 testeve nga Instituti i Shëndetit Publik.
Sipas raportit, 16 persona janë shëruar plotësisht dhe prej tyre tetë janë nga Shkupi që ka edhe numrin më të lartë të të infektuarve me koronavirus.
Që nga fillimi i pandemisë, janë infektuar 1762 persona dhe prej tyre 1267 janë shëruar, 98 kanë ndërruar jetë ndërsa 397 ende janë aktivë. Deri tani janë realizuar 21,010 teste.